Pepili/1200 tekste këngësh shqipe të muzikës popullore dhe argëtuese/3
tilla, në këtë përmbledhje janë përfshirë që të dyja versionet. Po ashtu, një numër i caktuar i këngëve popullore me përmbajtje të ndryshme të teksteve kanë të njëjtin emërtim, dhe kjo është shënuar, për t’u dalluar, me numër pas titullit të këngës. Te emërtimi i këngëve, respektivisht titulli i këngëve ka pasur vështirësi të theksuara. Pjesa më e madhe e titujve të këngëve të cilat mund të gjinden të shkruara në ndonjë botim, emërtimin e kanë të saktë. Ndoshta kjo, në raste të rralla e të veçanta, nuk mund të thuhet edhe për emërtimet e këngëve të cilat nuk ka pasur mundësi të gjendën të shkruara. Në këto raste, si emërtim i këngës është marrë vargu i parë i tekstit. Meqenëse te një numër i konsiderueshëm i këngëve popullore përdoren terma nga persishtja e vjetër, turqizma, etj, është bërë përpjekje në fund të tekstit të secilës këngë ku përdoren këto terma, të jepen shpjegime për domethënien e tyre. Përveç kësaj, shpjegimi i fjalëve të përdorura në tekstin e këngëve është dhënë edhe në fund të përmbledhjes. Ndihmesë të rëndësishme në këtë drejtim ka ofruar redaktuesi i tekstit të këngëve, z. Hasan Arllati. Jam i bindur që secili dashamir i muzikës sonë, ngado që të jetë dhe kudo që të jetojë, në këtë përmbledhje do të gjejë diç që do t’i pëlqejë, diç që do ta kënaqë dhe do t’i flejë në shpirt. Vlera e përmbledhjes së teksteve të këngëve shqipe të muzikës popullore dhe argëtuese do të jetë shumë më e madhe kur do të bëhet NOTIZIMI i tyre. Nga autori i përmbledhjes janë bërë përpjekje dhe janë hulumtuar mundësitë e notizimit të këtyre teksteve, por në këtë angazhim kanë dalë vështirësi të ndryshme. Notizimi i teksteve të këngëve është një punë më se e vështirë dhe do të bëhet vetëm nga profesionistë të mirëfilltë të muzikës, të cilët edhe kanë dijeni për këngët sipas këtyre teksteve, përkatësisht të cilët i dinë këngët dhe ky kuadër profesionistësh fatmirësisht Gjakovës e Kosovës nuk i mungon. Duke marrë parasysh vjetërsinë e këngëve, trevat e ndryshme shqiptare prej nga e kanë burimin, etj, nuk mund të pretendohet se mund të bëhet notizimi i të gjitha teksteve të këngëve, anipse për pjesën dërrmuese të tyre kjo është e realizueshme. Vështirësia më e madhe në këtë punë është fakti se notizimi i teksteve të këngëve nga kjo përmbledhje do të rriste koston e botimit për më shumë se katër herë. Mbase kjo punë do të realizohet në rastin tjetër. Me rastin e përcaktimit për botimin e kësaj përmbledhjeje, kam pasur dëshirë që kjo punë në një mënyrë t’i atribuohet Gjakovës. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë ngase Gjakova zen një vend të rëndësishëm në përgjithësi në kulturën shqiptare, në veçanti në lëmin e muzikës, pastaj edhe për faktin se përmbledhja është botuar në Gjakovë, dhe se autori i kësaj Përmbledhjeje është gjakovar. Kjo është edhe arsyeja pse në ballinën e përmbledhjes është vendosur pamja e qytetit të vjetër të Gjakovës.
< 2 |
faqe - 3 - |
4 > |