KOSOVA GJATË SUNDIMIT OSMAN DHE PLANET SERBE PËR SERBIZIMIN E TROJEVE SHQIPTARE


Faqe 3
faqe
- 4 -

Faqe 5
Pushtimi osman i trevave shqiptare, pas vitit 1389, megjithëse solli me vete ndryshime të rëndësishme në planin politik, ekonomik, shoqëror e ideologjik, nuk e ndryshoi në thelb fizionomin e strukturës etno-kulturore të nacionalitetit shqiptar në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Vendosja e sundimit osman në Kosovë, shënoi një ndryshim rrënjësor në zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore të kësaj treve. U asgjësuan strukturat e pushtetit rasianë-serb dhe bashkë me to edhe pushteti ekonomik i feudalëve serbë dhe atij kishtar. Me vendosjen e sundimit osman në Kosovë, u shënuan ndryshime thelbësore edhe në jetën shoqërore. Kështu, gradualisht një pjesë e popullsisë shqiptare braktisi fenë e krishterë dhe përqafoi fenë islame. Një ndër faktorët, që e lehtësoi depërtimin e islamit në masën e popullsisë kosovare ishte prirja e saj për t’u larguar nga autoriteti fetar i kishës serbe. Ashtu si e gjithë popullsia shqiptare e islamizuar, edhe ajo e Kosovës, ndryshoi vetëm fenë, pa prekur qenien e vet etnike shqiptare.[1]


Në gjysmën e dytë shek. XVI një pjesë e konsideruar e popullsisë arbërore-shqiptare islamizohet dhe si rrjedhim, antroponimia e saj shndërrohet në antroponimi të sferës fetare islamike. Prania e popullsisë shqiptare në këtë kohë përbën në vetvete një dëshmi të pakundërshtueshme, që provon se ajo ekzistonte aty edhe në periudhën e sundimit mesjetar rasian-serb, se ishte autoktone dhe vazhduese e popullsisë së dikurshme ilire, se me sukses i kishte bërë ballë procesit të sllavizimit gjatë shekujve XII-XIV. Përveç kësaj, për islamizimin e popullsisë shqiptare vepruan edhe faktorë të tjerë ekonomikë e social-politikë.


Dokumentacioni i periudhës pas pushtimit osman të Kosovës hedh dritë akoma më mirë dhe jep të dhëna më të shumta, që dëshmojnë se ato banoheshin nga popullsia shqiptare, kurse serbët të ardhur si kolonistë dhe si shtresë sunduese gjatë kohës së pushtimit rasiano-serb në këto troje, përbënin një pakicë të parandësishme, por sunduese politikisht.


Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, përkundër shpërnguljes së disa famljeve serbe nga Kosova, në anën tjetër në njëfarë mënyre kishte vazhduar edhe vendosja e disa banorëve serbë si nga vetë Serbia, apo viset malore të Malit të Zi, kryesisht si çifçinj në trevat shqiptare. Kështu pushteti osman, përkatësisht çifligarët, beglerët i sillnin dhe i vendosnin duke u dhënë tokë popullatës sllave në pjesët më pjellore të Kosovës, si p.sh. rreth lumit Sitnica, ku edhe sot ata janë të vendosur në disa vendbanime serbe. Ata këtë e bënin, sepse ajo popullatë ishte shumë e dëgjueshme dhe i shkonte përshtati beglerëve në çdo aspekt. Ndërsa, te popullata shqiptare këtë nuk ka mundur ta arrinte. Ata në forma dhe mënyra të ndryshme përvetësuan pushtetarët osmanë dhe u bënë zotërues të tërthortë apo të drejtpërdrejtë të vendeve dhe të anëve të ndryshme me shumicë absolute shqiptare, por edhe të territoreve, të cilat deri në atë kohë nuk ishin të banuara.


Në bazë të burimeve arkivore historike e të tjera, të cilat fatkeqësisht janë të pakta, por megjithatë dëshmojnë se në trevat e Sanxhakut të Nishit dhe më gjerë që nga antika e deri në shekullin XIX ekzistonte një kontinuitet i popullsisë shqiptare.[2] Këtë e dëshmojnë edhe me faktin, se në një dokument arkivor të datës 30 nëntor 1584, në mes tjerash thuhet: “Krysheci me pesë fshatra dhe me 1500 frymë shqiptarësh...”[3] Mirëpo, sikurse edhe në trevat të tjera, edhe këtu kishte lëvizje të mëdha të popullsisë, e sidomos të asaj shqiptare. Kjo lëvizje ishte pasojë e imigrimit dhe emigrimit të popullsisë, që ka qenë gjithnjë dukuri historike e kushtëzuar prej lloj-lloj shkaqeve, por që ka mbizotëruar shkaku ekonomiko-social dhe shoqëror, por shpeshherë edhe ai politik.[4]


Siç dihet, në vitin 1689, me nxitjen e perandorisë austriake, në Ballan shpërtheu një kryengritje antiosmane e fuqishme. Një ndër krerët e saj ishte arkipeshkopi Pjetër Bogdani, i cili kishte lidhje të drejtpërdrejtë me gjeneral Pikolominin, përçuesin e ndikimit austriak për kryengritje në Ballkan. Pas një rezistence jo aq të gjatë, disa mujore, Austria u tërhoq dhe kryegritja dështoi. Porta e Lartë, si ndëshkim, e shpalli “zonë nën ferman” një pjesë të mirë të Kosovës. Pikërisht për këtë shkak, popullata e shpallur fermanlie, më saktë pjesa kryengritëse e saj, e cila në masë përbëhej prej shqiptarësh, u detyrua të largohej nga trualli i vet për t’iu shmangur diskriminimit. Burimet historike tregojnë se gjatë kësaj tërheqjeje popullsie, që ra në sy të historisë, serbët nuk përbënin shumicë. Edhe serbët u bashkuan me austro-hungarezët për të luftuar kundër Perandorisë Osmane, por, mbasi kryengritja u shtyp, nuk pati shpërngulje masive të tyre. Ajo pjesë kryengritësish serbë që u detyrua të largohej, ndoqi drejtimin e veriut dhe u vendos në Vojvodinë. Shpërngulje për shkak të pjesëmarrjes në kryengritje pati kryesisht nga luftëtarët shqiptarë.


Pikërisht këtij momenti “boshllëku” fiktiv, kur prania shqiptare në strukturën demoetnike të Kosovës pati rënie relative, i referohet më së shumti dija serbe për të provuar se shqiptarët “u dyndën” drejt veriut për të zënë troje të të tjerëve, në fillim të shekullit të 18-të. Ndërsa e vërteta është e thjeshtë: Kur, më 1710, Porta e Lartë e hoqi regjimin “nën ferman”, shqiptarët kryengritës u rikthyen në trojet e mëhershme. Shkenca serbe pikërisht në këtë moment e fillon historinë: shqiptarët e ripopulluan Kosovën në shekujt 17-të dhe të 18-të, sepse Perandoria Osmane e favorizoi dyndjen e tyre si shpërblim për ndërrimin e fesë dhe si ndëshkim për serbët fanatikë. Asaj nuk i intereson kronologjia absolute, mjafton një kronologji relative, që shqiptarët t’i gjejë në mungesë.[5]


Një pjesë e popullsisë shqiptare që ishte vendosur përkohësisht në viset malore të Shqipërisë Qendrore, pas përfundimit të luftës austro-osmane që zgjati gati 20 vite, filloi gradualisht përsëri të kthehet në vendbanimet e tyre të mëparshm në territoret e sotme të Kosovës dhe më gjërë, që atëherë administrativisht kryesisht jetonin në Sanxhakun e Vushtrrisë, Prizrenit etj. Por një pjesë e popullsisë shqiptare e besimit orthodoks si edhe të asaj katolike që kishte qenë e inkuadruar në radhët e ushtrisë austriake, nga frika e ushtrisë osmane u shtërnguan të dynden në Vojvodinë e vende të tjera të asaj ane, e jo popullsia serbe që numërohej në gjishtrinjë e një fakt ajo ishte me prejardhje vllehe e serbizuar në mesjetë, siç ishte serbizuar edhe një pjesë e popullsisë shqiptare të besimit të krishterë.[6]


Përpjekjet e shqiptarëve për çlirim kombëtar nuk pushuan asnjëherë, por përkundrazi ato vazhduan duke gjetur forma të reja të rezistencës, me qëllim që të çlirohen nga sundimi i Perandorisë osmane.

Çlirimi i viseve të Pashallëkut të Beogradit[7] dhe 6 nahijet[8] gjatë viteve 1800 e deri në vitet 1875 ishte e drejtë legjitime serbe. Mirëpo, në anën tjetër, ajo largoi popullatën joserbe nga ato treva. Kështu sipas një shënimi historiografik nga periudha 1800 e deri në vitin 1875 cek se qarqet ushtarake dhe qeveritare serbe i larguan nga viset e lartëpërmendura dhe nga Lugina e Moravës, siç thuhet aty, rreth 150.000 banorë shqiptarë.[9] Regjimet e dinastisë së Obrenoviqëve (1817-1903) vazhduan politikën terroriste shtetërore ndaj shqiptarëve e boshnjakëve e gjatë viteve ‘30 të shekullit XIX, me qëllim të spastrimit etnik. Në frymën e kësaj politike, qeveria e Principatës së Serbisë urdhëroi me 1832 që çdo shqiptari dhe boshnjaku, që kapet në territorin e Serbisë, t’i mëshohen nga 25 të rëna me shkop, ndërsa më 1834 urdhëroi që të përdoret ushtria për t’iu djegur fshatrat.[10]


Politika e Mbretërisë serbe përherë kishte për qëllim dhe synim të përhershëm grabitjen e tokave shqiptare dhe zgjerimin e tyre. Serbia shpresonte që të shfrytëzojë rastin në rrethanat e krijuara, për të gllabëruar në tërësi jo vetëm Kosovën, por edhe tërë Shqipërinë bregdetare, për të dalë në detin e hapur. Që nga viti 1844 ajo kishte përpiluar shumë programe, me të vetmin qëllim për t’i shfarosë shqiptarët si popull - për një moment ose në etapa. Ndërsa, ato vise të vendosen të kolonizohen me elementin sllav. Ata për të shkëputur pjesë nga trojet shqiptare intensifikuan veprimtarinë e tyre diplomatike. Për këtë qëllim monarkia serbe, infensifikoi edhe shtypin, publikimet dhe aktivitetin shkencor, ku synonte t’i vinte një mbështetje gjoja historike shkencore politikës grabitqare pushtuese të borgjezisë serbomadhe ndaj tokave shqiptare në Kosovë e gjetiu. Në këtë politikë ishte dhe është angazhuar edhe shkenca serbe, sidomos për sa i përket trajtimit të së kaluarës historike dhe autoktonisë së popullit shqiptar në viset e Ballkanit, ku jeton sot, para së gjithash në Kosovë dhe në Maqedoni. Kjo “shkencë” nuk ka pasur për bazë normat dhe moralin shkencor, të vërtetën shkencore, por vetëm interesat e politikës së ditës, politikës antishqiptare. Shkencëtarët e tillë përpiqen që me çdo kusht ta mohojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve. Ata kishin vetëm një qëllim të caktuar - mohimin e së kaluarës historike etnike të shqiptarëve, falsifikimin e historisë dhe të autoktonisë së tyre.[11] Për realizimin e kësaj, ata përdorën të gjitha format dhe metodat diplomatike e “shkencore”, duke mos kursyer më vonë edhe metodën e dhunës e të terrorit për spastrimin etnik të Kosovës, shkombëtarizimin e saj dhe kolonizimin me elementin sllav.


Gadi katër dekada më parë, në Vilajetin e Kosovës bënte pjesë edhe Sanxhaku i Nishit me kazatë e saj të Vranjës, të Pirotit, të Leskocit ku prania e shqiptarëve ishte e konsiderueshme. Por Kongresi i Berlinit, Sanxhakun e Nishit ia dha Serbisë, për të kënaqur Rusinë, e cila e kishte fituar luftën kundër Perandorisë Osmane. Së bashku me Sanxhakun e Nishit, Vilajeti i Kosovës përfshinte në gjirin e vet troje etnike shqiptare. Këtë e pohojnë, midis të tjerëve, tre vezhgues të huaj objektivë, të cilët disa dekada përpara Kongresit të Berlinit, i vizituan këto troje. Që te tre këta vëzhgues, njohës të mirë të Gadishullit Ballkanik, studimtari erodit freng Ami Boue më 1810, analisti i mprehtë britanik E. Spenser më 1847 dhe shkencëtari i njohur austriak J. Hahn më 1853, kishin dhënë në mënyrë të përafërt edhe konturet e trojeve ku shqiptarët ishin të pranishëm në kohën e tyre. Sipas tyre, shqiptarët ishin të pranishëm në Veri deri në Nish, Leskofc dhe Vranjë, në Lindje deri në Kumanovë, Perlep dhe Manastir, në Jug deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë, pa qenë nevoja të përsëritet se në periferi të kësaj treve kishte përzirje etnish, ku shqiptarët formonin diku pakicën përball etnive tjera.[12]


Sa i përket pronave të patundëshme, ato ishin kryesisht në pronësi të begëlerve dhe agallarëve shqiptarë dhe ndonjë turq, e rrallë të ndonjë nacionaliteti tjetër. Shumica e banorëve punonin të ta si çipçinjë. Perandoria osmane pronarëve u lëshonte dëshmitë për pronat në formë të tapive të regjistruara në kadastër e cila mbatej me njësinë matëse dulum etj. Nuk kishte ndonjë matje kadastrale nga pushteti i atëhershëm osman. Sipas një dokumenti arkivor i vitit 1874 (1290 H) të proviniencës osmane që ruhet në origjinal në Arkivin e Kosovës, dëshmohet se valiu i Selanikut, Ymer Fejziu në te shkruan: “Nga pushtetarët ushtarakë austriako-hungarezë janë caktuar për fotografimin e disa terreneve të Rumelisë, Kembrug Hambukovic dhe baroni Magdeburg. Këta dy duhet të fillojnë fotografimin topografikë, andaj meritojnë të jenë të respektuar që t’i kryejnë punët e besuara dhe duhet t’iu ndihmohet për banim, t’i sigurohen kuaj për udhëtim dhe për bartjen e mjeteve”.[13]


Shekulli i XIX shënon për shqiptarët e të gjitha trevave një epokë të re, atë të Rilindjes Kombëtare, të lëvizjes për emancipimin e tyre të gjithanshëm ekonomik, politik dhe kulturor, për çlirimin nga sundimi osman dhe për bashkimin në një shtet të vetëm kombëtar. Në këtë periudhë shpërthyen shumë kryengritje të fuqishme në të gjitha viset shqiptare. Ndërsa, në anën tjetër politika hegjemoniste dhe nacional-shoveniste e pushtetit serb, ndër qëllimet kryesore ka pasur shkombëtarizimin dhe sllavizimin e tokave shqiptare që kur janë dyndur në Gadishullin Ballkanik e deri në ditët e sotme. Ajo ka ndjekur gjithmonë një linjë të pandryshueshme, atë të spastrimit etnik të tokave shqiptare nga banorët e saj të lashtë iliro-shqiptarë, duke përdorur të gjitha mjetet mizore si vrasjet, terrorin, shpërnguljen e një numri sa më të madh shqiptarësh nga atdheu i vet dhe shkombëtarizimin e atyre që mbeteshin deri në asimilimin e plotë, si dhe në anën tjetër kolonizimin e atyre trojeve me elementin serb. Gjatë gjithë historisë, pushteti serb bëri çmos për t’i serbizuar viset etnike shqiptare.


Programi i politikës së jashtme të Serbisë për pushtimin dhe kolonizimin e viseve shqiptare u përpunua në “Naçertanie” (1844) të Ilia Garashaninit - politikan dhe më vonë kryeministër i Qeverisë së Mbretërisë së Serbisë. Përmbajtja e “Naçertanies” mbështetet në krijimin e të ashtuquajturës Serbi Jugore me të cilën nënkuptohej Kosova e Maqedonia me tokat shqiptare të saj, por edhe Shqipëria Veriore, për të krijuar kështu të ashtuqujturën “Perandori të car Dushanit”. “Naçertania” rrezatoi në shtetin serb, në organet dhe në institucionet e tij, sikurse edhe në aktivitetet e pushtetarëve të tij prej vitit të përpilimit të saj e deri në ditët tona. Në objektivat e “Naçertanies” kanë gjetur mbështetje sidomos politika e gjenocidit të pushtetit serb ndaj shqiptarëve. Format kryesore të politikës gjenocidale të pushtetit serb ishin dhe ngelën dëbimi dhe deportimi i shqiptarëve nga trojet e veta dhe kolonizimi i këtyre trojeve me popullsi sllave.


Pushteti serb më 1856, me Marrëveshjen e Paqës së Parisit kishte fituar njëfarë të drejte që t’i largojë të gjithë shqiptarët nga qytetet e Shumadisë, si dhe nga Hercegovina. Duhet theksuar se shqiptarët deri kah fundi i shekullit XIX qenë të vendosur në shumicën e qyteteve dhe qytezave, fshatrave të Sanxhakut të Nishit e më gjërë. Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare ishin përqëndruar në qarkun e Toplicës (Rrethi i Prokuplës, Dobriqit, Kosanicës dhe pjesë të Jabllanicës e të Pustarekës me Kurshumli), Qarkun e Vranjës (pjesë të Rrethit të Pustarekës dhe Jabllanicës, rrethi i Leskocit, Polanica, Gërdelica, Masurica, Pqinja, Inogoshtë etj.), si edhe në Qarkun e Nishit, e ndoshta disa edhe në atë të Pirotit. Banorë shqiptarë kishte edhe në vende tjera, e sidomos në qytete, si psh. në Qupri, Paraqin, Uzhicë, Krushec, Aleksinc, Karanovc (Kralevë) e deri te Beogradi. [14]

Disa vendbanime, përbëheshin vetëm prej popullatës shqiptare, kurse te disa të tjera, ajo ishte e përzier me popullatën serbe (diç pak me atë çerkeze, etj.).


Rrjedha e historisë së Kosovës shqiptare, ndryshoi me përmasa të tjera, pas Kongresit të Berlinit më 1878 me shkëputjen e Sanxhakut të Nishit nga trugu i Vilajetit të Kosovës. Nga ai Vilajet gjatë dimrit të vitit 1877/78 u bë spastrimi etnik i shqiptarëve me masat më radikale gjatë marshimit të ushtrive serbe në këtë Sanxhak. U bë pastrimi i më se 700 vendbanimeve shqiptare dhe të përzira me popullatë tjera serbe, çerkeze etj. me më se 200.000 të dëbuar dhe vendosja e tyre kryesisht në trevat e sotme të Kosovës por edhe shpërngulja e tyre në masë të madhe në trevat e sotme të Turqisë.[15] Po ashtu gjatë viteve 1877/78 ushtria serbe kishte dëbuar nga shtëpitë e veta stërgjyshore 350.000 shqiptarë të Saxhakut të Nishit, Pirotit, Jeni Pazarit, Plavës, Gucisë, Hotit e Grudës si dhe nga një pjesë e Kosovës Veriore deri te periferia e Prishtinës.


Ushtarakët serbë për të realizuar qëllimin e dëbimit dhe të kolonizimit kishin përdorur mjetet më brutale të likuidimit fizik të shqiptarëve, duke mos i kursyer as fëmijët, gratë e pleqtë. Mbi 35.000 shqiptarë të moshave të ndryshme gjetën vdekjen nga zjarri i armëve, i bajonetave, nga djegiet për së gjalli, nga ngrirjet në dëborë e akulli. Pati edhe shumë nëna të ngrira me foshnje në gji. Pastaj ata plaçkitën, dogjën e shkatërruan shumë fshatra shqiptare. Djegiet e shkatërrimet e shtëpive të shqiptarëve qenë të pallogaritshme, gati të gjitha fshatrat shqiptare u bënë shkrum e hi në kulm të dimrit të ashpër. Vetëm në njërën nga lagjet e qytetit të Nishit qenë bërë shkrum e hi 300 shtëpi shqiptare. Grabitjet e pasurive ishin masive, duke nisur që nga stolitë dhe deri te mobiljet, shtrojë-mbulojë, veshjet, paratë, drithërat, bulmetrat, bagëtitë etj.[16]


Dëbimi i shqiptarëve me dhunë nga Sanxhaku i Nishit u bë gjatë dimrit të vitit 1878/78, në kushte shumë të vështira. Popullata e dëbuar gjatë rrugës kishte pësuar mjaft. Shumë fëmijë, pleq e të tjerë kishin vdekur nëpër dëborën e madhe, ndërsa bagëtia kishte ngordhur. Këtë e dëshmojnë shumë dokumente të kohës. Shfarosja e shqiptarëve bëhej në mënyrat dhe me metodat më mizore dhe më barbare, për çka dëshmojnë edhe vetë serbët. “Disa familje shqiptare iknin dhe tërhiqeshin në luginën e lumit të Moravës Jugore, nëpër të ftohtit e madh, pranë rrugës, nëpër grykën e Gërdelicës deri te Vranja dhe Kumanova, shiheshin fëmijët të hedhur dhe të vdekur dhe pleq të ngrirë. Tërheqja ka qenë tragjike, kuajt dhe qetë tërhiqnin ngadalë qerret nëpër borë, sepse qerre kishte pak. Disa fëmijë të hedhur, të humbur apo gjysmë të vdekur nga lodhja dhe uria kanë qenë të enjtur dhe të fryrë si daullja, disa i linte shpirti atëherë kur tanët i ushqenin, ose pas ngrënies”.[17] Mbreti serb Millan Obrenoviq, për të arritur këtë qëllim, ushtarëve të vet serbë u kishte shpërndarë proklamata, në të cilën thuhej: “... sa më pak shqiptarë që të mbetën në territoret e çliruara nga Turqia, aq më shumë do të kontriboni për shtetin. Sa më shumë shqiptarë të shpërngulur, aq më të mëdha meritat për atdhe.”[18] Shkrimtari serb Jovan Haxhivasileviq, shpjegon qëllimet e qeverisë serbe për pushtimin e territoreve në jug. Ai shkruan se dëbimi i shqiptarëve u bë me qëllim “që Serbia të bëhej shtet i pastër nacional” dhe të krijohet mundësia “që aksioni serb në të ardhmen të drejtohej kah pjesët e Kosovës”... “Me ndjekjen e arnautëve, disa fshatra në ato anë mbetën plotësisht të shkreta. Disa fshatrave nuk u diheshin emrat, sepse nuk kishte kush t’i tregonte, prandaj ato fshatra të shkreta të Sanxhakut të Nishit - Prokuple, Leskofc, Vranje duhet të popullëzoheshin”.[19] Popullata e dëbuar shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, kryesisht u vendos në territorin e Kosovës së sotme, disa u vendosën në territorin e Maqedonisë, e shumë prej tyre të mjerë përfunduan jashtë Kosovës, tej Bosforit, në shkretirat e Anadollit e më gjerë.


Sipas statistikave turke okupatori serb në sanxhaqet e Nishit dhe të Pirotit do t’i përvetësoj për koloët sllavë 48.000 shtëpi të shqiptarëve, 42.000 shtalla bagëtish, 18.000 hambarë drithërash, 48.000 maxhe buke. Nga çdo shtëpi serbët kishn rrëmbyer nga Nishi deri te Prishtina prej 20 e deri në 4000 dele, 3 deri 50 lopë, 40.000 kuaj, 50.000 qerre dhe mjete të tjera shtëpiake të shqiptarëve.


Duke u mbështetur në Ligjin mbi kolonizimin e të huajve, nga 2 marsi 1865, pushteti serb të gjitha pronat e shqiptarëve do t’i kolonizojë me banorë serbë e malazezë, keryesisht nga viset e Malit të Zi dhe nga pjesë e paokupuar e Kosovës. Pushteti serb me 3 janar 1880 nxjerr Ligjin për viset e reja të kolonizuara. Me këtë ligj regjimi serb e përligji plaçkitjen e cila është bërë në popullatën shqiptare të Sanxhakut të Nishit. Pronat shqiptare pa kurrfarë kompenzimi u morrën nga pushteti serb. Në to u vendosën shumë familje nga viset e ndryshme të Serbisë dhe një numër vogël edhe nga treva e sotme e Kosovës. Më 1879 ishte themeluar komisioni për kolonizim. Secili sllav kishte të drejtë të shkruaj lutje për të marrë tokë të braktisur në të ashtuquajturin “Arnautllëk”. Lidhur me këtë Franc Kanic, thekson se 7500 persona në valën e parë janë lajmëruar për kolonizim në Toplicë deri të Molla e Kuqe afër Nishit.[20] Kolonizimi i këtyre trevave shqiptare ishte bërë kryesisht nga malazeztë nga Mali i Zi dhe nga disa banorë serbë të ikur në këtë kohë nga Kosova. Sipas urdhëresës së qeverisë serbe nga Kosova në Sanxhakun e Nishit gjatë vitit 1979 janë vendosur rreth 5600 serb.[21] Kolonizimi vazhdoi edhe në vitet e mëtutejshme. Në fushatën serbe për kolonizimin e Toplicës 1880-1899, pronat e shqiptarëve do t’i përfitojnë 5600 serbë nga Kosova dhe 9200 malazezë nga Mali i Zi.[22]


Në valën e kryengritjeve të përgjithshme shqiptare (1908-1912), qeveria e Serbisë e ka shpallur Programin e ri serbomadh me titull: ”Direktiva për punë me shqiptarët” (Direktiva za rad sa Arnautima), duke dëshiruar që të shkatërrojë tërë një popull. Në atë program në mes tjerash dedikuar opinionit evropian me titull “Arnauti i velike sile”, të autorit Vlladan Gjorgjeviqit. Ai pamflet prej 188 faqesh, pushteti serb që të arrijë lejën për likudimin e shqiptarëve, të publikuar në disa gjuhë, që më atë të “dëshmon” se “shqiptarët nuk e kanë gjuhën, nuk i kanë librate veta (letërsinë), nuk e kanë historinë e vetë, me ate sipas orientimeve (programeve) serbomadhe nuk kanë të drejtë në jetë, nuk kanë të drejtë të ekzistojnë, nuk kanë të drejtë të formojnë kurrfarë shteti”. Jo vetëm kjo, ministri i punëve të jashtme të Mbretërisë së Serbisë qartatas do të kërkojë në Vjenë që shqiptarët “të likuidohen sikurse janë likuiduar popujtë e Afrikës Veriore”.[23]


Sukseset e mëdha që dolën nga kryengritjet shqiptare në fillim të shek. XX i shqetësuan pa masë shtetet ballkanike Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë. Prandaj ata në mars-maj 1912 lidhën Aleancën Ballkanike me qëllim të pushtimit të trojeve shqiptare dhe qëllime të tjera. Nikolla Pashiqi kishte hartuar projektin në vitin 1912 –Çka don Serbia?.. “Serbia don që të zbatohen ato urdhëra nga Kongresi i Berlinit, të cilat po presin që të realizohen që 34 vjet. Serbia don të punojë në frymë e Evropës. Ajo don që të realizohet dëshira dhe qëllimi i Fuqive evropiane. Ajo don që edhe gjakun ta derdhë vetëm që të realizohet ëndëra e vëllezërve të saj. Ajo don që në rrezik dhe në harxhime e saj të realizohen vendimet e Fuqive evropiane..”[24] Trupat serbe shfrytëzuan dobësimin e forcave osmane nga kryengritjet e shumta shqiptare, dhe duke lidhur aleancën me shtetet ballkanike, ato hynë në Kosovë.


Më vonë, përkitazi me këtë pushteti serbë përherë përgatitej për pushtim të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare. Në vitin 1911 e kishte urdhëruar konsullatën e vet në Prishtinë dhe doganat në Rashkë dhe në Javor që të bënin regjistrimin e popullatës serbe, aty këtu edhe të ndonjë vendbanimi shqiptar. Në regjistrimin e popullsisë në terren ishin angazhuar mësuesit dhe priftërinjt. Aksioni i regjistrimit ishte kryer në 230 fshatra. Përveç tjerash, këto shënime për numrin e banorëve serbë dhe të tjerë, shërbente në shfrytëzimin e tyre në luftën e ardhshme.[25]

Referencat
  1. Kosova në vështrim enciklopedik, Tiranë, 1999, fq. 81.
  2. Jovan Trifunovski, Vranjska Kotlina I, Skopje, 1969, fq. 34; Dr. Sabit Uka, Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878, libri I. Prishtinë, 1994, fq. 220-21; Dr. M.Gj. Miliçeviq, në librin “Kralevina Srbije”, Beograd, 1987, fq. 334, cek se banorët e fshatit Ivan Kullë ishin shqiptarë dhe aty ishin që nga Beteja e Kosovës 1389; Në veprën e Adem Hanxhiqit, Oblast Brankovica, Opsirni katastarski popis iz 1455 godine, Sarajevo, 1972, fq. 229, në mes tjerash përmendet edhe fshati Arbanashka etj.
  3. Dokumente të shekullit XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, I. Tiranë, 1989, fq. 373.
  4. Dr. S. Uka, Dëbimi i shqiptarëve ..........., v. e c., fq. 23.
  5. Shaban Sinani, Statusi i Kosovës: Burimi i krizave dhe baza e kompromiseve, Arkivi shqiptarë, 1-2/2000, Tiranë, fq. 70.
  6. Po aty, fq. 88-89.
  7. R. Djordjevic, Srbija pre 100 godina, Beograd, 1946, 1-36; Dr. Sabit Uka, Planet antishqiptare të shteteve fqinje në shekullin XIX, Shqiptarët në rrjedhat ballkanike, Prishtinë, 1996, fq. 162.
  8. Dr. Vladimir Stojançeviq, Iz istorije Leskovackog kraja u drugoj polovine XIX veka, “Leskovacki Zbornik”, IV, 1966, fq. 89-93; Dr. S. Uka, Planet........., p. i c., fq. 162.
  9. Shaban Braha, Idriz Seferi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Tiranë, 1982, fq. 23.
  10. Mr. Fatmir Fehmiu, Gjenocidi i regjimeve serbe në hapësirat Shqiptare. Referat në tribunën shkencore të AMVL “Dardania”, p. i c.; “Bot Sot”, 22.06.2000.
  11. Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV-XVI, Tiranë, 1984, fq. 4.
  12. Prof. dr. Kristo Frashëri, Kosova historike dhe Kosova e sotme, Konfrenenca e Bujanit, ASH e RSH dhe IH në Tiranë, Sesion Shkencor kushtuar 55 vjetorit të Konferencës së Bujanit, mbajtur në Tiranë, më 20 janar 1999.
  13. Ismail Rexhepi, Dokumentet osmane në Arkivin e Kosovës, Vëllimi I, Prishtinë, 2004, fq. 11.
  14. Dr. Sabit Uka, Dëbimi ............, v. e c., fq. 24-25.
  15. Për dëbimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/78, me gjërësisht shih: Dr. Sabit Uka, Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, 1877/78, Preishtinë, I, 1994; Dr. Sabit Uka, Vendosja dhe pozita e shqiptarëve muhaxhirë në Kosovë 1878-1912, Pjesa e Parë II, Prishtinë, 1994.
  16. Shaban Braha, Vështrim mbi gjenocidin serb në Kosovë, botim nga Seksioni shkencor i Institutit shqiptar i mendimit dhe qytetërimit islam, Tiranë, 29 qershor 1999, fq. 38.
  17. Stefan L. Popoviq, Putovanje po Novoj Srbiji, Beograd, 1950, fq. 345.
  18. Dr. Jovan Haxhivasiljeviq, Albanska kongra, Beograd, 1909, fq. 14-15; Dr. S. Uka, Vendosja dhe pozita e shqiptarëve në Kosovë 1878-1912, lib. II, Prishtinë, 1994, fq. 45.
  19. E njëjtë.
  20. Prof. dr. Hakif Bajrami, Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912, 1, Prishtinë, 2003, fq. 11.
  21. B. Cani - C. Milivojeci, KOSMET ili KOSOVA, Referati i dr. H. Bajramit, p. i c., fq. 163.
  22. Prof. dr. Hakif Bajrami, Naçertanija, program politik serb që shpie në shfarosjen e shqiptarëve 1844-1999, Prishtinë, 2004, fq. 306.
  23. AVII, P.2, K.13-1/2, pov 1141/13 – Izoliranje Albaskih prvaka u Kaljemegad 1913. Shih: Vladan Djordjevic, “Arnauti i Velike sile”, Beograd, 1913, fq. 1-188. është një prej programeve më të turpshme të politikës serbomadhe për shkatërrimin e shqiptae nëpërmjet të forces.
  24. Arhiv Srbije, Fond: Hartije Nikolla Pasica; Dr. Hakif Bajrami, Si e okupoi Serbia Kosovën .., fq. 32.
  25. Djordje Mikic, Drustvene i ekonomske prilike kosovskih srba u XIX i pocetkom XX vek, Beograd, 1989; Dokumentet: Arhiv Srbije, Ministarstvo Inostranih Dela, PPO, raporte të ndryshme nga konsullata e Prishtinës, mësuesit, priftërinjt etj.

Faqe 3
faqe
- 4 -

Faqe 5