Dhjata e Vjetër
< JOBI >
Kapitulli 30
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42


1 "Tani përkundrazi më të rinjtë se unë më përqeshin, ata që etërit e tyre nuk do të kishin pranuar t'i vija midis qenve të kopesë sime.

2 Fundja, për çfarë do të më shërbente forca e duarve të tyre? Fuqia e tyre është shkatërruar.

3 Të sfilitur nga mizerja dhe nga uria, ikin natën në shketëtirën e shkretuar dhe shterpë,

4 duke shkulur bar të hidhur pranë gëmushave dhe rrënjë gjineshtre për ushqimin e tyre.

5 Janë përzënë nga mjediset prej njerëzve që ulërijnë prapa tyre si të ishin vjedhës.

6 Janë të detyruar të jetojnë në skërkat e luginave, në shpellat e tokës dhe midis shkëmbinjve;

7 ulërijnë midis kaçubeve dhe shtrëngohen bashkë nën ferrishtat;

8 njerëz budallenj, po, njerëz pa vlerë, të dëbuar nga vendi i tyre.

9 Tani jam bërë kënga e tyre e talljes, po, jam bërë gazi i tyre.

10 Kanë tmerr nga unë, rrinë larg meje dhe nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë.

11 Meqenëse Perëndia ka lëshuar disi litarin e çadrës sime dhe më ka poshtëruar, ata kanë thyer çdo fre para meje.

12 Këta zuzarë çohen në të djathtën time, i shtyjnë larg këmbët e mia dhe përgatitin kundër meje rrugët që të më shkatërrojnë.

13 Prishin rrugën time, keqësojnë fatkeqësinë time, megjithëse askush nuk i ndihmon.

14 Afrohen si nëpërmjet një të çare të madhe, sulen kundër meje si një stuhi.

15 Më sulmojnë tmerre; gjuajnë nderin tim si era, dhe begatia ime zhdavaritet si një re.

16 Unë shkrihem përbrenda, dhe ditët e hidhërimit më kanë pushtuar.

17 Natën ndjej sikur më shpojnë kockat, dhe dhembjet më brejnë pa pushim.

18 Nga dhuna e madhe rrobat e mia deformohen, më shtrëngojnë përreth si jaka e mantelit tim.

19 Ai më ka hedhur në baltë dhe jam bërë si pluhuri dhe hiri,

20 Unë të bërtas ty, dhe ti nuk më përgjigjesh; të rri përpara, por ti rri duke më shikuar.

21 Je bërë mizor me mua; më përndjek me fuqinë e dorës sate.

22 Më ngre lart mbi erën, bën që të eci kaluar mbi të dhe më zhduk në stuhi.

23 E di në të vërtetë që ti më çon në vdekje, në shtëpinë ku mblidhen gjithë të gjallët.

24 me siguri nuk do ta shtrijë dorën e tij te varri, megjithëse në fatkeqësinë e tij bërtet për të kërkuar ndihmë.

25 A nuk kam qarë vallë për atë që ishte në fatkeqësi, dhe a nuk jam hidhëruar për të varfrin?

26 Kur prisja të mirën, erdhi e keqja; kur prisja dritën, erdhi errësira.

27 Zorrët e mia ziejnë pa pushim, kanë ardhur për mua ditë vuajtjesh.

28 Shkoj rreth e qark i nxirë, krejt, por jo nga dielli; ngrihem në kuvend dhe bërtas për të kërkuar ndihmë.

29 Jam bërë vëlla me çakallin dhe shok me strucin.

30 Lëkura ime që më mbulon është nxirë dhe kockat e mia digjen nga nxehtësia.

31 Qestja ime shërben vetëm për vajtime dhe flauti im për tinguj vajtues.