KUPTIMI DHE LLOJET E PËRFAQËSIMIT
(nenet: 64, 65, 66, 67, 68, 69, 70, 71, 72, 73, 74, 75, 76, 77 dhe 78)


Faqe 2
faqe
- 3 -

Faqe 4
Kuptimi i përfaqësimit

Neni 64 - Me përfaqësimin një person (përfaqësuesi) kryen, brenda tagreve që i janë dhënë nga ligji, nga prokura ose nga gjykata, veprime juridike në emër e për llogari të një personi fizik ose juridik tjetër (i përfaqësuari). Përfaqësimi nuk lejohet kur veprimi juridik duhet, sipas ligjit, të kryhet nga vetë personi. Nuk mund të veprojë si përfaqësues personi që nuk ka zotësi të plotë për të vepruar.


Kufijtë dhe pasojat e përfaqësimit

Neni 65 - Tagret e përfaqësimit ligjor caktohen nga dispozitat e ligjit që i japin këtë cilësi, ndërsa tagret e përfaqësuesit të emëruar nga i përfaqësuari caktohen me prokurë. Tagret e përfaqësuesit mund të nxirren edhe nga rrethanat, në të cilat kryhen veprimet juridike përkatëse.

Neni 66 - Veprimet juridike të kryera nga përfaqësuesi, brenda tagreve që i janë dhënë, krijojnë pasoja drejtëpërdrejt për të përfaqësuarin.

Neni 67 - Përfaqësuesi nuk mund të kryejë veprime juridike në emër të të përfaqësuarit as me veten e tij dhe as me persona të tjerë të përfaqësuar prej tij, përveç kur i përfaqësuari e ka lejuar këtë shprehimisht, ose kur përmbajtja e veprimit juridik nuk cënon interesat e tij.

Neni 68 - Kur për kryerjen e një veprimi juridik janë caktuar dy ose më shumë përfaqësues, secili prej tyre mund ta kryejë atë pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tjerë, përveç kur në prokurë është parashikuar ndryshe.

Neni 69 - Përfaqësuesi detyrohet të veprojë personalisht dhe nuk mund të emërojë zëvendës të tij, përveç kur është lejuar nga i përfaqësuari, kur pasuria që përmendet në prokurë ndodhet jashtë territorit të rrethit ku banon përfaqësuesi, si dhe kur caktimi i zëvendësit çmohet i nevojshëm për mbrojtjen e interesave të të përfaqësuarit. Përfaqësuesi duhet të njoftojë menjëherë të përfaqësuarin për zëvendësin që ka caktuar, përndryshe ai përgjigjet për veprimet e zëvendësit. Zëvendësi mund të hiqet në çdo kohë nga i përfaqësuari ose nga përfaqësuesi që e ka caktuar.


Përfaqësimi me prokurë

Neni 70 - Prokura është dokumenti në të cilin i përfaqësuari, me vullnetin e tij të lirë ka përcaktuar karakterin dhe vëllimin e tagreveqë i ka dhënë përfaqësuesit.

Neni 71 - Prokura është e përgjithshme kur i përfaqësuari i ka dhënë përfaqësuesit tagre për të kryer veprime juridike të shumëllojshme, të cilat kanë të bëjnë me një tërësi të drejtash të të përfaqësuarit, përveç atyre që i ka përjashtuar shprehimisht. Prokura është e posaçme kur i përfaqësuari i ka dhënë përfaqësuesit tagrin për të kryer një ose disa veprime juridike të caktuara, që karakterizohen nga një qëllim i përbashkët.

Neni 72 - Prokura bëhet gjithmonë me shkresë. Çdo prokurë për të lidhur një kontratë, e cila sipas ligjit mund të bëhet vetëm me akt noterial, duhet të përpilohet në këtë formë, përndryshe është e pavlefshme. Edhe prokura për kryerjen e veprimeve para gjykatave dhe institucioneve të tjera shtetërore, duhet të bëhet me akt noterial, përveç kur me dispozita ligjore lejohet që ajo të bëhet me shkresë të thjeshtë. Prokura në emër të personave juridikë publikë e privatë mud të bëhet edhe vetëm me nënshkrimin e drejtuesit të tij dhe me vulën përkatëse, përveç kur ligji kërkon që veprimi juridik të kryhet me akt noterial.

Neni 73 - Prokura për të tërhequr dërgesa postare ose para nga zyrat postare apo nga bankat deri në një shumë të caktuar prej tyre, prokura për të terhequr paga dhe shpërblime të tjera që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës, si dhe prokura për të tërhequr pensione, ndihma e bursa, mund të vërtetohen edhe nga:

a) administratori i lagjes së qytetit ose kryeplaku i fshatit;
b) drejtuesi i personit juridik apo i degës së tij, ku i përfaqësuari është në marrëdhënie pune ose ndjek shkollën;
c) drejtuesi i institucionit shëndetësor ku i përfaqësuari është shtruar për mjekim;
ç) komanda e repartit ushtarak ku shërben i përfaqësuari;
d) drejtuesi i institucionit ku i përfaqësuari mbahet i arrestuar ose vuan dënimin me heqje të lirisë.

Neni 74 - Ndryshimet në prokurë duhet t'u bëhen të njohura të tretëve me mjete të përshtatshme. Në mungesë të njoftimeve të tilla, këto ndryshime nuk mund t'u kundrejtohen të tretëve, përveç kur provohet që këta i dinin ndryshimet në prokurë në kohën kur është kryer veprimi juridik.

Neni 75 - I përfaqësuari mund të shfuqizojë prokurën dhe përfaqësuesi të heqë dorë prej saj në çdo kohë. Çdo marrëveshje e kundërt është e pavlefshme.


Mbarimi i prokurës

Neni 76 - Prokura mbaron kur:

a) përfaqësuesi ka kryer veprimet juridike për të cilat ajo ishte dhënë;
b) është plotësuar afati për të cilin ajo ishte dhënë;
c) kur ka vdekur përfaqësuesi apo i përfaqësuari, ose kur njëri prej tyre ka humbur zotësinë për të vepruar;
ç) ka mbaruar personi juridik përfaqësues apo i përfaqësuar;
d) kur i përfaqësuari ka shfuqizuar prokurën ose përfaqësuesi ka hequr dorë prej saj. Pas mbarimit të prokurës perfaqësuesi, me kërkesën e të përfaqësuarit duhet t'i kthejë atij aktin e prokurës.

Përfaqësimi pas ndryshimeve ose mbarimit të prokurës

Neni 77 - Veprimet juridike të kryera nga përfaqësuesi, pas ndryshimeve të bëra në prokurë ose pas mbarimit të saj, janë të detyrueshme për të përfaqësuarin ose për trashëgimtarët e tij, në rast se personat e tretë, me të cilët janë kryer ato veprime juridike, nuk kanë patur dijeni për ndryshimet ose për mbarimin e prokurës.


Përfaqësimi pa tagre

Neni 78 - Kur një person fizik ose juridik vepron si përfaqësues pa e patur këtë cilësi, si edhe kur përfaqësuesi ka kapërcyer tagret që i janë dhënë, veprimi juridik i kryer në këto kushte nuk është i detyrueshëm për personin në emrin e të cilit janë kryer, përveç kur ky e ka miratuar atë më vonë. Kur miratimi nuk është dhënë, personi i tretë që ka qenë në mirëbesim ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit nga përfaqësuesi.


Faqe 2
faqe
- 3 -

Faqe 4