Dhjata e Re
< VEPRAT E APOSTUJVE >
Kapitulli 25
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28


1 Kur Festi arriti në krahinë, mbas tri ditësh u ngjit nga Cezarea në Jeruzalem.

2 Kryeprifti dhe krerët e Judenjve i paraqitën akuzat kundër Palit dhe i luteshin,

3 duke kërkuar t'u bënte favorin që Palin ta binin në Jeruzalem; kështu ata do ta vrisnin në një pritë rrugës.

4 Por Festi u përgjigj që Pali ruhej në Cezare dhe që ai vetë do të shkonte aty shpejt.

5 "Prandaj njerëzit me influencë midis jush", tha ai, "le të zbresin me mua; dhe, në qoftë se ka ndonjë faj te ky njeri, le ta akuzojnë".

6 Si qëndroi midis tyre jo më shumë se tetë a dhjetë ditë, Festi zbriti në Cezare; të nesërmen zuri vend në gjykatë dhe urdhëroi që të sillnin Palin.

7 Kur erdhi ai, Judenjtë që kishin zbritur nga Jeruzalemi e rrethuan, dhe drejtuan kundër Palit shumë akuza të rënda, të cilat nuk mund t'i vërtetonin.

8 Në mbrojtje të vet Pali thoshte: "Unë nuk kam mëkatuar as kundër ligjit të Judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit".

9 Por Festi, duke dashur t'u bëjë qejfin Judenjve, iu përgjigj Palit e tha: "A dëshiron të ngjitesh në Jeruzalem për t'u gjykuar para meje për këto gjëra?".

10 Atëherë Pali tha: "Unë jam para gjykatës së Cezarit, ku duhet të gjykohem; unë nuk u kam bërë asnjë të padrejtë Judenjve, sikurse ti e di fare mirë.

11 Në qoftë se kam vepruar keq ose kam kryer diçka që meriton vdekjen, nuk refuzoj që të vdes; por nëse s'ka asgjë të vërtetë në gjërat për të cilat këta më akuzojnë, askush nuk mund të më dorëzojë në duart e tyre. Unë i apelohem Cezarit".

12 Atëherë Festi, pasi e bisedoi me këshillin, u përgjigj: "Ti i je apeluar Cezarit; te Cezari do të shkosh".

13 Pas disa ditësh mbreti Agripa dhe Berenike erdhën në Cezare për të përshëndetur Festin.

14 Dhe, mbasi ata ndenjën disa ditë, Festi ia parashtroi çështjen e Palit mbretit, duke thënë: "Feliksi ka lënë të burgosur njëfarë njeriu,

15 kundër të cilit, kur isha në Jeruzalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e Judenjve, kishin paraqitur akuza, duke kërkuar dënimin e tij.

16 Unë u dhashë përgjigje se nuk është zakon i Romakëve të dorëzojnë dikë për vdekje para se i akuzuari të ballafaqohet me paditësit e tij, dhe t'i jetë dhënë mundësia që të mbrohet nga akuza.

17 Prandaj, kur ata u mblodhën këtu, pa e shtyrë punën, u ula të nesërmen në gjykatë dhe urdhërova të ma sjellin këtë njeri.

18 Kur u ngritën paditësit e tij, nuk paraqitën kundër tij asnjë akuzë për gjërat që unë dyshoja.

19 Por kishin vetëm disa pika mospajtimi për fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi, që ka vdekur, dhe për të cilin Pali thoshte se është i gjallë.

20 Dhe duke qenë se unë mbeta ndërdyshas përpara një konflikt i të këtij lloji, e pyeta nëse ai donte të shkonte në Jeruzalem dhe të gjykohej atje lidhur me këto gjëra.

21 Por, mbasi Pali u apelua tek Augusti për të marrë gjykimin e tij, dhashë urdhër që ta ruanin derisa të mundem ta dërgoj te Cezari".

22 Agripa i tha Festit: "Do të doja edhe unë ta dëgjoja këtë njeri". Dhe ai u përgjigj: "Do ta dëgjosh nesër".

23 Kështu të nesërmen Agripa dhe Berenike erdhën me shumë madhështi dhe, mbasi hynë në auditor me tribunët dhe me parinë e qytetit, me urdhër të Festit, e sollën Palin aty.

24 Atëherë Festi tha: "O mbret Agripa, dhe ju të gjithë që jeni të pranishëm këtu me ne, ju po shihni atë kundër të cilit gjithë turma e Judenjve m'u drejtua mua në Jeruzalem dhe këtu, duke thirrur se nuk është më i denjë të jetojë.

25 Por unë, duke parë se s'ka bërë asnjë gjë që të meritojë vdekjen, dhe duke qenë se ai vetë i është apeluar Augustit, vendosa ta dërgoj.

26 Dhe duke qenë se s'kam asgjë konkrete që t'i shkruaj perandorit për të, e solla këtu para jush, dhe kryesisht para teje, o mbret Agripa, që pas kësaj seance të kem diçka për të shkruar.

27 Sepse më duket e paarsyeshme të dërgosh një të burgosur pa treguar akuzat kundër tij".