Numrat - Kapitulli 20
|
1 Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit në muajin e parë dhe populli qëndroi në Kadesh. Këtu vdiq dhe u varros Miriami.
2 Por mungonte uji për asamblenë, prandaj u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit.
3 Kështu populli u grind me Moisiun dhe i foli, duke i thënë: "Të kishim vdekur kur vdiqën vëllezërit tanë para Zotit!
4 Pse e çuat asamblenë e Zotit në këtë shkretëtirë që të vdesim, ne dhe bagëtia jonë?
5 Dhe pse na bëtë të dalim nga Egjipti për të na sjellë në këtë vend të keq? Nuk është një vend që prodhon grurë, fiq, rrush ose shegë dhe mungon uji për të pirë".
6 Atëherë Moisiu dhe Aaroni u larguan nga asambleja për të vajtur në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe ranë përmbys me fytyrën për tokë; dhe lavdia e Zotit iu shfaq atyre.
7 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
8 "Merr bastunin; ti dhe vëllai yt Aaron thirrni asamblenë dhe para syve të tyre i flisni shkëmbit, dhe ai do të japë ujin e tij; kështu do të nxjerrësh për ta ujë nga shkëmbi dhe do t'u japësh të pinë njerëzve dhe bagëtisë së tyre".
9 Moisiu mori, pra, bastunin që ishte përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti.
10 Kështu Moisiu dhe Aaroni thirrën asamblenë përpara shkëmbit dhe Moisiu u tha atyre: "Tani dëgjoni, o rebelë; a duhet të nxjerrim ujë për ju nga ky shkëmb?".
11 Pastaj Moisiu ngriti dorën, goditi shkëmbin me bastunin e tij dy herë dhe prej tij doli ujë me bollëk; kështu asambleja dhe bagëtia pinë ujë.
12 Atëherë Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: "Me qenë se nuk më besuat për të më mbuluar me lavdi para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre".
13 Këto janë ujërat e Meribës ku bijtë e Izraelit u grindën me Zotin, dhe ky u tregua i Shenjtë në mes tyre.
14 Pastaj Moisiu dërgoi lajmëtarë në Kadesh te mbreti i Edomit për t'i thënë: "Kështu thotë Izraeli, vëllai yt: Ti i njeh të gjitha fatkeqësitë që kemi pësuar,
15 si zbritën etërit tanë në Egjipt dhe ne qëndruam një kohë të gjatë në atë vend, dhe Egjiptasit na keqtrajtuan ne dhe etërit tanë.
16 Por, kur i thirrëm Zotit, ai e dëgjoi zërin tonë dhe dërgoi një Engjëll dhe na nxori nga Egjipti; dhe tani jemi në Kadesh, një qytet në afërsi të kufijve tuaj.
17 Po na lejo të kalojmë nëpër vendin tënd; ne nuk do të shkelim as arat as vreshtat tuaja, nuk do të pijmë ujin e puseve; do të ndjekim rrugën mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas, deri sa të kalojmë kufijtë e tu".
18 Por Edomi iu përgjigj: "Ti nuk do të kalosh nëpër territorin tim, përndryshe do të të kundërvihem me shpatë".
19 Bijtë e Izraelit i thanë: "Ne do të ngjitemi nga rruga kryesore; dhe në rast se ne dhe bagëtia jonë do të pimë nga uji yt, do të ta paguajmë; na lejo vetëm të kalojmë më këmbë dhe asgjë më tepër".
20 Por ai u përgjigj: "Nuk do të kaloni!".
21 <aaa part missing> Dhe Edomi refuzoi të lejojë kalimin e Izraelit nëpër territorin e tij; kështu Izraeli u largua prej tij.
22 Atëherë bijtë e Izraelit, tërë asambleja u nisën nga Kadeshi dhe arritën në malin Hor.
23 Dhe Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit në malin Hor, në kufijtë e vendit të Edomit, duke thënë:
24 "Aaroni po bashkohet me popullin e tij, dhe nuk ka për të hyrë në vendin që u kam dhënë bijve të Izraelit, sepse keni ngritur krye kundër urdhrit tim në ujërat e Meribës.
25 Merr Aaronin dhe Eleazarin, birin e tij, dhe çoji lart, në malin e Horit.
26 Zhvishe Aaronin nga rrobat e tij dhe vishja të birit, Eleazarit; dhe aty Aaroni do të bashkohet me popullin e tij dhe do të vdesë".
27 Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti; dhe ata hipën mbi malin e Horit para syve të të gjithë asamblesë.
28 Moisiu ia zhveshi rrobat Aaronit dhe ia veshi Eleazarit, birit të tij; dhe Aaroni vdiq aty, në majë të malit. Pastaj Moisiu dhe Eleazari zbritën nga mali.
29 Kur tërë asambleja pa që Aaroni kishte vdekur, e tërë shtëpia e Izraelit e qau Aaronin për tridhjetë ditë.