Në amzën e "Zërit të Amerikës"
Bush: Pavarësia e Kosovës hap historik për rajonin e Ballkanit
Zëri i Amerikës
Uashington
03-03-2008
Komenti me pikpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës:
Shtetet e Bashkuara njohën zyrtarisht Kosovën si një shtet sovran dhe të pavarur. Në deklaratën e pavarësisë, udhëheqësit e Kosovës angazhohen për respektimin e parimeve demokratike, si ato të lirisë, tolerancës dhe drejtësisë për gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike. “Këto parime”, thotë Presidenti Bush, “janë parime që respektojnë dinjitetin njerëzor, janë pikërisht ato vlera të cilat Amerika dëshiron t’i shohë tek një vend mik.”
Në fund të vitit 1988, ish presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviç, filloi një fushatë ushtarake mizore kundër shqiptarëve në Kosovë, që përbënin 90 përqind të banorëve të saj si dhe kundër pakicave të tjera jo-serbe. Të nxitur nga paragjykime fetare dhe për synime ekonomike, forcat e Beogradit u përpoqën ta merrnin Kosovën nën kontroll duke dëbuar në masë shqiptarët nga shtëpitë e tyre ose duke dërguar trupat serbe për t’i vrarë. Komuniteti ndërkombëtar reagoi duke i dënuar ashpër këto krime, duke ndërhyrë me mjete diplomatike dhe më pas duke u përgjigjur ushtarakisht përmes aleancës së NATO-s. Në qershor të vitit 1999, presidenti Millosheviç kapitulloi. Forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO-ja vendosën paqen në Kosovë dhe banorët e dëbuar filluan të kthehen në shtëpitë e tyre.
Këshilli i Sigurimit vendosi më pas që nga Kosova të largohej çdo lloj forme e pranisë së qeverisë së Serbisë dhe e vendosi territorin nën administrimin e OKB-së. Nën drejtimin e OKB-së, Kosova krijoi dhe forcoi institucionet vetë-qeverisëse, zhvilloi disa raunde zgjedhjesh dhe u përgatit për pavarësi. Në vitin 2007, pas një përpjekjeje diplomatike që zgjati 16 muaj, i dërguari i posaçëm i OKB-së Maarti Ahtisari arriti në përfundimin se mbajtja e Kosovës përjetësisht nën administratën e OKB-së, do të pengonte zhvillimin ekonomik dhe politik dhe do të nxiste ekstremizmin. Ai hartoi një plan kompromisi për Kosovën që u mbështet nga Bashkimi Evropian dhe shumë vende të tjera.
Në shkëmbim të njohjes së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara, udhëheqja e Kosovës ra dakorti që vendi i tyre të jetë për një periudhë kohe nën mbikqyrjen ndërkombëtare, të zbatojë një plan që parashikon të drejta të gjera për pakicat si dhe garanci se përparimi i arritur nuk do të kthehet mbrapsht.
Shtetet e Bashskuara shprehin keqardhje që pas vite negociatash intensive, Serbia e kundërshtoi me forcë propozimin e vetëm që ofronte zgjidhje të mundshme për statusin e Kosovës. Megjithatë Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të ripohojnë miqësinë e tyre për Serbinë.
“Pavarësia e Kosovës”, tha Presidenti Bush, “është një hap historik për rajonin e Ballkanit. Ai paraqet një mundësi për të lënë pas konfliktet e së kaluarës dhe për të ecur drejt një të ardhmeje lirie dhe stabiliteti në Ballkan.” //iç//

Vizitoni burimin : www.voanews.com/albanian


< 0
faqe
- 1 -

2 >
VOA English :
US State Department urged all parties to restrain from 'provocative acts' 17 February 2008
Mr. Bush in Tanzania says the future of Kosovo is central to Balkan's security 17 February 2008