Dispozita kalimtare


Faqe 12
faqe
- 13 -

Ballina
KREU 2 - DISPOZITA KALIMTARE


Neni 227 - Udhezime qeveritare, ekzekutimi dhe zbatimi

1. Në të gjitha rastet, kur sipas normave të këtij Kodi Këshilli i Ministrave dhe ministrat kompetentë autorizojnë shpalljen e normave rregulluese për ekzekutimin ose zbatimin në kufijtë e kompetencave të tyre, dispozitat përkatëse shpallen brenda 9 muajsh pas miratimit të këtij Kodi, përveçse kur ky përcakton afate të tjera.

2. Udhëzimet e përmendura në pikën 1 hyjnë në fuqi pas 3 muajsh nga shpallja e tyre.

3. Deri në skadimin e afatit të zbatimit mbeten në fuqi dispozitat e Kodit ekzistues, përveçse kur përcaktohet ndryshe në nenet nga 228 deri në 234.


Neni 228 - Norma kalimtare ne lidhje me kapitullin 1

1. Rregullimi i parkimeve sipas normave të nenit 7 duhet të kryhet brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Kodi. Deri në këtë datë zbatohen dispozitat ekzistuese.

2. Dispozitat e përmendura në nenin 9 zbatohen në garat sportive në rrugë që do të zhvillohen 6 muaj pas miratimit të këtij Kodi. Deri në këtë datë zbatohen dispozitat ekzistuese.


Neni 229 - Norma kalimtare ne lidhje me kapitullin 2

1. Për përshtatjen e mjeteve reklamuese me normat e nenit 23, është vendosur 6 muaj afat, që fillon nga hyrja në fuqi e këtij Kodi. Deri në këtë datë janë të lejuara mjetet reklamuese ekzistente.

2. Normat që lidhen me lëshimin e autorizimeve dhe koncesioneve të parashikuara nga kapitulli 2 dhe me formalitetet përkatëse sipas neneve 26 dhe 27, zbatohen pas 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Kodi. Punimet dhe përcaktimet teknike të vendosura në autorizimet dhe koncesionet e lëshuara përpara këtij afati duhet të fillojnë brenda 3 muajsh dhe të përfundojnë Brenda 1 viti nga data e autorizimit ose koncesionit, përveçse kur vendosen afate të ndryshme të përcaktuara në autorizimet dhe koncesionet përkatëse.

3. Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, duhet të jenë përshtatur planet e përmendura në nenin 36, pika 1 dhe 2.

4. Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, i gjithë sinjalizimi rrugor duhet të jetë përshtatur me normat e këtij Kodi dhe të akteve në zbatim. Deri në këtë datë lejohet sinjalizimi ekzistues.


Neni 230 - Norma kalimtare ne lidhje me kapitulllin 3

1. Dispozitat që përmbajnë klasifikimet e reja të mjeteve dhe përcaktimet e karakteristikave të tyre sipas kreut 1 të kapitullit 3, zbatohen 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij Kodi.

2. Nga data e treguar në pikën 1, duhet të zbatohen dispozitat e kreut 2 të kapitullit 3, në lidhje me mjetet e tërhequra me kafshë, slitat dhe biçikletat.

3. Dispozitat e pjesës I të kreut 3, të kapitullit 3 (norma konstruktive dhe të pajisjes e verifikimeve teknike për qarkullimin), zbatohen për mjetet, konstruktimi i të cilave fillon 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij Kodi. Për mjetet qarkulluese dhe për ato që janë duke u prodhuar në afatin e treguar dhe që futen në qarkullim brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, qarkullimi është i lejuar me karakteristikat konstruktive dhe me sistemet me të cilat pajisen, të përcaktuara për to nga normat ekzistuese.

4. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit mundet, me udhëzime të tij, të vendosë që kërkesa të caktuara ose karakteristika teknike ose funksionale të zbatohen menjëherë ose në afate më të shkurtra, në lidhje edhe me ndikimin që kanë këto kërkesa ose karakteristika në sigurinë rrugore.

5. Dispozitat e pjesës II të kreut 3 të kapitullit 3 (destinacioni dhe përdorimi i mjeteve), zbatohen duke filluar 6 muaj pas miratimit të këtij Kodi. Deri në këtë datë destinacioni dhe përdorimi i kategorive të ndryshme të mjeteve rregullohen nga normat ekzistuese.

6. Normat e këtij Kodi që lidhen me lejeqarkullimet, me karakteristikat dhe me lëshimin e tyre, me formalitetet për transferimin e pronësisë së automjeteve dhe për lëshimin e lejeqarkullimit të përkohshëm, sipas neneve 93, 94 dhe 95, si dhe me të gjitha plotësimet në vazhdim sipas neneve 95, 96, 97, 98 dhe 102, zbatohen 6 muaj pas miratimit të këtij Kodi. Procedurat që janë në proces, për lëshimin dhe për shënimet pasardhëse, sipas normave ekzistuese, vazhdojnë dhe lejeqarkullimi i lëshuar sipas tyre ruan vlefshmëri të plotë. Në të njëjtën mënyrë ruajnë vlefshmëri të plotë lejeqarkullimet ekzistuese, deri në shënimin e parë që bëhet pas datës së sipërpërmendur; në këtë moment lejeqarkullimi i duhet të përshtatet me normat e këtij Kodi.

7. Dispozitat për targat sipas neneve 99, 100 dhe 101 zbatohen duke filluar 6 muaj pas miratimit të këtij Kodi. Deri në këtë datë targat, lëshimi dhe disiplinimi i tyre rregullohen nga normat ekzistuese.

8. Për makinat bujqësore dhe për makinat teknologjike të treguara në kreun 4 të kapitullit 3 (qarkullimi në rrugë i makinave bujqësore dhe makinave teknologjike), si për karakteristikat e tyre, ashtu edhe për konstruksionin dhe homologimin e tyre, lejeqarkullimin, kontrollin dhe targaturën, zbatohen dispozitat përkatëse të këtij Kodi.


Neni 231 - Norma kalimtare ne lidhje me kapitullin 4

1. Dispozitat e këtij Kodi mbi lejedrejtimet, zbatohen për lejedrejtimet e reja për çfarëdo tip mjeti, që lëshohen pas mbarimit të 6 muajve nga miratimi i këtij Kodi. Procedurat që ndiqen deri në atë moment ruhen dhe lejedrejtimet e lëshuara sipas normave ekzistuese ruajnë vlefshmërinë e tyre. Në të njëjtën mënyrë ruajnë vlefshmërinë edhe lejedrejtimet e lëshuara përpara datës së mësipërme. Kjo vlefshmëri zgjat deri në verifikimin e parë të vlefshmërisë ose kontrollin e parë që kryhet, sipas normave të neneve 124 ose 126, pas mbarimit të afatit të treguar më sipër; në një rast të tillë bëhet përshtatja e lejedrejtimit sipas normave të reja.

2. Autoshkollat ekzistuese duhet të përshtaten sipas normave të këtij Kodi brenda 6 muajsh nga miratimi i Kodit. Deri në një datë të tillë autoshkollat rregullohen nga dispozitat ekzistuese.


Neni 232 - Norma kalimtare ne lidhje me kapitullin 5

1. Përdoruesit e rrugës janë të detyruar të zbatojnë sjelljet e vendosura nga ky Kod që nga data e hyrjes së tij në fuqi.

2. Për shkeljet e kryera përpara datës së treguar në pikën 1 vazhdojnë të zbatohen masat kryesore dhe ndihmëse, si dhe dispozitat që përmbajnë procedurat e verifikimit dhe zbatimit, përkatësisht të parashikuara nga dispozitat ekzistuese.


Neni 233 - Norma kalimtare ne lidhje me kapitullin 6

1. Dispozitat e kapitullit 6 zbatohen me hyrjen në fuqi të këtij Kodi.

2. Masat administrative plotësuese për verifikimin e veprave penale të parashikuara nga ky kod zbatohen për veprat penale që kryhen pas hyrjes së tij në fuqi.


Neni 234 - Norma kalimtare ne lidhje me kapitullin 7

1. Arkivat dhe regjistrat kombëtarë të parashikuar nga nenet 220 dhe 221, ngrihen duke filluar pas 6 muajsh nga data e hyrjes në fuqi e këtij Kodi. Nga kjo datë do të fillojë dërgimi i të dhënave të nevojshme nga entet dhe administratat e interesuara. Impianti i arkivave dhe regjistrave duhet të plotësohet në vitin pasardhës.

2. Shërbimi dhe sistemi monitor i kontrollit i treguar në nenin 222 vendosen duke filluar pas 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Kodi.


Neni 235 - Hyrja ne fuqi e normave te ketij kodi

Normat e këtij Kodi hyjnë në fuqi 1 vit pas miratimit të tij.


Faqe 12
faqe
- 13 -

Ballina