…një tingull i shtrirë kudo, që vjen nga një
vrimë e zezë mbi kokat e njerëzve, ë cilët e
shohin të frikësuar. Uri e madhe për siguri.
Vetmi e mbështjellë nga paranoja. Më në fund,
Skizofrenia endet lirshëm. Vrima e zezë
qëndron sikur edhe vetë nuk di ç’të bëjë. Dikush
beson se kur tingulli të mos dëgjohet më ajo
do të zhduket. Pëpiqen ta rrethojnë tingullin
me zbrazëtirë dhe ai zhduket dalngadalë në
ajrin e heshtur, por vrima është atje. Kur hesht
është më e frikshme se kurrë. Heshtja
mbivlerësohet. Diku bëhet një marrëveshje
viktimash. Faji i mendimit. Për një çast vihet në
dyshim rrëmuja njerëzore, e justifikuar nga
dhimbja dhe dëshpërimi, por qëllimi është të
gabohet, duke fajësuar mospërputhjet. Vrima e
zezë nuk ngjall më frikë, por neveri. Duket si
një pjesë e tepërt, e flakur në skutat e kujtesës.
Halucinacion i pavarur nga agonia. Vendimi
është larg. Ai do të shpallë shanset e mashtrimit.
Një iluzion i fundit, që përforcon shqetësimin
për kumtet e neveritshme të së ardhmes. Por
të gjitha këto nuk durohen, sidomos qëllimi i
fundit. Dyshim pa fund, i mbyllur përmes
labirintesh nënvlerësimi, piramidë ndjenjash,
fytyrë e askujt…
|
I fundit gabim i madh. Jo më nxitimthi.
Një e nga një, të gjitha, nga të gjitha anët,
me kureshtje të frikshme. Hollësitë nguliten
në tru, ngjiten, mbeten, saldohen. Sytë duan
të kapin vetëm të zi. Kudo që shkelet vetëm
rrëshqitet.
- Mbahesh dot? Ha-ha-ha! Jo? Jam këtu!
Do të të mbyt në të zi!
Çdo gjë rrëshqet nga duart e bie, por nuk
thyhet, asgjë nuk thyhet, vetëm shformohet
e lodron, pastaj rrëshqet e vetëm rrëshqet.
Mbërrin nëpër pellgje, te zhabat. Ato shohin
me inat.
- Tani nuk na bën dot asgjë! Ik!
Zhdukuuu!
Dhe vazhdon rrëshqitja e madhe.
Gabimet ndjekin njëri-tjetrin. Mos! Zhurma
e këmbëve nëpër baltë! Erdhi përsëri! Ku të
fshihem? Asnjë vend i fshehtë. Më mirë në
baltë. Mbuluar me baltë, duart, këmbët,
trupin, flokët. Balta hyn në sy, hundë, veshë,
gojë. Tani shkon poshtë, pushton
stomakun…Ku?
- Nuk iki, jo! Jam këtu! Do të të vras!
(Sa mirë!)
- Jooo! Nuk të vras! Do të të ha të gjallë,
por jo tani, pastaj!
- Krrau-krriu! Kuak-kuak!
- Të kaaapaaaaaa! Po tani, ku do të
shkosh? Të thashë që do të të ha? Ik edhe
një herë! Po të kapa përsëri nuk të lëshoj
më! Ik tani, rrëshqit!
- Ding-dong? Ding-dong!
Ja edhe patrulla, vazhdon saldimi.
|
Kohët e fundit nuk ndihesha mirë. Diçka
më mundonte përbrenda, sidomos gjatë
gjumit. Më dukej sikur lëvizte edhe nëpër
krevat, kur flija. Shikoja ëndrra të çuditshme.
Një natë, ëndërrova atë gjënë me sy e veshë
dhe në mëngjes, sapo u zgjova, volla Tokën.
E njoha menjëherë tek fluturonte drejt vrimës
së zezë në banjë. Pasi u rrotullua disa herë
atje, rryma e ujit e mori me vete. U çlirova
dhe mora frymë thellë, duke çliruar djersë të
ftohta. Mendova se nuk do të më ndodhnin
më gjëra të tilla dhe e hoqa nga mendja, por
s’kaloi shumë dhe filloi të më përzihej
përbrenda. Vrapova drejt banjës me dorën te
goja. Sytë më lotuan dhe dukej sikur zorrët
nuk i kisha brenda barkut. Turbull, pashë dikë
në miniaturë, që më doli nga goja, dhe, duke
u fshehur nëpër të vjellat e mia, u përpoq të
hidhej në vrimën e zezë. U tregova më i
shkathët dhe e kapa në ajër. Filloi të përpëlitej
për të shpëtuar, por e shtrëngova aq fort sa
për pak i mora frymën. Ishte aq i vogël, sa e
mbaja me një dorë. Më vështroi hetueshëm
nga koka te këmbët. Ngrita dorën tjetër për
ta goditur, por ai mbuloi fytyrën me duar:
- Më fal, më fal!- tha me të shpejtë.
- Kush je ti?- e pyeta i xhindosur.
Nuk m’u përgjigj. Ngrita përsëri dorën ta
godisja, por ai belbëzoi pa i hequr duart nga
fytyra: “Mbikqyrës!...” Papritur, filluan të më
binin djersë të ftohta dhe gjithçka të
rrotullohej marramendthi. Vura dorën atje ku
duhej të ishte zemra, por nuk ia dëgjova
rrahjet.
- Po zemrën, ku e kam zemrën?! - e pyeta
i shqetësuar dhe kërcënueshëm njëherësh.
Ai ngriti supet dhe vuri duart në fytyrë,
megjithëse unë s’isha bërë gati ta godisja.
Dukej që gënjente. E pështyta me neveri.
Pickova veten, por nuk ndjeva gjë. Përbrenda
isha i ftohtë akull. Sapo mbikqyrësi hapi gojën
për të thënë diçka e ngjita me grusht pas
murit, si insekt. Ngordhi. Fillova të ecja i
shqetësuar nëpër shtëpi. Kushedi edhe sa
organe të tjera më ishin shkëputur nga trupi
kur kisha vjellë! Duhej të gjeja zemrën me çdo
kusht. Shpresoja të ishte ende nëpër tubat e
ujrave të zeza, se po të kishte përfunduar në
gropën e madhe të qytetit, atje s’mund ta gjeja
dot kurrë. Mbylla sytë, mbajta frymën dhe u
zhyta poshtë në vrimën e vogël të zezë.
Rrëshqita me shpejtësi nëpër tubat e zinj e të
ngushtë. Larg, pashë një dritë të vogël. Ishte
fundi i tubit. Kur u afrova vura re zemrën time
që kishte mbetur atje, duke vazhduar rrahjet
si zakonisht. Zgjata dorën ngadalë, por një
valë e pistë uji e mori me vete dhe zemra ime
përfundoi në gropën e madhe të gjërave më
të ndyra të qytetit. Nxorra kokën jashtë për
ta parë, por ishte zhdukur. U ktheva mbrapsht
dhe dola përsëri në shtëpinë time. Nuk e dija
ç’të bëja, por më duhej zemra, patjetër. Po të
futesha ta kërkoja në atë gropë, edhe sikur ta
gjeja, do të humbja pëgjithmonë, bashkë me
të. Vendosa të duroj edhe pa zemër, do bëj si
do bëj, por, nëqoftëse diçka nuk do të shkojë
mirë, do të hidhem në vrimën e zezë për ta
gjetur. Tani për tani jam mirë.
|
Kur të gjeta, të kishin lidhur te një pemë
e vogël e vetmuar në mes të një lëndine. Mua
nuk më vure re se po gulçoje kokëposhtë dhe
vështroje telat e gjembuar që të shtrëngonin
fort trupin. Ata sapo kishin ikur. Kur ngrite
kokën, buzëqeshe dhe u gëzove si gjithmonë.
Të gjithëve që u binte rruga andej duhej të të
goditnin me shpullë fytyrës, pastaj të
vazhdonin rrugën pa kthyer kokën. Nuk e di
se si më erdhi, por edhe unë të godita, madje
fort. Doja të më vështroje si gjithë të tjerët:
me urrejtje pa fund, duke shtrënguar
dhëmbët. Druaja vetëm mos ulje kokën, por
nuk e bëre. Ftohtë, hodhe sytë nga një
kalimtar i rastit, i cili lexoi njoftimin dhe t’u
afrua. Shpullën e tij e prite gjithashtu ftohtë,
madje pa ia hedhur sytë. Vështrove edhe
njëherë dorën time, e cila kishte mbetur e
hapur, pastaj ngule shikimin në boshllëk, pa
lëvizur, sikur unë të mos ekzistoja.
|
Lëvizte duke rrëshqitur nëpër këmbët e
njerëzve që ecnin rrugës. Në fillim ndjeva
keqardhje. Dukej sikur kërkonte mëshirë me
atë si buzëqeshje të lehtë dhe sy të ftohtë e
paksa të qullur. Sa vinte e lëvizte më shpejt, si
për të m’u fshehur. Mendova ta merrja në
duar për ta përkëdhelur e për t’i thënë ca fjalë
të mira, të cilat e dija që nuk do t’i kuptonte,
megjithatë doja patjetër t’ia thoja. Iu afrova
ngadalë, por filloi të më rrëshqiste nxitimthi
nëpër trup, duke u munduar të ikte. U
përpoqa ta mbaja duke e shtrënguar me thonj.
Fshiva buzëqeshjen nga fytyra dhe e vështrova
me inat. Ndali, m’i nguli sytë e ftohtë pa formë
dhe filloi të më afrohej duke u zmadhuar e
deformuar. Më hipi një dëshirë e çmendur për
ta përypur fort nëpër dhëmbë e ta gëlltisja;
pas disa kohësh do ta kisha tretur dhe
mbeturinat do t’i kisha jashtëqitur. Nuk do t’i
mbetej më as ndonjë lloj shpirti që mund të
kishte. Vazhdonte të më afrohej ngadalë,
ndërsa unë shtanga. I bashkoi sytë me sytë e
mi dhe hapi fort atë që duhej të ishte goja. E
hapi aq shumë, sa filloi të më gëlltiste të
gjithin, ngadalë e me një zhurmë jarguese që
më kalli krupën. Nuk kuptova si u gjenda në
mes të asaj gjëje gri të butë rrëshqitëse që më
përtypte pa zhurmë. Pata ftohtë në mes të atij
lëngu që filloi të më grryente. Për një çast u
duk sikur do të më villte, por jo; vazhdova të
rrëshqisja nga të gjitha anët, pa u kapur dot
diku nëpër ato jargë të pista. Duhej të bëja
patjetër diçka, përndryshe do të tretesha.
Fillova të përpiqesha e të përpëlitesha me
gjithë forcën, duke u munduar të godisja e të
çirrja pisllëkun. Nuk kisha ku të mbahesha
dhe rrëshqisja pa pushim, megjithatë
vazhdova ashtu derisa më shterruan forcat.
|