NËN PUSHTETIN E URDHRAVE
GJYKATA E KRIMEVE TË LUFTËS
      Pas një fillimi të ngadaltë në vitin 1998, Gjykata Kriminale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë bëri një hetim të plotë të krimeve të kryera në Kosovë. Më 27 maj 1999, Gjykata njoftoi se kish ngritur padinë më të bujshme e më domethënëse: Presidenti jugosllav dhe katër zyrtarë të tjerë të lartë u akuzuan për “vrasjen, persekutimin dhe deportimin e shqiptarëve të Kosovës” në periudhën nga 1 janari deri fund të majit të vitit 1999. Të paditurit e tjerë janë: Milan Milutoniviç, President i Serbisë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, Dragoljub Ojdaniç, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Nikolla Shahinoviç, zëvendës Kryeministër i RFJ-së dhe Vllajko Stojiljkoviç, Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë. Hetimet e Gjykatës Kriminale Ndërkombëtare mbi Krimet e Luftës, përfshirë edhe ato të kryera nga UÇK-ja, po vazhdojnë. Më 1 prill të vitit 2001, policia serbe arrestoi Milosheviçin me akuzën për korrupsion. Më 28 qershor, ai u transferua në Hagë. Deri në gusht të vitit 2001, të akuzuarit e tjerë kanë qenë të pa arrestuar.
      Gykata bëri gjithashtu një vlerësim të aksioneve të NATO-s gjatë luftës, duke arritur në përfundimin që nuk kish vend për të hetuar e ngritur akuza në këtë drejtim. Vlerësimi i Human Rights Watch mbi fushatën ajrore të NATO-s është disi i ndryshëm. Ndonëse Human Rights Watch nuk gjeti prova të krimeve të luftës të kryera nga NATO, u arrit në përfundimin që aleanca ushtarake euroatlantike dhunoi ligjin ndërkombëtar humanitar duke marrë masa të pamjaftueshme për identifikimin e pranisë së civilëve, ndërsa bombardoheshin objektiva të lëvizshëm. Siç është nënvizuar më parë në një raport të Human Rights Watch të shkurtit të vitit 2000, të titulluar Vdekjet e Civilëve gjatë Fushatës Ajrore të NATO-s, bombardimi i NATO-s shkaktoi në të gjithë Jugosllavinë rreth 500 viktima civile. 55-60% e këtyre viktimave ishin kosovarë. Në këtë raport është kritikuar gjithashtu përdorimi nga ana e NATO-s i minave kasetë, ndonëse një gjë e tillë është e ndaluar në një konflikt të armatosur. Ashtu si në rastin e armëve çfarëdo që nuk kursejnë askënd, kur përdoren në zona urbane, edhe minat kasetë, për shkak të një shkalle të lartë gabimi, paraqesin një rrezik serioz për popullsinë civile. Nga 24 marsi deri më 7 maj të vitit 1999, u hodhën mbi Kosovë dhe mbi Jugosllavi rreth 1,500 mina kasetë.

< 12
faqe
- 13 -

14 >