PERSONAT FIZIKË
(nenet 1 - 23)


Ballina
faqe
- 1 -

Faqe 2
A. Zotësia juridike

Neni 1 - Çdo person fizik gëzon zotësi të plotë e të barabartë për të pasur të drejta dhe detyrime civile, brenda kufijve të caktuar me ligj.

Neni 2 - Zotësia juridike fillon me lindjen e personit gjallë dhe mbaron me vdekjen e tij. Fëmija kur lind i gjallë gëzon zotësi juridike që nga koha e zënies.

Neni 3 - Të huajt gëzojnë po ato të drejta e detyrime që u njihen shtetasve shqiptarë, përveç përjashtimeve të caktuara me ligj.

Neni 4 - Personit fizik nuk mund t'i kufizohen të drejtat civile, përveç përjashtimeve të caktuara me ligj. Veprimi juridik që kufizon zotësinë juridike të një personi fizik, është i pavlefshëm.


B. E drejta e emrit

Neni 5 - Çdo person fizik ka të drejtën dhe detyrimin të ketë emrin dhe mbiemrin e tij që i vihen sipas ligjit. Personi, të cilit i mohohet e drejta e përdorimit të tyre ose cënohet nga përdorimi që të tjerët i bëjnë padrejtësisht, mund të kërkojë në gjykatë përdorimin e emrit ose të mbiemrit të vet, pushimin e cënimit, si dhe shpërblimin e dëmit përkatës. Kjo kërkesë mund të paraqitet edhe nga persona që, ndonëse nuk mbajnë emrin ose mbiemrin e cënuar, apo të përdorur padrejtësisht, kanë interesa familjare të denja për t' u mbrojtur. Gjykata kur pranon padinë urdhëron botimin e vendimit nëFletoren Zyrtare. Me kërkesën e paditësit gjykata mund të urdhërojë botimin e vendimit të saj edhe në gazeta të tjera. Pseudonimi i përdorur nga personi fizik gëzon të njëjtën mbrojtje.


C. Zotësia për të vepruar

Neni 6 - Personit, kur mbush moshën tetëmbëdhjetë vjeç, i lind zotësia e plotë që me veprimet e tij të fitojë të drejta dhe të marrë përsipër detyrime civile. Zotësinë e plotë për të vepruar e fiton me anë të martesës edhe gruaja që nuk ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç. Ajo nuk e humbet këtë zotësi edhe kur martesa është deklaruar e pavlefshme ose është zgjidhur para se të mbushë moshën tetëmbëdhjetë vjeç.

Neni 7 - I mituri, që ka mbushur moshën katërmbedhjetë vjeç, mund të kryejë veprime juridike vetëm me pëlqimin e mëparshëm të përfaqësuesit të tij ligjor. Megjithatë ai mund të bëjë pjesë në organizata shoqërore, të disponojë atë që fiton me punën e tij, të depozitojë kursimet dhe t'i disponojë vetë këto depozita.

Neni 8 - I mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, është i pazoti për të vepruar. Ai mund të kryejë veprime juridike që i përshtaten moshës së tij dhe që përmbushen aty për aty, si dhe veprime juridike qe i sjellin dobi pa asnjë kundërshpërblim. Veprimet e tjera juridike i kryen në emër të tij përfaqësuesi ligjor.

Neni 9 - Të miturit me moshë katërmbëdhjetë vjeç deri në tetëmbëdhjetë vjeç, i cili është i pazoti të kujdeset për punën e tij për shkak sëmundjesh psiqike ose zhvillimi të metë mendor, mund t'i hiqet zotësia për të kryer veprime juridike me vendim të gjykatës. Këto veprime mund të kryhen vetëm nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor.

Neni 10 - Personit madhor, që për shkak sëmundjeje psiqike ose zhvillimi të metë mendor, është tërësisht ose pjesërisht i pazoti të kujdeset për punët e tij, mund t'i hiqet ose kufizohet zotësia për të kryer veprime juridike me vendim të gjykatës.

Neni 11 - Veprimi juridik që kufizon zotësinë për të vepruar është ipavlefshëm.


Ç. Banimi dhe qëndrimi

Neni 12 - Banimi është vendi ku personi, për shkak të punës apo të shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë apo të realizimit të interesave të veta, qëndron zakonisht ose të shumtën e kohës. Çdo person madhor ka të drejtë të caktojë lirisht vendbanimin e tij. Personi nuk mund të ketë njëkohësisht me shumë se një vendbanim. Kjo dispozitë nuk zbatohet për vendbanimin e veprimtarisë së tregtarit.

Neni 13 - I mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, ka për banim atë të prindërve të tij. Kur prindërit kanë banime të ndryshme, fëmija e tyre nën katërmbëdhjetë vjeç ka për banim atë të prindit pranë të cilit jeton. Personi të cilit i është hequr zotësia për të vepruar dhe fëmijët nën kujdestari kanë për banim atë të përfaqësuesit të tyre ligjor.

Neni 14 - Vendqëndrimi i personit është vendi ku ai ndodhet për të kryer punë ose detyra të caktuara, për të vazhduar një shkollë ose kurs të caktuar, për t'u mjekuar, për të vuajtur një dënim penal, dhe për raste të tjera të kësaj natyre.


D. Shpallja e zhdukjes dhe e vdekjes së një personi

Neni 15 - Personi që mungon nga vendi i banimit ose i vendqëndrimit të fundit të tij dhe për të cilin nuk ka lajme për më shumë se dy vjet, me kërkesën e çdo të interesuari mund të shpallet i zhdukur me vendim të gjykatës. Kur dita e lajmeve të fundit nuk mund të caktohet, afati i mësipërm fillon nga dita e parë e muajit pasardhës në të cilin janë marrë lajmet e fundit. Kur muaji nuk mund të caktohet, afati fillon nga dita 1 janar e vitit të mëpasëm.

Neni 16 - Me shpalljen e zhdukjes së një personi, për administrimin e pasurisë së tij caktohet një kujdestar. Vendimi i gjykatës, me të cilin një person është shpallur i zhdukur, botohet në Fletoren Zyrtare dhe i dërgohet për regjistrim zyrës përkatëse të gjendjes civile.

Neni 17 - Personi që është shpallur i zhdukur, me kërkesën e çdo të interesuari, mund të shpallet i vdekur me vendim të gjykatës, kur kanë kaluar pa patur lajme katër vjet nga dita që është shpallur i zhdukur.

Neni 18 - Personi që ka humbur gjatë veprimeve luftarake dhe kjo humbje vërtetohet nga organet kompetente ushtarake, në rast se kanë kaluar pa patur lajme dy vjet, nga dita që ka hyrë në fuqi marrëveshja e paqes ose tre vjet nga mbarimi i veprimeve luftarake, mund të shpallet i vdekur me vendim të gjykatës, pa qenë nevoja të shpallet më parë i zhdukur.

Neni 19 - Personi që ka humbur gjatë një fatkeqësie natyrore ose në rrethana që bëjnë të besohet se ka vdekur, mund të shpallet si i tillë me vendim të gjykatës, kur kanë kaluar pa patur lajme dy vjet nga dita që ka ngjarë fatkeqësia, pa qenë e nevojshme të shpallet më parë i zhdukur. Kur nuk caktohet dita në të cilën ka ndodhur fatkeqësia, afati dy vjeçar fillon nga dita e parë e muajit që vjen pas atij në të cilin ka ndodhur fatkeqësia dhe, kur nuk mund të caktohet as muaji, afati fillon nga dita e parë e muajit janar të vitit të mëpasëm.

Neni 20 - Kur dy ose më shumë persona kanë vdekur dhe nuk mund të provohet kush prej tyre ka vdekur më parë, për efekte juridike, quhet se të gjithë kanë vdekur në një kohë.

Neni 21 - Kur shpallet vdekja e një personi të zhdukur, caktohet dita se kur ka ngjarë ajo. Kur kjo ditë nuk është e mundur të vërtetohet me saktësi, gjykata e cakton atë sipas rregullave të parashikuara në nenet e këtij Kodi. Me kërkesën e çdo të interesuari, gjykata që ka dhënë vendimin, mund të ndryshojë datën e vdekjes, kur vërtetohet se personi ka vdekur në një ditë tjetër.

Neni 22 - Vdekja e shpallur me vendim të gjykatës barazohet në të gjitha pasojat juridike me vdekjen e vërtetë. Vendimi i gjykatës me të cilin një person është shpallur i vdekur, botohet në Fletoren Zyrtare dhe i dërgohet për regjistrim zyrës përkatëse të gjendjes civile.

Neni 23 - Kur personi që është shpallur i vdekur del se është i gjallë, me kërkesën e tij ose të çdo të interesuari, vendimi prishet nga gjykata që e ka dhënë. Personi që del se është gjallë ka të drejtë të kërkojë pasurinë e tij dhe pasurinë e fituar me anë të saj, qoftë edhe nga personat e tretë që e kanë fituar nga ata, të cilëve u ka kaluar kjo pasuri për shkak të deklarimit të vdekjes së tij, në kufijtë dhe kushtet e parashikuara nga ky Kod e nga Kodi i Familjes.


Ballina
faqe
- 1 -

Faqe 2