Veprat e Apostujve - Kapitulli 3
|
1 Por Pjetri dhe Gjoni po ngjiteshin bashkë për në tempull, rreth orës së nëntë, në orën e lutjes.
2 Dhe aty ishte një njeri i çalë që prej lindjes, të cilin e sillnin çdo ditë dhe e linin afër derës së tempullit, e t'u quajtur "E bukura", për t'u kërkuar lëmoshë atyre që hynin në tempull.
3 Ai, kur pa se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, u kërkoi lëmoshë.
4 Atëherë Pjetri, me Gjonin, duke i ngulur sytë mbi të, i tha: "Na shiko".
5 Dhe ai po i shikonte me kujdes, duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë prej tyre.
6 Por Pjetri tha: "Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!".
7 Dhe, si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë; dhe në atë çast iu forcuan këmbët dhe nyjet.
8 Dhe me një të hovur u ngrit në këmbë dhe filloi të ecë; dhe hyri me ta në tempull, duke ecur, duke u hedhur dhe duke lavdëruar Perëndinë.
9 Dhe gjithë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Perëndinë,
10 dhe e njohën se ishte ai që rrinte ulur para derës së Bukur të tempullit për të kërkuar lëmoshë; dhe u mbushën me habi dhe çudi për atë që i kishte ndodhur atij.
11 Atëherë, ndërsa i çali që ishte shëruar rrinte ngjitur pas Pjetrit dhe Gjonit, gjithë populli, i çuditur, rendi drejt tyre te portiku të quajtur i Salomonit.
12 Dhe Pjetri, duke parë këtë gjë, i foli popullit duke thënë: "Burra të Izraelit, pse po mrrekulloheni për këtë? Ose pse po na i ngulni sytë sikur ne me fuqinë tonë të vetme ose me perëndishmëri të kishim bërë që ky njeri të ecë?
13 Perëndia e Abrahamit, e Isakut dhe e Jakobit, Perëndia e etërve tanë e ka përlëvduar Birin e tij Jezusin, të cilin ju ia dorëzuat Pilatit dhe e mohuat përpara tij, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte.
14 Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, dhe kërkuat që t'ju jepej një vrasës,
15 dhe vratë princin e jetës, që Perëndia e ka ringjallur prej së vdekuri dhe për të cilin ne jemi dëshmitarë!
16 Dhe për besimin në emër të Jezusit, ky njeri, të cilin ju po e shihni dhe e njihni, u fortesua nga emri i tij; dhe besimi, që është nëpërmjet tij, i ka dhënë shërimin e plotë të gjymtyrëve, në praninë e të gjithëve ju.
17 Por tani, o vëllezër, unë e di që e keni bërë nga padija, ashtu siç kanë bërë edhe krerët tuaj.
18 Por kështu Perëndia i ka përmbushur ato që kishte parathënë me gojën e të gjithë profetëve të vet, se Krishti i tij do të vuante.
19 Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit,
20 dhe ai të dërgojë Jezu Krishtin që ju ishte predikuar më parë juve,
21 të cilin qielli duhet ta mbajë deri në kohën e ripërtëritjes të të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës.
22 Vetë Moisiu, në fakt, u tha etërve: "Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t'ju thotë!
23 Dhe do të ndodhë që kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shkatërrohet në mes të popullit".
24 Gjithashtu të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur qysh nga Samueli e këtej, i kanë shpallur këto ditë.
25 Ju jeni bij të profetëve dhe të besëlidhjes që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: "Dhe në pasardhësit e tu do të bekohen të gjitha kombet e dheut".
26 Perëndia më së pari, mbasi e ringjalli Birin e tij Jezusin, jua ka dërguar juve që t'ju bekojë, duke larguar secilin nga ju nga paudhësitë e tij".