NËN PUSHTETIN E URDHRAVE
ABUZIMET E UÇK-SË
      Siç është paraqitur në kapitullin “Konteksti Historik”, UÇK-ja ishte përgjegjëse për abuzime të rënda gjatë vitit 1998, përfshirë këtu rrëmbime e vrasje serbësh apo shqiptarësh të konsideruar kolaboracionistë. Në disa fshatra që ishin nën kontrollin e UÇK-së gjatë vitit 1998, rebelët dëbuan serbët etnikë nga shtëpitë e tyre. Disa prej atyre që mbetën rezultojnë të humbur dhe hamendësohet që janë rrëmbyer e janë vrarë nga UÇK-ja. Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, nëntëdhjetë e shtatë serbë të Kosovës, të cilët rezultuan të humbur në vitin 1998, nuk e gjendën deri në 15 maj të vitit 2000.
      UÇK-ja paraburgosi nja tetëdhjetë e pesë serbë gjatë sulmit mbi Rrahovec më 19 korrik 1998. Tridhjetë e pesë syresh u lëshuan pak më vonë, por të tjerët mbetën të humbur deri në gusht të vitit 2001. Më 22 korrik 1998, UÇK-ja mori për një kohë të shkurtër nën kontroll minierën e Belacevacit pranë Obiliqit. Atë ditë u kapën nëntë serbë, dhe ata janë ende në listën e të humburve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
      Në shtator 1998, policia serbe grumbulloi tridhjetë e katër kufoma të njerëzve, për të cilët u hamendësuar se ishin kapur e vrarë nga UÇK-ja në liqenin e Radonjicit pranë Gllogjanit. Midis viktimave kish edhe shqiptarë etnikë. Por abuzimi më i rëndë i UÇK-së u raportua përpara se të ndodhte kjo, dhe kish lidhje me vrasjen në muajin gusht të njëzet e dy civilëve serbë në fshatin Kleçkë, ku policia pretendoi se kish zbuluar pjesë kufomash dhe një furrë që përdorej për të kremuar trupat pa jetë. Mënyra se si u shpjegua ky pretendim i policisë, e lë disi të dyshimtë ngjarjen.

< 13
faqe
- 14 -

15 >