Dhjata e Vjetër
< NUMRAT >
Kapitulli 30
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36

1 Pastaj Moisiu u foli prijësve të fiseve të bijve të Izraelit, duke u thënë: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar:

2 "Kur dikush lidh një kusht me Zotin ose lidh një detyrim duke u betuar, nuk do ta shkelë fjalën e tij, por do të bëjë gjithçka ka dalë nga goja e tij.

3 Kur një femër lidh një kusht me Zotin dhe lidh një detyrim ndërsa është ende në shtëpinë e të atit, gjatë rinisë së saj,

4 në qoftë se i ati, duke mësuar kushtin e saj dhe detyrimin me të cilën është lidhur, nuk thotë asgjë lidhur me këtë, tërë kushtet e saj do të jenë të vlefshme dhe do të mbeten të vlefshme tërë detyrimet me të cilat është lidhur.

5 Por në qoftë se i ati, ditën që e mëson, i kundërvihet asaj, të gjitha kushtet e saj dhe të gjitha detyrimet me të cilat është lidhur, nuk do të jenë të vlefshme; dhe Zoti do ta falë, sepse i ati iu kundërvu.

6 Por në qoftë se ajo martohet ndërsa është e lidhur me kushte ose ka një detyrim të lidhur në mënyrë të paarsyeshme me buzët e saja,

7 dhe në qoftë se bashkëshorti i saj e di dhe ditën që e merr vesh nuk thotë asgjë lidhur me të, kushtet e saj do të mbeten të vlefshme njëlloj si detyrimet me të cilat ajo është lidhur.

8 Por në qoftë se bashkëshorti i saj, ditën që e mëson, i kundërvihet, ai do të anulojë kushtin që ajo ka lidhur dhe detyrimin që ka marrë në mënyrë të paarsyeshme me buzët e saj; dhe Zoti do ta falë.

9 Por kushti i një gruaje të ve ose e një gruaje të ndarë, cilido qoftë detyrimi me të cilin është lidhur, do të mbetet i vlefshëm

10 Në qoftë se ajo lidh një kusht në shtëpinë e bashkëshortit të saj, ose merr përsipër një detyrim me betim,

11 dhe i shoqi e ka marrë vesh, në qoftë se i shoqi nuk thotë asgjë lidhur me këtë dhe nuk i kundërvihet, të gjitha kushtet e saj do të mbeten të vlefshme ashtu si edhe detyrimet që ka marrë përsipër.

12 Por në qoftë se i shoqi i anulon ditën që i ka marrë vesh të gjitha ato që kanë dalë nga buzët e saj, qofshin kushte apo detyrime me të cilat është lidhur; këto nuk do të jenë të vlefshme, bashkëshorti i saj i ka anuluar dhe Zoti do ta falë.

13 Bashkëshorti mund të konfirmojë dhe të anulojë çfarëdo kushti dhe çfarëdo betimi që lidh gruan e tij, që synon ta mundojë personin e saj.

14 Por në qoftë se bashkëshorti, çdo ditë që kalon, nuk thotë asgjë lidhur me këtë, ai konfirmon në këtë mënyrë tërë kushtet dhe detyrimet me të cilat ajo është lidhur; i konfirmon sepse nuk ka thënë asgjë lidhur me to ditën që i ka marrë vesh.

15 Por në qoftë se i anulon mbasi i ka marrë vesh, do të mbajë peshën e mëkatit të bashkëshortes së tij"".

16 Këto janë statutet që Zoti i ka dhënë me porosi Moisiut lidhur me marrëdhëniet, midis bashkëshortit dhe bashkëshortes, midis atit dhe bijës, kur ajo është akoma vajzë në shtëpinë e atit të saj.