Dhjata e Vjetër
< NUMRAT >
Kapitulli 29
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36

1 Në muajin e shtatë, ditën e parë të muajit do të keni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni asnjë punë të rëndë; do të jetë për ju dita e rënies së borive.

2 Do të ofroni si olokaust, me erë të këndshme për Zotin, një dem të vogël, një dash dhe shtatë qengja motakë pa të meta,

3 bashkë me blatimin e tyre ushqimor prej majë mielli të përzier me vaj; tri të dhjeta për demin e vogël, dy të dhjeta për dashin,

4 dhe një të dhjetë për secilin nga shtatë qengjat;

5 dhe një kec, si flijim për mëkatin, për të bërë shlyerjen për ju,

6 përveç olokaustit mujor me blatimin e tij ushqimor, olokaustit të përjetshëm me blatimin e tij ushqimor, simbas normave të caktuara. Do të jetë një flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin.

7 Ditën e dhjetë të këtij muaji të shtatë do të keni një mbledhje të shenjtë dhe do të përulni shpirtërat tuaja; nuk do të bëni asnjë punë,

8 dhe do të ofroni si olokaust me erë të këndshme për Zotin një dem të vogël, një dash dhe shtatë qengja motakë, që duhet të jenë pa të meta,

9 me blatimin e tyre ushqimor prej majë mielli të përzier me vaj: tre të dhjeta për demin e vogël, dy të dhjeta për dashin,

10 një të dhjetë për secilin nga të shtatë qengjat,

11 dhe një kec si flijim për mëkatin, përveç flijimit për shlyerjen e fajit, olokaustit të përjetshëm me blatimin e tij dhe libacionet e tyre.

12 Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë do të keni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni asnjë punë të rëndë dhe do të kremtoni një festë për Zotin shtatë ditë me radhë.

13 Do të ofroni si olokaust, me erë të këndshme për Zotin, një dem të vogël, një dash dhe shtatë qengja motakë, që nuk duhet të kenë të meta;

14 me blatimin e tyre ushqimor prej maje mielli të përzier me vaj: tre të dhjeta për secilin nga trembëdhjetë demat e vegjël, dy të dhjeta për secilin nga dy deshtë,

15 një të dhjetë për secilin nga katërmbëdhjetë qengjat,

16 dhe një kec si flijim për mëkatin, përveç olokaustit të përjetshëm, blatimit të tij dhe libacionit.

17 Ditën e dytë do të ofroni dymbëdhjetë dema të vegjël, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë pa të meta,

18 me blatimin e tyre ushqimor dhe libacionet e tyre për demat e vegjël, për deshtë dhe për qengjat në bazë të numrit të tyre, simbas normave të caktuara,

19 dhe një kec si flijim për mëkatin, përveç olokaustit të përjetshëm, blatimit të tij ushqimor dhe libacioneve të tyre.

20 Ditën e tretë do të ofroni njëmbëdhjetë dema të vegjël, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë, pa të meta,

21 bashkë me blatimet e tyre ushqimore dhe libacionet për demat e vegjël, për deshtë dhe për qengjat, në bazë të numrit të tyre, simbas normave të caktuara,

22 dhe një cjap si flijim për mëkatin, përveç olokausti të përjetshëm, blatimit të tij të ushqimit dhe libacionit të tij.

23 Ditën e katërt do të ofroni dhjetë dema të vegjël, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë, pa të meta,

24 bashkë me blatimin e tyre të ushqimit dhe të libacioneve për demat e vegjël, për deshtë dhe për qengjat, në bazë të numrit të tyre simbas normave të caktuara,

25 dhe një kec, si flijim për mëkatin, përveç olokaustit të përjetshëm, blatimit të tij ushqimor dhe libacionit të tij.

26 Ditën e pestë do të ofroni nëntë dema të vegjël, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë, pa të meta,

27 me blatimin e tyre ushqimor dhe libacionet e tyre për demat e vegjël, për deshtë dhe për qengjat, në bazë të numrit të tyre, simbas normave të caktuara,

28 dhe një cjap, si flijim për mëkatin, përveç olokaustit të përjetshëm, blatimit të ushqimit dhe të libacionit të tij.

29 Ditën e gjashtë do të ofroni tetë dema të vegjël, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja pa të meta,

30 me blatimet e tyre të ushqimit dhe me libacionet e tyre për demat e vegjël, për deshtë dhe për qengjat, në bazë të numrit të tyre, simbas normave të caktuara,

31 dhe një cjap, si flijim për mëkatin, përveç olokaustit të përjetshëm, blatimit të tij ushqimor dhe libacionit të tij.

32 Ditën e shtatë do të ofroni shtatë dema të vegjël, dy desh dhe katërmbëdhjetë qengja motakë, pa të meta,

33 bashkë me blatimin e ushqimit dhe të libacioneve të tyre për demat e vegjël, për deshtë dhe për qengjat, në bazë të numrit të tyre, simbas normave të caktuara,

34 dhe një cjap, si flijim për mëkatin, përveç olokaustit të përjetshëm, blatimit të tij të ushqimit dhe libacionit të tij.

35 Ditën e tetë do të keni një asamble solemne; nuk do të kryeni atë ditë asnjë punë të rëndë,

36 dhe do të ofroni si olokaust, si flijim të përjetshëm të bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin, një dem të vogël, një dash dhe shtatë qengja motakë, pa të meta,

37 me blatimin e tyre të ushqimit dhe me libacionet e tyre për demin e vogël, për dashin dhe për qengjat, në bazë të numrit të tyre, simbas normave të caktuara,

38 dhe një cjap, si flijim për mëkatin, përveç olokaustit të përjetshëm, blatimit ushqimor të tij dhe libacionit të tij.

39 Këto janë flijimet që do t'i ofroni Zotit në festat tuaja të caktuara (përveç ofertave për kushtet tuaja dhe ofertave tuaja vullnetare), si olokaustet dhe blatimet tuaja dhe si libacione dhe flijime tuaja të falënderimit".

40 Dhe Moisiu u referoi bijve të Izraelit të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar.