Dhjata e Vjetër
< JOBI >
Kapitulli 35
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42


1 Elihu vazhdoi të flasë dhe tha:

2 "A të duket një gjë e drejtë kur thua: "Jam më i drejtë se Perëndia"?

3 Në fakt ke thënë: "Ç'dobi ke? Çfarë dobie do të kisha nga mëkati im?".

4 Do të të përgjigjem ty dhe miqve të tu bashkë me ty.

5 Sodite qiellin dhe shiko me kujdes; shih retë, që ndodhen më lart se ti.

6 Në qoftë se ti mëkaton, çfarë efekti ka mbi të? Në qoftë se ti i shumëzon prapësitë e tua çfarë dëmi i shkakton?

7 Në rast se je i drejtë, çfarë i jep, ose çfarë merr ai nga dora jote?

8 Ligësia jote mund të dëmtojë vetëm një njeri si ti, dhe drejtësia jote mundet t'i sjellë vetëm dobi birit të një njeriu.

9 Ngrihet zëri për numrin e madh të shtypjeve, ngrihet zëri për të kërkuar ndihmë për shkak të dhunës së të fuqishmëve;

10 por asnjeri nuk thotë: "Ku është Perëndia, krijuesi im, që natën të jep këngë gëzimi,

11 që na mëson më tepër gjëra se sa kafshëve të fushave dhe na bën më të urtë se zogjtë e qiellit?"

12 Kështu ngrihen zëra, por ai nuk përgjigjet për shkak të krenarisë së njerëzve të këqij.

13 Me siguri Perëndia nuk ka për t'i dëgjuar ligjëratat boshe dhe i Plotfuqishmi nuk do t'jua vërë veshin.

14 Edhe sikur ti të thuash se nuk e shikon atë, çështja jote qëndron para tij, dhe ti duhet të presësh.

15 Por tani, duke qenë se në zemërimin e tij ai nuk dënon dhe nuk u jep shumë rëndësi shkeljeve,

16 Jobi hap kot buzët dhe mbledh fjalë që nuk kanë arsye".