Dhjata e Vjetër
< ZANAFILLA >
Kapitulli 47
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42 | 43 | 44 | 45 | 46 | 47 | 48 | 49 | 50

1 Jozefi shkoi, pra, të njoftojë Faraonin dhe i tha: "Ati im dhe vëllezërit e mi, me gjithë kopetë e tyre, të bagëtive të imta dhe të trasha dhe me gjithçka kanë, kanë ardhur nga vendi i Kanaanit; dhe ja, tani ndodhen në vendin e Goshenit".

2 Pastaj mori pesë nga vëllezërit e tij dhe ia paraqiti Faraonit.

3 Atëherë Faraoni u tha vëllezërve të Jozefit: "Me ç'punë merreni?". Ata iu përgjigjën Faraonit: "Shërbëtorët e tu janë barinj, si ne ashtu dhe etërit tanë".

4 Pastaj i thanë Faraonit: "Kemi ardhur për të banuar në këtë vend, sepse nuk kishte më kullota për kopetë e shërbëtorëve të tu, sepse ka zi të madhe në vendin e Kanaanit. Lejona tani që shërbëtorët e tu të banojnë në vendin e Goshenit".

5 Atëherë Faraoni ia drejtoi fjalën Jozefit, duke i thënë: "Ati yt dhe vëllezërit e tu erdhën te ti;

6 vendi i Egjiptit është në dispozicionin tënd; bëj që ati yt dhe vëllezërit e tu të banojnë në pjesën më të mirë të vendit; le të banojnë edhe në vendin e Goshenit. Dhe në qoftë se ti di që midis tyre ka njerëz të zotë, caktoji kryeintendentë të bagëtisë sime".

7 Pastaj Jozefi e çoi Jakobin, atin e tij, te Faraoni dhe ia paraqiti. Dhe Jakobi bekoi Faraonin.

8 Atëherë Faraoni i tha Jakobit: "Sa vjet ke që jeton?".

9 Jakobi iu përgjegj Faraonit: "Vitet e shtegtimit tim janë njëqind e tridhjetë; vitet e jetës sime kanë qenë të pakta dhe të këqija, dhe nuk e kanë arritur numrin e viteve të jetës së etërve të mi, në ditët e shtegtimit të tyre".

10 Jakobi e bekoi përsëri Faraonin dhe u largua nga prania e Faraonit.

11 Kështu Jozefi vendosi atin e tij dhe vëllezërit e tij dhe u dha atyre një pronë në vendin e Egjiptit, në pjesën më të mirë të vendit, në krahinën e Ramsesit, ashtu siç kishte urdhëruar Faraoni.

12 Dhe Jozefi e mbajti me bukë të atin, të vëllezërit dhe tërë familjen e të atit duke i furnizuar sipas numrit të bijve.

13 Ndërkaq në të gjithë vendin nuk kishte bukë, sepse zija e bukës ishte shumë e madhe; vendi i Egjiptit dhe vendi i Kanaanit vuanin nga uria.

14 Jozefi mblodhi tërë paratë që gjendeshin në vendin e Egjiptit dhe në vendin e Kanaanit në këmbim të grurit që ata blinin; dhe këto para Jozefi i çoi në shtëpinë e Faraonit.

15 Por kur në vendin e Egjiptit dhe në vendin e Kanaanit nuk pati më para, tërë Egjiptasit erdhën te Jozefi dhe thanë: "Na jep bukë! Pse duhet të vdesim para syve të tu? Sepse paratë tona kanë mbaruar".

16 Jozefi tha: "Jepni bagëtinë tuaj; dhe unë do t'ju jap bukë në këmbim të bagëtisë suaj, në qoftë se i keni mbaruar paratë".

17 Atëherë ata i çuan Jozefit bagëtinë e tyre; dhe Jozefi u dha atyre bukë në këmbim të kuajve të tyre, të kopeve të tyre me dele, të qeve dhe të gomarëve. Kështu i furnizoi me bukë për atë vit në këmbim të gjithë bagëtisë së tyre.

18 Mbasi kaloi ai vit, u kthyen tek ai vitin pasues dhe i thanë: "Nuk mund t'ja fshehim zotërisë tonë që, me qenë se paratë mbaruan dhe kopetë e bagëtisë sonë janë bërë pronë e zotërisë tonë, nuk mbetet asgjë tjetër që zotëria ime mund të na marrë veç trupave tonë dhe tokave tona.

19 Pse duhet të mbarojmë para syve të tu, ne dhe tokat tona? Blina ne dhe tokat tona në këmbim të bukës, dhe ne me tokat tona do të jemi skllevër të Faraonit; na jep të mbjellim që të mund të jetojmë dhe jo të vdesim, dhe toka të mos shndërrohet në një shkretëtirë".

20 Kështu Jozefi bleu për Faraonin tërë tokat e Egjiptit, sepse Egjiptasit shitën secili arën e vet, me që ishin goditur rëndë nga zija e bukës. Kështu vëndi u bë pronë e Faraonit.

21 Sa për popullin, e zhvendosi nëpër qytete, në të katër anët e Egjiptit;

22 vetëm tokat e priftërinjve nuk i bleu, sepse priftërinjtë merrnin furnizime nga Faraoni dhe rronin nga furnizimet që u jepte Faraoni; për këtë arsye ata nuk i shitën tokat e tyre.

23 Por Jozefi i tha popullit: "Ja, sot ju bleva ju dhe tokat tuaja për Faraonin; ja ku e keni farën; mbillni tokën;

24 në kohën e korrjes, të pestën pjesë do t'ia jepni Faraonit dhe katër pjesë do të jenë tuajat për të siguruar farën e arave, ushqimin tuaj dhe të personave të shtëpisë suaj dhe për ushqimin e fëmijëve tuaj".

25 Dhe ata thanë: "Ti na shpëtove jetën! Paçim hir në sytë e zotërisë tonë, dhe ne do të jemi skllevërit e Faraonit".

26 Jozefi e bëri ligj këtë në vendin e Egjiptit, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe sipas të cilit e pesta pjesë e korrjes duhet t'i jepet Faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk u bënë pronë e Faraonit.

27 Kështu Izraeli banoi në vendin e Egjiptit, në vendin e Goshenit; aty ata patën prona, qenë frytdhënës dhe u shumuan fort.

28 Jakobi jetoi në vendin e Egjiptit shtatëmbëdhjetë vjet dhe kohëzgjatja e jetës së Jakobit qe njëqind e dyzet e shtatë vjet.

29 Kur koha e vdekjes po i afrohej Izraelit, ai thirri të birin Jozef dhe i tha: "Në paça gjetur hir në sytë e tu, vëre dorën tënde poshtë kofshës sime dhe sillu me mua me mirëdashje dhe besnikëri; të lutem, mos më varros në Egjipt!

30 Por kur do të pushoj me etërit e mi, më nxirr jashtë Egjiptit dhe më varros në varrin e tyre!". Ai u përgjigj: "Do të bëj si thua ti".

31 Atëherë Jakobi tha: "Betomu". Dhe Jozefi iu betua. Pastaj Izraeli, duke u mbështetur te koka e shtratit, ra në adhurim.