Dhjata e Vjetër
< NUMRAT >
Kapitulli 19
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36

1 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

2 "Ky është statuti i ligjit që Zoti ka urdhëruar, duke thënë: "U thuaj bijve të Izraelit që të sjellin një mëshqerrë të kuqe, pa të meta dhe mbi të cilën nuk është vënë asnjë zgjedhë.

3 Do t'ia jepni priftit Eleazar, që do ta çojë jashtë kampit dhe do ta therë në praninë tuaj.

4 Prifti Eleazar do të marrë me gisht pak gjak të saj dhe do ta spërkasë shtatë herë përpara çadrës së mbledhjes;

5 pastaj do t'i vihet zjarri mëshqerrës para syve të tij; lëkura e saj, mishi i saj, gjaku i saj dhe ndyrësirat e saj do të digjen.

6 Pastaj prifti do të marrë dru kedri, hisopi dhe copë të kuqërremtë dhe do t'i hedhë në mes të zjarrit që po djeg mëshqerrën.

7 Pastaj prifti do të lajë rrobat e tij dhe trupin me ujë dhe do të kthehet në kamp; prifti do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

8 Edhe ai që ka djegur mëshqerrën do të lajë rrobat e tij dhe trupin me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

9 Një njeri i pastër do të mbledhë hirin e mëshqerrës dhe do ta depozitojë jashtë kampit në një vend të pastër, ku do të ruhet për asamblenë e bijve të Izraelit si një pastrim: shërben për t'u pastruar nga mëkati.

10 Dhe ai që ka grumbulluar hirin e mëshqerrës, duhet të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Ky do të jetë një statut i përjetshëm për bijtë e Izraelit dhe për të huajin që banon midis tyre.

11 Kush prek një trup të vdekur të çfarëdo personi do të jetë i papastër shtatë ditë.

12 Ai do të pastrohet me atë ujë ditën e tretë dhe të shtatë, dhe do të jetë i pastër; por në rast se nuk pastrohet ditën e tretë dhe të shtatë, nuk do të jetë i pastër.

13 Kushdo që prek trupin e një personi të vdekur dhe nuk pastrohet, ndot banesën e Zotit, ky person do të shfaroset nga gjiri i Izraelit. Me qenë se uji i pastrimit nuk u spërkat mbi të, ai është i papastër; papastërtia e tij është akoma mbi të.

14 Ky është një ligj për atë që vdes në një çadër: kushdo që hyn në çadër dhe kushdo që është në çadër do të jenë të papastër për shtatë ditë.

15 Dhe çdo enë e hapur, mbi të cilën nuk është vënë kapaku, do të jetë e papastër.

16 Kushdo që në fushë prek një person të vrarë me shpatë ose që ka pësuar vdekje të natyrshme, ose prek një kockë njeriu ose një varr, do të jetë i papastër për shtatë ditë.

17 Dhe për një person të papastër do të merret hiri i viktimës së djegur për ta pastruar nga mëkati dhe nga një enë do të derdhet mbi të ujë i rrjedhshëm;

18 pastaj një njeri i pastër do të marrë hisop, do ta fusë në ujë dhe do të spërkatë çadrën, të gjitha veglat, tërë personat që ndodhen aty dhe atë që ka prekur një kockë, ose të vrarin ose të vdekurin nga vdekja e natyrshme ose varrin.

19 Njeriu i pastër do të spërkatë të papastrin ditën e tretë dhe ditën e shtatë; ditën e shtatë njeriu i papastër do të pastrohet; do të lajë rrobat dhe veten e tij me ujë, dhe në mbrëmje do të jetë i pastër.

20 Por ai që është i papastër dhe nuk pastrohet, do të shfaroset në mes të asamblesë, sepse ka ndotur shenjtëroren e Zotit; uji i pastrimit nuk është spërkatur mbi të; ai është i papastër.

21 Ky do të jetë një statut i përjetshëm. Ai që spërkat ujin e pastrimit do të lajë rrobat e tij, dhe ai që prek ujin e pastrimit do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

22 Çdo gjë që prek personi i papastër do të jetë e papastër; dhe personi që prek atë do të jetë i pastër deri në mbrëmje"".