Dhjata e Vjetër
< JOBI >
Kapitulli 20
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42


1 Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:

2 "Për këtë mendimet e mia më shtyjnë të përgjigjem, për shkak të shqetësimit që ndjej brenda vetes sime.

3 Kam dëgjuar një qortim që më turpëron, por fryma ime më shtyn të përgjigjem ashtu si e gjykoj.

4 A nuk e di ti që gjithnjë, qysh prej kohës që njeriu u vu mbi tokë,

5 triumfi i të këqijve zgjat pak dhe gëzimi i të pabesëve zgjat vetëm një çast?

6 Edhe sikur madhështia e tij të arrinte deri në qiell dhe koka e tij të prekte retë,

7 ai do të vdesë për gjithmonë si jashtëqitjet e tij; ata që e kanë parë do të thonë: "Ku është?".

8 Do të fluturojë si një ëndërr dhe nuk do të gjendet më; do të zhduket si një vegim nate.

9 Syri që e shihte, nuk do ta dallojë më; edhe banesa e tij nuk do ta shohë më.

10 Bijtë e tij do të kërkojnë të fitojnë favorin e të varfërve dhe duart e tij do të rivendosin pasurinë e tij.

11 Forca rinore që i mbushte kockat do të dergjet në pluhur bashkë me të.

12 Edhe sikur e keqja të jetë e ëmbël në gojën e tij, ai e fsheh atë nën gjuhë,

13 nuk lejon që të dalë që andej por vazhdon ta mbajë në gojë.

14 Por ushqimi i tij, që është në zorrët e veta transformohet dhe bëhet një helm gjarpëri brenda tij.

15 Ai do të vjellë pasuritë që ka gëlltitur; vetë Perëndia do t'ia nxjerrë nga barku.

16 Ai ka thithur helm gjarpëri, gjuha e një nepërke do ta vrasë.

17 Nuk ka për të parë më lumenj as përrenj që rrjedhin me mjaltë dhe gjalpë.

18 Do të kthejë atë për të cilën është lodhur pa e vënë aspak në gojë; nuk do të ketë asnjë gëzim nga përfitimet e tregtisë së tij.

19 Sepse ka shtypur dhe braktisur të varfrin, ka shtënë në dorë me forcë një shtëpi që nuk e kishte ndërtuar.

20 Duke qenë se lakmia e tij nuk ka njohur kurrë qetësi, ai nuk do të shpëtojë asgjë nga gjërat që dëshironte aq shumë.

21 Asgjë nuk do t'i shpëtojë pangopësisë së tij, prandaj mirëqënia e tij nuk do të zgjasë.

22 Kur të jetë në kulmin e bollëkut do të gjendet ngushtë; dora e të gjithë atyre që vuajnë do të ngrihet kundër tij.

23 Kur të jetë bërë gati për të mbushur barkun, Perëndia do të dërgojë mbi të zjarrin e zemërimit të tij, që do të bjerë mbi të kur të jetë duke ngrënë.

24 Ai mund të shpëtojë nga një armë prej hekuri, por atë do ta shpojë një hark prej bronzi.

25 Nxirret shigjeta që del nga trupi i tij, maja e shndritshme del nga vreri i tij, atë e pushton tmerri.

26 Errësirë e plotë është caktuar për thesaret e tij; do ta konsumojë një zjarr jo i nxitur; ata që kanë mbetur në çadrën e tij do të jenë në ankth.

27 Qielli do të zbulojë paudhësinë e tij dhe toka do të ngrihet kundër tij.

28 Të ardhurat e shtëpisë së tij do t'i merren, do t'i marrin në ditën e zemërimit të tij.

29 Ky është fati që Perëndia i cakton njeriut të keq, trashëgimi që i është dhënë nga Perëndia.