Veprat e Apostujve - Kapitulli 26
|
1 Atëherë Agripa i tha Palit: "Ke leje të flasësh për të mbrojtur veten!". Dhe Pali, si e shtriu dorën, nisi të bëjë mbrojtjen e tij:
2 "O mbret Agripa, e quaj veten të lumtur që kam mundësi sot të shfajësohem para teje nga të gjitha ato që më kanë akuzuar Judenjtë,
3 veçanërisht sepse ti i njeh të gjitha zakonet dhe çështjet që janë midis Judenjve; prandaj të lutem të më dëgjosh me durim.
4 Se cila ka qenë mënyra ime e të jetuarit që nga rinia, të cilën e kalova tërësisht në Jeruzalem në mes të popullit tim, të gjithë Judenjtë e dinë.
5 Ata më njohin qysh atëherë dhe mund të dëshmojnë, po deshën, se kam jetuar si farise, sipas sektit më të drejtë të fesë sonë.
6 Dhe tani ndodhem para qjyqit për shpresën e premtimit që u ka bërë Perëndia etërve tanë,
7 premtim të cilin dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë me zell ditë e natë Perëndisë, shpresojnë ta fitojnë; për këtë shpresë, o mbret Agripa, unë jam akuzuar nga Judenjtë.
8 Përse vallë mendoni se është e pabesueshme që Perëndia t'i ringjallë të vdekurit?
9 Unë vetë mendova se ishte detyra ime të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit Nazarenas.
10 Dhe këtë kam bërë në Jeruzalem; mbasi kam marrë pushtet nga krerët e priftërinjve, futa në burg shumë shenjtorë dhe, kur i vrisnin, jepja miratimin tim.
11 Dhe shpesh, duke shkuar nga një sinagogë te tjetra, i kam detyruar të blasfemojnë dhe, me zemërim të madh kundër tyre, i kam përndjekur deri në qytetet e huaja.
12 Në kohën kur unë po merresha me këtë punë dhe po shkoja në Damask me autorizim dhe me fuqi të plota nga krerët e priftërinjve,
13 në mesditë, o mbret, në rrugë unë pashë një dritë nga qielli që shkëlqente më shumë se dielli, e cila vetëtiu rreth meje dhe rreth atyre që udhëtonin me mua.
14 Mbasi të gjithë ne ramë përtokë, dëgjova një zë që po më fliste dhe më tha në gjuhën hebraike: "Saul, Saul, pse më përndjek? Éshtë e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave".
15 Unë thashë: "Kush je ti, Zot?". Ai tha: "Unë jam Jezusi, të cilin ti e përndjek.
16 Por çohu dhe rri në këmbë, sepse prandaj të jam shfaqur: që të të vë shërbyes dhe dëshmues për gjërat që ke parë dhe për ato për të cilat unë do të shfaqem,
17 duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani,
18 që t'u çelësh sytë atyre dhe t'i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve".
19 Prandaj, o mbret Agripa, unë nuk kam qenë i pabindur ndaj vegimit qiellor.
20 Por në fillim atyre në Damask, pastaj në Jeruzalem, në mbarë krahinën e Judesë dhe johebrenjve, u kam shpallur të pendohen dhe të kthehen te Perëndia, duke bërë vepra të denja pendimi.
21 Për këto gjëra Judenjtë, mbasi më kapën në tempull, u orvatën të më vrasin.
22 Por, për shkak të ndihmës që pata nga Perëndia deri në këtë ditë, vazhdova t'u dëshmoj të vegjëlve dhe të mëdhenjve, duke mos thënë tjetër përveç atyre që profetët dhe Moisiu thanë se duhet të ndodhnin,
23 domethënë: që Krishti duhej të vuante dhe që, duke qenë i pari i ringjallur prej së vdekuris, duhej t'i shpallte dritën popullit dhe johebrenjve".
24 Dhe, ndërsa Pali i thoshte këto gjëra në mbrojtje të tij, Festi tha me zë të lartë: "Pal, ti je tërbuar; studimet e shumta të bënë të shkallosh".
25 Por ai tha: "Unë nuk jam tërbuar, shumë i shkëlqyeri Fest, por them fjalë të së vërtetës dhe të mendjes së shëndoshë.
26 Sepse mbreti, të cilit unë po i flas lirisht, është i mirinformuar për këto gjëra, sepse unë jam i bindur se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse e gjithë kjo nuk është bërë në fshehtësi.
27 O mbret Agripa, a u beson profetëve? Unë e di se ti beson".
28 Atëherë Agripa i tha Palit: "Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë".
29 Pali i tha: "Dhëntë Perëndia që në pak ose në shumë kohë jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që sot po më dëgjojnë, të bëhen të tillë, sikurse jam unë, përveç këtyre zinxhirëve".
30 Mbasi tha këto gjëra, mbreti u ngrit dhe me të qeveritari, Berenike dhe ata që ishin ulur me ta.
31 Mbasi u hoqën mënjanë, folën me njëri-tjetrin dhe thanë: "Ky njeri nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen ose burgun".
32 Atëherë Agripa i tha Festit: "Ky njeri mund të ishte liruar, po të mos i ishte apeluar Cezarit".