Dhjata e Vjetër
< JOBI >
Kapitulli 41
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42


1 A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar?

2 A mund t'i vësh një xunkth në flegrat e hundës ose t'i shposh nofullën me një çengel?

3 A do të të lutet ai së tepërmi apo do të të drejtojë fjalë të ëmbla?

4 A do të lidhë një besëlidhje me ty, që ti ta marrësh si shërbëtor për gjithnjë?

5 A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua?

6 Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve?

7 A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja?

8 Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar.

9 Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri.

10 Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje?

11 Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja.

12 Nuk do t'i kaloj në heshtje gjymtyrët e tij, forcën e tij të madhe dhe bukurinë e armaturës së tij.

13 Kush mund ta zhveshë nga parzmorja e tij dhe kush mund t'i afrohet me një fre të dyfishtë?

14 Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij?

15 Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule.

16 Ato janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk kalon as ajri midis tyre.

17 Janë të ngjitura njëra me tjetrën, të bashkuara fort midis tyre, dhe nuk mund të ndahen.

18 Teshtimat e tij japin shkreptima drite dhe sytë e tij janë si qepallat e agimit.

19 Nga goja e tij dalin flakë, dalin shkëndija zjarri.

20 Nga flegrat e hundës së tij del tym, si nga një enë që vlon ose nga një kazan.

21 Fryma e tij i vë zjarrin qymyrit dhe nga goja e tij del flakë.

22 Forca qëndron te qafa e tij dhe para tij hedh valle tmerri.

23 Pjesët e flashkëta të mishit të tij janë fort kompakte, janë mjaft të ngjeshura mbi të dhe nuk lëvizin.

24 Zemra e tij është e fortë si një gur, e fortë si pjesa e poshtme e mokrës.

25 Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar.

26 Shpata që arrin nuk i bën asgjë, e njëjta gjë ndodh me ushtën, shigjetën dhe shtizën.

27 E quan hekurin si kashtë dhe bronzin si dru të brejtur nga krimbi.

28 Shigjeta nuk e bën të ikë; gurët e hobesë për të janë si kallamishte.

29 Topuzi i duket sikur është kashtë, ai tallet me vringëllimën e ushtës.

30 Poshtë ka maja të mprehta dhe lë gjurmë si të lesës mbi baltë.

31 E bën të ziejë humnerën si ndonjë kazan dhe e bën detin si të ishte një enë me melhem.

32 Lë pas vetes një vazhdë drite dhe humnera duket si e mbuluar nga thinjat.

33 Mbi tokë nuk ka asgjë që t'i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë.

34 Shiko në fytyrë tërë njerëzit mendjemëdhenj; ai është mbret mbi të gjitha bishat më madhështore".