Dhjata e Vjetër
< 1 I KRONIKAVE >
Kapitulli 16
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29


1 Kështu e prunë arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tabernakullit që Davidi kishte ngritur për të; pastaj ofruan olokauste dhe flijime falenderimi përpara Perëndisë.

2 Kur Davidi mbaroi së ofruari olokaustet dhe flijimet e falenderimit, ai bekoi popullin në emër të Zotit;

3 pastaj u ndau tërë Izraelitëve, burra dhe gra, secilit prej tyre një bukë, një racion mish dhe një sasi rrushi të thatë.

4 Pastaj vendosi përpara arkës të Zotit disa Levitë për të kryer shërbimin për të kujtuar, për të falenderuar dhe për të lëvduar Zotin, Perëndinë e Izraelit;

5 Asafi, i pari, Zakaria i dyti mbas tij, pastaj Jeieli, Shemiramothi, Jehieli, Matithiahu, Eliabi, Benajahu, Obed-Edomi dhe Jejeli. Ata u binin harpave dhe qesteve, ndërsa Asafi u binte cembaleve.

6 Priftërinjtë Benajah dhe Jahaziel përkundrazi i binin trombës vazhdimisht përpara arkës së besëlidhjes së Perëndisë.

7 Atë ditë Davidi u besoi për herë të parë Asafit dhe vëllezërve të tij detyrën që të këndonin lëvdata Zotit.

8 Kremtoni Zotin, kujtoni emrin e tij; bëjini të njohura veprat e tij midis popujve.

9 Këndojini atij, lëvdoheni, mendoni të gjitha mrekullitë e tij.

10 Lëvdohuni me emrin e tij të shenjtë; u gëzofshin zemrat e të gjithë atyre që kërkojnë Zotin!

11 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij, kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij!

12 Kujtoni mrekullitë që ka bërë, çuditë e tij dhe gjykimet që kanë dalë nga goja e tij,

13 ju, o stermpa të Izraelit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij!

14 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij i gjejmë mbi të gjithë tokën.

15 Mos harroni kurrë besëlidhjen e tij, fjalën e tij të urdhëruar për një mijë breza,

16 besëlidhjen e lidhur me Abrahamin, betimin që i ka bërë Isakut,

17 që ia konfirmoi Jakobit si një statut dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,

18 duke thënë: "Unë do t'ju jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj".

19 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, fare i pakët dhe të huaj në vend.

20 Kur shkonin nga një komb në një tjetër, nga një mbretëri në një popull tjetër,

21 ai nuk lejoi që ndokush t'i shtypte; përkundrazi dënoi disa mbretër për dashurinë që ushqente për ta,

22 duke thënë: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi".

23 Këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës, lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij!

24 Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve!

25 Sepse Zoti është i madh dhe i denjë të lëvdohet në kulm; ai është me friksuësi nga tërë perënditë.

26 Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj, kurse Zoti ka krijuar qiejtë.

27 Shkëlqimi dhe madhëria janë para tij, forca dhe gëzimi ndodhen në banesën e tij.

28 Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

29 Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij;

30 dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës! Po, bota është e qëndrueshme dhe nuk do të tundet.

31 Le të gëzohen qiejtë dhe toka, dhe le të thonë kombet: "Zoti mbretëron".

32 Le të gjëmojë deti dhe tërë ato që janë në të;

33 atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit, sepse ai vjen të gjykojë tokën.

34 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

35 Thoni: "Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë! Na mblidh dhe na çliro nga kombet, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi se të kemi lëvduar".

36 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga amshimi në amshim! Dhe tërë populli tha: "Amen", dhe lëvdoi Zotin.

37 Kështu Davidi la Asafin dhe vëllezërit e tij atje përpara arkës së besëlidhjes të Zotit, me qëllim që të shërbenin vazhdimisht përpara arkës, sipas nevojave të çdo dite,

38 la edhe Obed-Edomin dhe të gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij (Obed-Edomi, bir i Jeduthunit dhe Hosahu si derëtarë),

39 dhe priftin Tsadok dhe priftërinjtë vëllezër të tij përpara tabernakullit të Zotit, në vendin e lartë që ishte në Gabaon,

40 me qëllim që ata t'i ofronin Zotit olokauste mbi altarin e olokausteve, vazhdimisht në mëngjes e në mbrëmje, sipas tërë atyre që janë shkruar në ligjin e Zotit, që ai ia kishte imponuar Izraelit.

41 Dhe me ta ishin Hemani, Jeduthuni dhe të tjerët që ishin zgjedhur dhe caktuar me emër për të lëvduar Zotin, sepse mirësia e tij është e përjetshme.

42 Me ta ishin gjithashtu Hemani dhe Jeduthuni me bori dhe cembale, për ata që do t'u binin veglave, dhe me vegla muzikore për të shoqëruar këngët e Perëndisë. Bijtë e Jeduthunit duhet të rrinin te porta.

43 Më në fund tërë populli u kthye, secili në shtëpinë e vet, dhe Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet.