- UÇK-ja, e cila u rrit në periudhën 1996-1999 nga një grup guerrilasish të shpartalluar në një lëvizje të armatosur të mirëorganizuar, mori pjesë në shumë luftime taktike, të cilat vunë në rrezik jetën e civilëve. Njësitet e UÇK-së zinin prita apo sulmonin pozicionet e policisë e të ushtrisë në fshatra të caktuara, e më pas tërhiqeshin, duke i lënë fshatarët nën mëshirën e hakmarrjes së mundshme. Masakra të vërteta shpesh ndodhën për këtë arsye, duke dhënë kështu një ndihmë në përhapjen e kauzës së UÇK-së dhe në internacionalizimin e konfliktit.
- Elementë të UÇK-së janë gjithashtu përgjegjës për sulme të ndryshme në periudhën e pasluftës mbi serbë, romë dhe jo-shqiptarë të tjerë, madje edhe mbi shqiptarë etnikë, të cilët shiheshin si rivalë politikë. Menjëherë pas hyrjes së NATO-s në Kosovë pati djegje e plaçkitje sistematike të shtëpive të serbëve, romëve, pjesëtarëve të minoriteteve të tjera të Kosovës, si dhe dhunime të kishave e manastireve ortodokse. Kjo dhunë u shoqërua me kërcënime, të cilat synonin largimin e pakicave jo shqiptare nga Kosova. Deri nga fundi i vitit 2000, e kishin lënë krahinën më shumë se 210,000 serbë; shumica e tyre ikën në javët e para të pasluftës. Ata që mbetën ishin të përqëndruar në enklava mono-etnike, fjala vjen në Mitrovicë, Fushë Kosovë apo Graçanicë.
- Ç’është më e rënda, prej 12 qershorit janë vrarë apo kanë humbur rreth një mijë serbë e romë. Sipas shumë gjasave, në incidentet e pasluftës janë përfshirë banda kriminale e individë hakmarrës. Sidoqoftë, elementë të UÇK-së janë përgjegjës për shumë prej këtyre krimeve. Dëshira për hakmarrje është vetëm një shpjegim i pjesshëm, pasi në një numër të madh sulmesh nuk duhet të anashkalohet një objektiv i qartë politik: largimi nga Kosova i banorëve jo shqiptarë në mënyrë që të përligjej më mirë kauza e shtetit të pavarur të Kosovës.
- Vetë shqiptarët etnikë nuk mbetën jashtë vorbullës së kësaj dhune. Janë rrahur, rrëmbyer apo vrarë shqiptarë të akuzuar për “bashkëpunim” me autoritetet serbe, sidomos në komunat e Prizrenit, Gjakovës dhe Klinës. Sulmet kundër veprimtarëve politikë e partiakë, sidomos kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës, vazhduan edhe pas zgjedhjeve administrative të 28 tetorit 2000.
|