Dhjata e Vjetër
< 1 I KRONIKAVE >
Kapitulli 10
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29


1 Filistejtë luftuan kundër Izraelit dhe Izraelitët ikën me vrap para Filistejve dhe ranë të vrarë në malin Gilboa.

2 Filistejtë ndoqën nga afër Saulin dhe bijtë e tij dhe vranë Jonathanin, Abinadabin dhe Malkishuan, bij të Saulit.

3 Beteja u bë e ashpër kundër Saulit, harkëtarët e goditën dhe ai u plagos rëndë.

4 Atëherë Sauli i tha shqyrtarit të tij: "Nxirr shpatën tënde dhe më shpo me atë, që këta të parrethprerë të mos vijnë e të tallen me mua". Por shqyrtari i tij nuk deshi ta bënte, sepse ishte trembur shumë. Atëherë Sauli mori shpatën dhe u hodh mbi të.

5 Kur shqyrtari e tij pa që Sauli kishte vdekur, edhe ai u hodh mbi shpatën e tij dhe vdiq.

6 Kështu vdiq Sauli me tre bijtë e tij; tërë shtëpia e tij u shua tok.

7 Kur të gjithë Izraelitët që banonin në këtë luginë panë që të tyret kishin ikur dhe që Sauli dhe bijtë e tij kishin vdekur, ata braktisën qytetet e tyre dhe ikën me vrap. Atëherë erdhën Filistejtë dhe u vendosën në vendin e tyre.

8 Të nesërmen Filistejtë erdhën për të zhveshur të vrarët dhe gjetën Saulin dhe bijtë e tij të rënë mbi malin Gilboa.

9 E zhveshën Saulin, i morën kokën dhe armaturën dhe çuan lajmëtarë në të gjithë vendin e Filistejve për të njoftuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe gjithë popullit.

10 E vendosën pastaj armaturën e tij në tempullin e perëndive të tyre dhe gozhduan kokën e tij në tempullin e Dagonit.

11 Kur tërë banorët e Jabeshit të Galaadit mësuan tërë atë që Filistejtë i kishin bërë Saulit,

12 tërë njerëzit trima u ngritën më këmbë, morën kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij dhe i çuan në Jabesh; pastaj i varrosën kockat e tyre nën brukën e Jabeshit dhe agjeruan shtatë ditë.

13 Kështu Sauli vdiq për shkak, të mosbensikërisë së tij ndaj Zotit, sepse nuk kishte respektuar fjalën e Zotit dhe njëkohësisht kishte konsultuar një medium për të marrë këshilla prej saj,

14 dhe nuk ishte këshilluar përkundrazi me Zotin. Prandaj Zoti e bëri të vdesë dhe ia kaloi mbretërinë Davidit, birit të Isait.