Dhjata e Vjetër
< ZANAFILLA >
Kapitulli 14
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42 | 43 | 44 | 45 | 46 | 47 | 48 | 49 | 50

1 Por ndodhi në kohën e Amrafelit, mbret i Shinarit, e Ariokut, mbret i Elasarit e Kedorlaomerit, mbret i Elamit dhe i Tidealit, mbret i kombeve,

2 që ata i bënë luftë Beraut, mbret i Sodomës, Birshës, mbret i Gomorës, Shinabit, mbret i Admahut, Shemeberit, mbret i Ceboimit dhe mbretit të Belës (që është Coari).

3 Tërë këta të fundit u grumbulluan në luginën e Sidimit (që është Deti i Kripur).

4 Për dymbëdhjetë vjet ata qenë të nënshtruar nga Kedorlaomeri, por vitin e trembëdhjetë ngritën krye.

5 Vitin e katërmbëdhjetë Kedorlaomeri dhe mbretërit që ishin me të erdhën bashkë me të dhe i shpërndanë gjigantët në Ashterot-Karnaim, Zuzimët në Ham, Emimët në Shaveh-Kiriataim

6 dhe Horejtë në malet e tyre të Seirit deri në El-Paran, që ndodhet pranë shkretëtirës.

7 Pastaj u kthyen pas dhe erdhën në En-Mishpat (që është Kadeshi), plaçkitën tërë territorin e Amalekitëve si dhe të Amorejve që banonin në Hatsacon-Tamar.

8 Atëherë mbreti i Sodomës, mbreti i Gomorës, mbreti i Admahut, mbreti i Ceboimit dhe mbreti i Belës (që është Coari) dolën dhe u rreshtuan në luftë kundër tyre, në luginën e Sidimit;

9 kundër Kedorlaomerit mbret i Elamit, Tidealit mbret i kombeve, Amrafelit mbret i Shinarit dhe Ariokut mbret i Elasarit; katër mbretër kundër pesë.

10 Por lugina e Sidimit ishte plot me puse bitumi; dhe mbretërit e Sodomës dhe të Gomorës ua mbathën këmbëve dhe ranë brënda tyre; dhe ata që shpëtuan, shkuan në mal.

11 Dhe kështu fituesit shtinë në dorë tërë pasuritë e Sodomës dhe të Gomorës dhe tërë ushqimet e tyre, dhe ikën.

12 Morën me vete edhe Lotin, djali i vëllait të Abramit, bashkë me pasurinë e tij, dhe ikën. Loti banonte në Sodomë.

13 Por njëri nga të ikurit erdhi dhe ia tha Abram Hebreut, që banonte në lisat e Mamres, Amoreosit, vëlla i Eshkollit dhe vëlla i Anerit, që kishin lidhur aleancë me Abramin.

14 Kur Abrami mësoi se vëllai i tij ishte zënë rob, ai armatosi njerëzit e stërvitur, shërbyes të lindur në shtëpinë e tij, gjithsej treqind e tetëmbëdhjetë veta dhe i ndoqi mbretërit deri në Dan.

15 Ai i ndau forcat e tij kundër tyre natën, dhe me shërbyesit e tij i sulmoi dhe i ndoqi deri në Hobah, që ndodhet në të majtë të Damaskut.

16 Kështu ai rimori tërë pasurinë dhe solli me vete edhe Lotin, të vëllanë, dhe tërë pasurinë e tij, si edhe gratë dhe popullin.

17 Mbas kthimit të tij nga disfata e Kedorlaomerit dhe të mbretërve që ishin me të, mbreti i Sodomës vajti ta presë në luginën e Shavehut (që është Lugina e mbretit).

18 Atëherë Melkisedeku, mbret i Salemit, i shpuri bukë dhe verë. Ai ishte prift i Shumë të Lartit Perëndi.

19 Dhe bekoi Abramin, duke thënë: "Qoftë i bekuar Abrami nga Shumë i Larti Perëndi, sundimtar i qiejve dhe i tokës!

20 Qoftë i bekuar Shumë i Larti Perëndi, që të ka dhënë në dorë armiqtë e tu!". Dhe Abrami i dha një të dhjetën e çdo gjëje.

21 Pastaj mbreti i Sodomës i tha Abramit: "Nëm personat dhe merr për vete pasuritë".

22 Por Abrami iu përgjegj mbretit të Sodomës: "Unë kam ngritur dorën time drejt Zotit, Perëndisë Shumë të Lartë, zotërues i qiejve dhe i tokës,

23 që nuk do të merrja asgjë nga ajo që të përket, as edhe një fije apo një lidhëse këpucësh, me qëllim që ti të mos thuash: "Unë e pasurova Abramin".

24 Nuk do të marr asgjë me vete, me përjashtim të atyreve që kanë ngrënë të rinjtë dhe të pjesës që u përket njerëzve që kanë ardhur me mua: Aneri, Eshkol dhe Mamreu; lëri që këta të marrin pjesën që u takon".