1 i Kronikave - Kapitulli 15
|
1 Davidi ndërtoi disa shtëpi në qytetin e Davidit, përgatiti një vend për arkën e Perëndisë dhe ngriti një çadër për atë.
2 Atëherë Davidi tha: "Asnjeri nuk duhet të mbartë arkën e Zotit përveç Levitëve, sepse Zoti ka zgjedhur ata për ta mbajtur arkën e Perëndisë dhe për t'i shërbyer atij përjetë".
3 Davidi mblodhi tërë Izraelin në Jeruzalem për ta çuar arkën e Zotit në vendin që i kishte përgatitur.
4 Davidi mblodhi edhe bijtë e Aaronit dhe Levitët.
5 Nga bijtë e Kehathit, Urielin, të parin, dhe njëqind e njëzet vëllezërit e tij;
6 nga bijtë e Merarit, Asajahun, të parin, dhe dyqind e njëzet vëllezërit e tij;
7 nga bijtë e Gershomit, Joelin, të parin, dhe njëqind e tridhjetë vëllezërit e tij;
8 nga bijtë e Elitsafanit, Shemajahun, të parin, dhe dyqind vëllezërit e tij;
9 nga bijtë e Hebronit, Elielin, të parin, dhe tetëdhjetë vëllezërit e tij;
10 nga bijtë e Uzielit, Aminadabin, të parin, dhe njëqind e dymbëdhjetë vëllezërit e tij.
11 Pastaj Davidi thirri priftërinjtë Tsadok dhe Abiathar, dhe Levitët Uriel, Asajahu, Joel, Shemajahu, Eliel dhe Aminadab,
12 dhe u tha atyre: "Ju jeni të parët e shtëpive atërore të Levitëve; shenjtërohuni, ju dhe vëllezëzit tuaj, që të mund të transportojnë arkën e Zotit, Perëndisë të Izraelit, në vendin që i kam përgatitur.
13 Sepse herën e parë ju nuk ishit dhe Zoti, Perëndia ynë, hapi një të çarë midis nesh, sepse nuk e kishim kërkuar sipas rregullave të caktuara".
14 Kështu priftërinjtë dhe Levitët u shenjtëruan për të transportuar arkën e Zotit, Perëndisë të Izraelit.
15 Bijtë e Levitëve e mbajtën arkën e Perëndisë mbi shpatullat e tyre me anë të shufrave, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu sipas fjalës të Zotit.
16 Pastaj Davidi urdhëroi krerët e Levitëve të caktonin vëllezërit e tyre këngëtarë me vegla muzikore, harpa, qeste dhe cembale për të pasur tinguj gëzimi.
17 Prandaj Levitët caktuan Hemanin, birin e Joelit, midis vëllezërve të tij, Asafin, birin e Berakiahut, dhe midis bijve të Merarit, vëllezërit e tyre, Ethanin, birin e Kushajahut.
18 Me ta ishin vëllezërit e tyre të klasës së dytë: Zakaria, Beni, Jaazieli, Semiramothi, Jehieli, Uni, Eliabi, Benajahu, Maasejahu, Matithiahu, Elifalehu, Miknejahu, Obed-Edomi dhe Jeeli, që ishin derëtarë.
19 Këngëtarët Heman, Asaf dhe Ethan përdornin cembale prej bronzi;
20 Zakaria, Azieli, Shemiramothi, Jehieli, Uni, Eliabi, Maasejahu dhe Benajahu u binin harpave për zëra sopranoje;
21 Matithiahu, Elifalehu, Miknejahu, Obed-Edomi, Jejeli dhe Azaziahu u binin qesteve në oktavë për të udhëhequr këngën;
22 Kenaiahu, i pari i Levitëve, ishte i ngarkuar me këngën; ai drejtonte këngën, sepse ishte kompetent në këtë fushë.
23 Berekiahu dhe Elkanahu ishin derëtarë pranë arkës.
24 Priftërinjtë Shebarniahu, Joshafati, Nethaneel, Amasai, Zakaria, Benajah dhe Elezieri u binin borive përpara arkës së Perëndisë, kurse Obed-Edomi dhe Jehijahu kryenin detyrën e derëtarit afër arkës.
25 Atëherë Davidi, pleqtë e Izraelit dhe komandantët e mijëshëve vepruan me gëzim në transportimin e arkës së besëlidhjes të Zotit nga shtëpia e Obed-Edomit.
26 Kështu, sepse Perëndia i ndihmoi Levitët që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit, u ofruan si flijime shtatë dema dhe shtatë desh.
27 Davidi kishte veshur një mantel prej liri të hollë, ashtu si tërë Levitët që mbanin arkën, këngëtarët dhe Kenianahu, drejtuesi i këngës së bashku me këngëtarët; Davidi kishte veshur gjithashtu një efod prej liri.
28 Kështu tërë Izraeli e çoi lart arkën e besëlidhjes të Zotit me klithma gëzimi nën tingujt e burive, brirëve, cembaleve, qesteve dhe harpave.
29 Por ndodhi që, ndërsa arka e besëlidhjes të Zotit arriti në qytetin e Davidit, Mikal, e bija e Saulit, duke shikuar nga dritarja, pa mbretin David që kërcente dhe hidhej përpjetë, dhe e përçmoi në zemër të saj.