KOLONIZIMI I KOSOVËS 1912-1914


Faqe 4
faqe
- 5 -

Faqe 6
Politikën e spastrimit etnik dhe të kolonizimit të trevave shqiptare, Mbretëria Serbe dhe ajo Malazeze e vazhduan edhe pas pushtimit të Vilajetit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Dihet se me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1912/13 këto vise mbetën padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Ato iu nënshtruan spastrimit etnik dhe kolonizimit. Për këto qëllime qarqet politike serbo-malazeze shfrytëzuan përvojën e mëparshme, ushtruan terror e dhunë të pashembullt. Njësitë e ushtrisë, të policisë dhe “Narodna Odbrana” bënin gara kush do të likuidonte më shumë shqiptarë, kush do të rrënonte shtëpitë e tyre, do të plaçkiste ose t’i kthente ata përdhunisht në fenë ortodokse sllave. Dhuna e terrori u kthyen në metoda të preferuara për të frikësuar dhe detyruar shqiptarët të shpërnguleshin ose të zhvendoseshin në vende të tjera. Kjo fushatë u shoqërua me shpërnguljen masive, me grabitjen e pasurive dhe me djegien e fshatrave të tërë shqiptare, si dhe me kolonizimin e ardhacakëve serbo-malazezë.


Qarqet politiko-ushtarake shoveniste serbo-malazeze (1912-1914) nuk u kënaqën që shtetit shqiptar të vitit 1912-1913 ia imponuan dhe ia shkëputën pjesën më të madhe të tokave të veta. Kështu, nga të dhënat kadastrale të administratës osmane shihet se trevat shqiptare që nga Mesjeta e hershme e deri më 1912 kishin një sipërfaqe prej 115.000 kilometra katrorë. Nga ky territor, u krijua shteti shqiptar në hapësirë vetëm në 28.748 kilometra katëror. Madje ato qarqe tentuan që edhe viset e okupuara të Kosovës, të Maqedonisë Veriperëndimore dhe pjesë të tjera të aneksuara nga Mali i Zi, por së bashku me shovenistët grekë tentonin që edhe Kosovën dhe viset tjera t’i shndërrojnë në Toplicë e t’i zbraznin nga popullsia autoktone shqiptare, popullsi kjo që ishte më e vjetër se këto sllave së paku dy milenium vjetësh dhe në vend të tyre të vendosin elementin sllav, kryesisht serb e malazez, siç edhe u veprua.


Këto pushtime u justifikuan në konferencën e ambasadorëve të mbajtur në Londër në vitin 1913, ku jashtë shtetit shqiptarë të shpallur më 28 Nëntor 1912, mbetën pjesa dërrmuese e tokave shqiptare, si Kosova, Kosova Lindore, Maqedonia Perëndimore, pjesë të Malit të Zi, Çamëria etj. Shteti shqiptarë u cungua. Nga 90.270 km² (Vilajeti i Kosovës më 32.900 km², Vilajeti i Shkodrës me 10.270 km², Vilajeti i Manastirit më 28.500 km² dhe Vilajeti i Janinës me 17.900 km²) u përfshinë vetëm 28.500 km² apo 32,24% të tërësisë etnike të tokave shqiptare, tregon qartë për padrejtësinë që i bëhej kombit shqiptarë qysh atëherë. Njëherit, në saje të okupimit të tokave shqiptare, shtetet fqinje rritën territoret e tyre në këto përmasa: Serbia zgjeroi territorin e vet për 82% dhe popullsinë për 55%, Mali i Zi territorin për 62% dhe popullsinë për 100%, Bullgaria territorin për 29% dhe popullsinë për 3%, ndërsa Greqia territorin për 68% dhe numrin e banorëve për 67%. Prandaj, me pushtimin e 67,79% të territorit shqiptar, u bë zgjerimi i territoreve të shteteve orthodokse të Ballkanit dhe zvoglimi katastrofal i territorit të shtetit shqiptar.[1]


Me qëllim të realizimit të kolonizimit të Kosovës dhe të dëbimit të shqiptarëve nga atdheu, menjëherë pas pushtimit të tokave shqiptare, ushtritë pushtuese serbe, malazeze e greke, repartet e xhandërmërisë, si dhe formacionet çetnike, të krijuara e të armatosura nga shteti serb, ndërmorën një fushat të pashembullt terrori e gjenocidi shfarosës, e cila u shoqërua me shpërngulje masive, me grabitjen e pasurisë dhe me djegien e fshatrave të tëra shqiptare, si dhe me kolonizimin me ardhacakë serbo-malazez. Politika e dhunës, që iu imponua shqiptarëve në të ashtuqujturat “viset e reja”, siç u quajtën nga qarqet serbe në atë kohë Kosova dhe trevat e tjera shqiptare të aneksuara, synonte spastrimin etnik dhe shkombëtarizimin e tyre. Terrori antishqiptar u shoqërua me një sërë masash ekonomike-administrative, me ndryshimin e sistemit të taksave, të cilat çuan Kosovën dhe popullin shqiptarë në buzë të greminës.[2] Politika antishqiptare u shoqërua edhe me përpjekjet për ndryshimin e përkatësisë fetare të popullsisë. Jo vetëm mbi shqiptarët e besimit mysliman, por edhe në ata të besimit katolikë, duke u munduar që me dhunë t’ia imponon fenë ortodokse.[3]


Përveç vrasjeve, dëbimit dhe dhunës nga Kosova, ata ndërmorën aksionin e përgjakshëm për t’ua ndërruar fenë shqiptarëve, për t’i kryquar dhe për t’i serbizuar, si shqiptarët myslimanë, ashtu edhe ata katolikë. Këtë masë të konvertimin e ndërmorri pushteti malazez në Rafshin e Dukagjinit, në pjesën që e kishte aneksuar. Përmes diktaturës ushtarake e policore “i tubonin shqiptarët me dhunë, i vënin në rresht me flamur përpara dhe i çonin në kishë” U vranë e u pushkatuan me mijëra vetë. Kjo kryqëzatë e ushqyer me helmin e urrejtjes fetare e kombëtare, shekuj me radhë nga kisha e qeveritë e tyre, korri shumë viktima të pafajshme. Fshatrat shqiptare rrethohen, plaçkiten dhe u vihet flaka. Fshatra të panumërta u rrënuan për tokë, u shndërruan në grumbuj gërmadhash. Oficerët serbë shpallnin se “paqja efektive në Shqipëri mund të arrihet vetëm duke i shfarosur krejtësisht shqiptarët”. Urdhëri suprem i Beogradit ishte i prerë: “Duhet mësuar ai popull i egër për të jetuar në një shtet modern”. Pastaj, në gazetat serbe shkruante: “Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve që të harrohet çfarë bënë serbët ndaj tyre”.[4] Ata kanë thyer dyert e shtëpive dhe kanë masakruar këdo që gjenin brenda, pa pyetur në ishte i ri apo plak, burrë a grua. Një dëshmi tjetër që dëshmon edhe këte. Se në tregun e Prishtinës, më 18 tetor 1912 më një lirë ari të Turqisë mund të bliheshin 82 fesa turq. Më 10 nëntor 1912, po në këtë treg, një fes mund të blihej me 82 lira ari. Ngritja kaq e lartë e çmimit ishte bërë për shkak se ushtria serbe likuidonte të gjithë njerëzit me plisa të bardhë, ndërsa i kursente ata që mbanin fesin turk në krye.


Sipas të dhënave të Komitetit të Kosovës, nëpër burgjet e Serbisë, Malit të Zi e Greqisë, në këtë periudhë, janë mbytur ose kanë pësuar rreth 23 mijë shqiptarë. Shoqata e imamëve myslimanë pohon se në territoret etnike shqiptare, në këtë periudhë, kanë qenë 21 mijë varre dhe kufoma të masakruara nga ana e xhandarmërisë. (Në këto shënime nuk janë përfshirë të vdekurit gjatë luftës tetor-nëntor 1912). Në Kosovë janë shënuar pesë varreza masive. Vetëm në Gazimestan në periudhën janar-maj 1913 janë likuiduar mbi 5000 shqiptarë etnikë.[5]


Pas okupimit të Kosovë nga Serbia dhe Mali i Zi, pas vendosjes së pushtetit ushtarak serb e malazez, nga nëntori i vitit 1912 deri në qershor të vitit 1914, Kosova u shkatërrua më shumë se gjatë gjithë pushtimit pesëshekullor osman. Serbia dhe Mali i Zi gjatë vitit 1913-1914 dogjën e rrafshuan 235 fshatra shqiptare, 133 serbët e 102 malazezët”.[6] Leo Freundlich, shkruan: “Mijëra e mijëra burra, femra, pleq e fëmijë të vrarë e të mbytur me të therrura, fshatra të djegura dhe shtëpi të plaçkitura, gratë dhe vajzat e çnjerëzuara, një vend i shkretëruar, i plaçkitur, i larë me gjak i turpëruar, dëshmon se serbët në Shqipëri nuk hynë si çlirimtarë, por si vrasës të shqiptarëve... Fshatra të panumërta u rrafshuan me tokë, u masakruan njerëz të panumërt në mënyrën më shtazarake. Vendi, ku gjeneratat e zellshme të shqiptarëve të varfër, krijuan atdheun e tyre, u shndërrua në grumbuj gërmadhash. Një popull i tërë u kryqëzua me gjak dhe Evropa hesht....”[7] M. Edit Durham, shkruan më 1913: “Në Shalë, myslimanët ose duhet të pagëzoheshin ose do të mbyteshin. Një njeri nga Peja rrëfente: “Çdo ditë telalli thërret nëpër rrugë: - Qeveria do të pushkatojë sot nja dhjetë vetë! Asnjeri nuk di se cilët janë këta njerëz dhe përse vriten. I shpiejnë përpara një grope që do të jetë varri i tyre. Pastaj 12 ushtarë shtijenë mbi ta derisa bien për dhe. Atyre u hidhet dheu përsipër, pa marrë parasysh se janë gjallë apo të vdekur. Njerëzit hidhen në ujin e akulltë të lumit, e pastaj detyrohen të qëndrojnë pranë prushti të zjarrit deri të kërkojnë mëshirë. Dhe çmimi për të gjithë këtë ishte të kthyerit në fenë e krishterë. Shumë nga këta që ishin pagëzuar në tmerr, vinin tek unë”.[8]

Krahas metodave të gjenocidit, vrasjeve, djegieve, rrënimeve të vendbanimeve etj. shqiptare, filloi edhe procesi i serbizimit të trevave shqiptare të pushtuara dhe të robëruara, përkatësisht kolonizimi i trevave shqiptare me elementin serb e malazez. Çrrënjosja e autoktonëve shqiptarë dhe rrënjosja e ardhacakëve serbë, përbënte një proçes të gërshetuar, të organizuar e të drejtuar nga Beogradi. Proces i shpopullimit të shqiptarëve dhe popullimi me kolonë serbë e malazezë dhe proces i shpronësimit të shqiptarëve dhe pronësimit të kolonëve.


Me qëllim që kolonizimi të arrinte ritme të larta e të ngutshme ashtu si në Jabllanicë, në Leskoc, Pusta Rekë etj., në vitet 1877-78, Mbretëria serbe i hapi rrugën edhe emgiracionit serb jasht vendit, deri edhe jashtë kontinentit. Lidhur me këtë fletorja e Beogradit “Ballkan”, nr. 6, e shkurtit 1914 njoftonte urdhëresën për kolonizimin e “viseve të reja”, sipas së cilës “edhe serbët që banojnë në Amerikë, me origjnë nga Mali i Zi, Bosnja, Serbia e nga Hungaria Jugore do të merrën parasysh. Në fakt mund të përfitojnë edhe serbët me banim në monarki” (Austro-Hungaria, J.O.).[9]


Ky proces gjenocidal ndaj popullatës shqiptare u shoqërua me dëbimin e tyre në Turqi e në Shqipëri. Sipas disa vlerësimeve në periudhën ndërmjet viteve 1912-1914 në Turqi u shpërngulën rreth 500.000 njerëz. Ndërsa, vetëm nga Kosova prej vitit 1913-1915 për të shpëtuar kokën nga gjenocidi shtetëror serbomalazez u detyruan të shpërngulen më se 120.000 shqiptarë.[10] Në anën tjetër një numër prej mijëra kolonëve u vendos në trevat e Kosovës, posaçërisht në tokat e shqiptarëve të ikur nga atdheu për shkak të dhunës e terrorit. Sipas disa shënimeve, organet serbe sollën në Kosovë rreth 20 mijë serbë, shumica e tyre kriminelë. Ata u vunë në funksion të grindjeve dhe të konflikteve ndërnacionale, duke u rekrutuar në xhandarmëri dhe në provokatorë ndaj shqiptarëve. Ndërsa, në atë pjesë të Kosovës, ku okupator ishte Mali i Zi, nëpërmjet “Ligjit special për kolonizim”, në pronat shqiptare në Pejë e në Gjakovë u vendosën rreth 6000 kolonë malazezë.[11] Këto toka pushteti menjëherë ose gjatë kohës së Mbretërisë jugosllave ato i pronësoi në duar të ardhacakëve, kështu duke ndryshuar në masë të madhe gjendje kadastrale të pronarëve faktik të tokave.


Kolonizimi i trevave shqiptare të pushtuara me elementin sllavë, siç u tha kishte filluar menjëherë pas okupimit në vitin 1912, ajo u sanksionua me dekretligje të veçanta, që dolën në të dy mbretëritë në fillim të vitit 1914. Me këto përligjeshin të gjitha padrejtësitë që u ishin bërë deri atëherë shqiptarëve. Këto ligje u hartuan në një mënyrë të tillë që të arrihej efikasiteti sa më i madh në shpronësimin e fshatrave shqiptarëvë dhe që të favorizoheshin e të stimuloheshin kolonët sllavë për të jetuar në viset shqiptare.


Mbretëria serbe, më 17 shkurt 1914, ua ndaloi gjyqeve ta regjistronin tokën perdërisa të shqyrtohej çështja e patundshmërisë si dhe derisa të studiohet çështja e tapive. Me këtë, qeveria dëshironte të injorojë realitetin e dikurshëm osman lidhur me përkatësinë e pronës në rrethanat e reja shoqërore dhe politike. Pronat në Kosovë para okupimit të vitit 1912 ishin më se 90% në duar të popullatës vendase shqiptare, kryesishtë në duar të belgerëve dhe agallarëve. Menjëherë, Serbia që më 20 shkurt 1914, nxori “Dekretligjin mbi kolonizimin e viseve të posaçliruara dhe të bashkuara në Mbretërinë e Serbisë”, i cili më vonë u plotësua. Po ashtu veproi edhe Mali i Zi, i cili kishte nxjerrë “Ligjin mbi kolonizimin e viseve të posaçliruara” prej 27 shkurt 1914. Këto dispozita ligjore, dhe shumë të tjera, që merren më vonë, shërbejnë si mbështetje për nxjerrjen e ligjeve të mëvonshme në Mbretërinë SKS, përkatësisht jugosllave, si p.sh. Dekretligji mbi kolonizimin e viseve të reja jugore i vitit 1920, i cili në vitin 1922 aprovohet si Ligj mbi kolonizimin e viseve të reja, Ligji mbi kolonizimin i vitit 1931 dhe shumë të tjerë. Me ato ligje tërë toka shpallet pronë shtëtërore, sidomos për ata që nuk kanë pasur dokumente të shkruara, edhe pse e punonin atë me vite sepse ato ishin shkatërruar gjatë luftërave ose marrë në forma tjera nga pushteti. Pra, me këto akte juridike legalizohet dhuna ndaj shqiptarëve, të cilëve me anë të vënies në lojë të atyre tapive të pakta që i dispononin iu mohohet e drejta e tyre e pronësisë shumëshekullore mbi tokën.[12]


Me gjithë shpronësimin e popullsisë agrare shqiptare dhe sjelljen e qindra familjeve të kolonëve, qarqet politike serbo-malazeze nuk arritën objektivat e caktuara: ndërrimin e dukshëm të përbërjes etnike të popullsisë në dëm të shumicës dërrmuese shqiptare. Ky qëllim nuk u arritë për shkak të rezistencës së armatosur të popullit shqiptar, ashtu edhe për shkak të kohës së shkurtër të sundimit të këtyre regjimeve, e veçanërisht të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur një numër i kolonëve u kthyen në vatrat e tyre.

Referencat
  1. Dr. Nuri Bashota, Tokat shqiptare në udhëkryqi e tanishëm ballkanik. Shqiptarët në rrjedhat ballkanike, Prishtinë, 1996, fq. 275.
  2. Dr. Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, 1997, fq. 7.
  3. Dr. Mark Krasniqi, Manastiri i Deçanit në traditën e popullsisë shqiptare të rrethinave, Gjurmime albanologjike, 18/1988, Prishtinë, 1989, fq. 97.
  4. Riza Lahu, Golgota shqiptare, Tiranë, 1995, fq. 43-44.
  5. Dr. Hakif Bajrami, Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës (1844-1945), Prishtinë, 1995, fq. 17.
  6. E njëjtë, fq. 28
  7. Leo Freudlich, Vjenë, 1913.
  8. M. Edit Durham, Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, Romë, 1942, fq. 241 (gusht 1913).
  9. Haus und Stads Archiv, Politichen Archiv, 24-38-3869, nga Mitrovica-Vjenës, raport, nr. 6/P, dt. 28.02.1914; Sh. Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare (1844-1990), Gjakovë-Tiranë, 1991, fq. 232.
  10. Dr. H. Bajrami, Konventa jugosllavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve, “Gjurmime albanologjike”, XII/1982.
  11. Dr. H. Bajrami, Politika ........., v. e c., fq. 27.
  12. Dr. Jusuf Osmani, Kolonizimi i Kosovës ndërmjet dy luftërave botërore, “Bujku”, 7.XI 1998.

Faqe 4
faqe
- 5 -

Faqe 6