PERSONAT JURIDIKË
(nenet: 24 - 63)


Faqe 1
faqe
- 2 -

Faqe 3
A. Dispozita të përgjithshme
Përmbajtja e personit juridik

Neni 24 - Personat juridikë janë publikë dhe privatë.

Neni 25 - Persona juridikë publikë janë institucionet e ndërmarrjet shtetërore, që financohen vetë ose nga buxheti i shtetit, si dhe entet e tjera publike të njohura nga ligji si person juridik. Institucionet dhe entet shtetërore, që nuk ndjekin qëllime ekonomike, nuk regjistrohen.

Neni 26 - Persona juridikë privatë janë shoqëritë, shoqatat, fondacionet dhe entet e tjera me karakter privat, të cilat e fitojnë personalitetin juridik në mënyrën e caktuar nga ligji.


Emri i personit juridik

Neni 27 - Personi juridik ka emrin e tij të plotë dhe të shkurtuar. Emri i çdo shoqërie ose organizate tjetër që zhvillon veprimtari ekonomike është firma e saj, e cila duhet të shprehë sidomos qëllimin e kësaj veprimtarie.


Qendra e personit juridik

Neni 28 - Personi juridik ka qendrën atje ku ndodhet organi drejtues i tij, përveç kur në statut ose në aktin e krijimit është parashikuar ndryshe.


Zotësia e personit juridik

Neni 29 - Personi juridik ka zotësi të fitojë të drejta dhe të marrë përsipër detyrime civile që nga çasti i krijimit të tij dhe, kur ligji parashikon se duhet të regjistrohet, që nga çasti i regjistrimit.

Neni 30 - Personi juridik mund të kryejë çdo veprim juridik të lejuar nëligj, në aktin e krijimit ose në statut.

Neni 31 - Personi juridik vepron me anë të organeve të veta të parashikuara në ligj, në aktin e krijimit ose në statut, të cilët shprehin vullnetin e tij. Veprimet juridike të kryera nga organet e personit juridik, brenda kompetencave të tyre, quhen si të kryera nga vetë personi juridik.


Përgjegjësia e personit juridik

Neni 32 - Personi juridik është përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga organet e tij gjatë përmbushjes së detyrave të tyre. Personi juridik përgjigjet për detyrimet e tij brenda kufijve të pasurisë së tij. Personat që kanë vepruar me cilësinë e organit të personit juridik, kanë përgjegjësi vetjake për shpërblimin e dëmeve që janë shkaktuar për fajin e tyre.

Neni 33 - Shteti dhe personat juridikë shtetërorë nuk përgjigjen për detyrimet e njëri-tjetrit, përveç kur kjo është pranuar prej tyre ose është parashikuar shprehimisht në ligj.


Mbarimi i personit juridik

Neni 34 - Personi juridik mbaron sipas mënyrës së caktuar në aktin ekrijimit, në statut ose në ligj.

Neni 35 - Me mbarimin, personi juridik pushon veprimtarinë e tij dhe vihet në likuidim.

Neni 36 - Kalimi i të drejtave dhe detyrimeve në rast mbarimi të personit juridik, për të cilin kërkohet regjistrimi, sjell pasoja nga koha e regjistrimit. Kur nuk kërkohet regjistrimi, kalimi i të drejtave dhe i detyrimeve në rastet e parashikuara nga paragrafi i mësipërm, sjell pasoja nga koha e miratimit të bilancit përkatës, në mënyrën që parashikohet në ligj, nga organi përkatës që e ka krijuar ose në statut.


Likuidimi i personit juridik

Neni 37 - Likuidimi i personit juridik që ka mbaruar bëhet me realizimin e të drejtave dhe pagimin e detyrimeve nga likuidatorë të caktuar nga organi që ka vendosur mbarimin e tij. Komisioni bën likuidimin sipas dispozitave ligjore përkatëse, statutit ose aktit të themelimit.

Neni 38 - Kur personi juridik mbaron për shkak se ka zhvilluar veprimtari të kundërligjshme, pasuria e mbetur pas likuidimit i kalon shtetit. Likuidimi i personit juridik që falimenton rregullohet me ligj.


B. Shoqatat
Krijimi i shoqatave

Neni 39 - Shoqatat janë organizata shoqërore që ndjekin një qëllim politik, shkencor, kulturor, sportiv, fetar, bamirës ose ndonjë qëllim tjetër joekonomik.

Neni 40 - Vullneti i anëtarëve për krijimin e shoqatës përcaktohet në statutin përkatës, i cili duhet të hartohet me shkrim dhe të përmbajë sidomos:

a) emrin dhe qëllimin e shoqatës, qëndrën e saj dhe territorin në të cilin do të zhvillojë veprimtarinë e vet;
b) kushtet e pranimit dhe të largimit të anëtarëve, si dhe të drejtat dhe detyrat e tyre;
c) organet drejtuese të shoqatës, mënyrën e formimit dhe kompetencat e tyre;
ç) afatet, mënyrën e thirrjes dhe kompetencat e mbledhjeve të përgjithshme dhe të delegatëve;
d) burimin e mjeteve materiale të saj, si dhe kontributet apo kuotat që duhet të japë çdo anëtar;
dh) mënyrën e ndryshimit të statutit dhe të mbarimit të shoqatës.

Neni 41 - Pasi mbledhja e themeluesve të ketë miratuar statutin dhe formuar organin drejtues të saj, duhet të paraqitet kërkesa për regjistrimin e shoqatës në gjykatën e rrethit ku ka qendrën e veprimtarisë së saj. Gjykata kontrollon pajtueshmërinë e statutit me ligjin.

Neni 42 - Shoqata njihet si person juridik që nga dita kur gjykata kompetente e ka miratuar atë dhe e ka regjistruar. Deri në këtë datë themeluesit e shoqatës mund të kryejnë veprimet që janë të nevojshme për organizimin e saj, siç janë sidomos thirrja dhe zhvillimi i mbledhjes së themeluesve dhe zgjedhja e organeve drejtuese.

Neni 43 - Shoqata mund të ketë degë të veta në ato rrethe, qytete e komuna ku ka numrin e anëtarëve të parashikuar në statutin e saj.


Organizimi i shoqatës

Neni 44 - Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve ose e përfaqësuesve të tyre, është organi më i lartë i shoqatës. Ajo thirret nga organi drejtues, sipas dispozitave përkatëse të statutit, si dhe kur e kërkon një e pesta e anëtarëve.

Neni 45 - Mbledhja e përgjithshme vendos për pranimin ose përjashtimine anëtarëve dhe për çdo çështje tjetër, që nuk është lënë në kompetencën e ndonjë organi tjetër të shoqatës. Ajo ushtron posaçërisht mbikqyrjen mbi të ardhurat dhe veprimet e shoqatës, si dhe mbi objektet pasurore të saj.

Neni 46 - Të gjithë anëtarët e shoqatës kanë të drejtë vote të barabartë në mbledhjen e përgjithshme. Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve që janë të pranishëm në mbledhje. Për ndryshimin e statutit, për përjashtimin e një anëtari dhe për shpërndarjen e shoqatës, kur nuk është parashikuar ndryshe, duhet të jenë të pranishëm të paktën 3/4 e anëtarëve.

Neni 47 - Organi drejtues ka të drejtën dhe detyrën të kujdeset për interesat e shoqatës, t'i mbrojë ato, si dhe të përfaqësojë shoqatën sipas kompetencave që i janë dhënë nga statuti.


Antarësia në shoqatë

Neni 48 - Pranimi i anëtarëve të rinj, që përmbushin kushtet e nevojshme, mund të lejohet në çdo kohë. E drejta për të dhënë dorëheqjen është e garantuar, por me kusht që të jetë paraqitur së paku gjashtë muaj para mbarimit të vitit kalendarik ose brenda afatit të parashikuar në statut.

Neni 49 - E drejta e anëtarësisë në shoqatë nuk mund të tjetërsohet dhe as të kalohet me anë trashëgimie.

Neni 50 - Anëtarët që kanë dhënë dorëheqjen ose që janë përjashtuar nga shoqata, nuk kanë të drejtë në kapitalin apo pasurinë themelore të shoqatës. Ata kanë detyrën të derdhin kuotat për kohën gjatë së cilës kanë bërë pjesë në shoqatë.

Neni 51 - Çdo anëtar ka të drejtë të kundërshtojë në gjykatën kompetente vendimet e shoqatës që vijnë në kundërshtim me ligjin ose me statutin. Ky kundërshtim mund të bëhet brenda një muaji nga dita kur anëtari ka marrë njoftimin për atë vendim.


Shpërndarja

Neni 52 - Shpërndarja e shoqatës bëhet:

a) me vendim të mbledhjes së përgjithshme të thirrur posaçërisht;
b) kur numri i anëtarëve të saj ka mbërritur nën numrin e caktuar në statut, ose kur qëllimi i saj është përmbushur apo nuk ka mundësi të përmbushet;
c) kur ajo ka humbur aftësinë paguese;
ç) me vendim të gjykatës kompetente kur shoqata është larguar nga qëllimi i caktuar në statut ose kur ajo ka filluar të kryejë veprimtari të kundraligjshme.

Neni 53 - Kur vendoset shpërndarja e shoqatës, ajo çregjistrohet, pushon veprimtarinë e saj dhe vihet në likuidim nga komisioni i likuidimit, i cili formohet dhe vepron sipas rregullave përkatëse në fuqi.


C. Fondacionet
Mënyra e krijimit

Neni 54 - Fondacioni krijohet për arritjen e një qëllimi të posaçëm me dobi shoqërore. Fondacionet krijohen nga persona fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj. Ato krijohen me akt publik ose me testament.

Neni 55 - Akti për krijimin e fondacionit, me kërkesën e themeluesve, regjistrohet në gjykatën e rrethit, ku fondacioni ka q‚ndrën e vet. Në aktin e krijimit përcaktohen sidomos emrat e themeluesve, qëllimi i fondacionit, përbërësit e pasurisë (para, letra me vlerë, ose sende të luajtshme dhe të paluajtshme), burimet dhe mënyra e financimit, organet drejtuese, kompetencat e tyre, si dhe emrat e anëtarëve të administratës.

Neni 56 - Fondacioni fiton cilësinë e personit juridik që nga data e regjistrimit të tij. Nuk lejohet që fondacioni të kryejë veprimtari fitimprurëse.

Neni 57 - Akti për krijimin e fondacionit mund të shfuqizohet nga themeluesit para regjistrimit ose kur ende nuk ka filluar veprimtarinë përkatëse. Akti i krijimit të fondacionit mund të kundërshtohet nga trashëgimtarët ose nga kreditorët e themeluesit.


Ushtrimi i veprimtarisë të fondacionit

Neni 58 - Organet e fondacionit, mënyra e formimit dhe kompetencat e tyre caktohen nga akti i krijimit. Çdo fondacion kryen veprimtarinë e vet në bazë të dispozitave të legjislacionit në fuqi dhe të aktit të themelimit të tij.

Neni 59 - Fondacionet mbikqyren nga institucionet shtetërore me të cilët lidhet drejtpërdrejt qëllimi i veprimtarisë së tyre. Këto institucione mbikqyrin posaçërisht që fondet monetare dhe pasuritë e tjera të fondacionit të përdoren në përputhje me qëllimin e tij.

Neni 60 - Drejtuesi i institucionit mbikqyrës ka të drejtë të kërkojë nga gjykata kompetente anullimin e vendimit të organit të fondacionit kur vjen në kundërshtim të hapur me qëllimin përkatës, me dispozitat ligjore apo me aktin e krijimit. Gjykata mund të pezullojë zbatimin e këtij vendimi deri në dhënien e vendimit përfundimtar të saj.

Neni 61 - Mosmarrëveshjet pasurore, në të cilat fondacioni është palë, zgjidhen nga gjykata kompetente.

Neni 62 - Fondacioni shpërndahet:

a) në bazë të ligjit, kur është përmbushur qëllimi për të cilin u krijua ose kur qëllimi i tij nuk mund të përmbushet më;
b) me vendim të gjykatës kur vërtetohet se fondacioni ka filluar të ushtrojë veprimtari të paligjshme ose jo morale.

Shpërndarja e fondacionit mund të kërkohet nga drejtuesi i institucionit mbikqyrës ose nga çdo subjekt i interesuar.

Neni 63 - Për pasuritë që mbeten pas shpërndarjes së fondacionit, me kërkesën e drejtuesit të institucionit mbikqyrës ose të çdo personi të interesuar, gjykata vendos duke patur parasysh destinacionin e tyre dhe qëllimin themelor për të cilin është krijuar fondacioni.


Faqe 1
faqe
- 2 -

Faqe 3