Jeta dhe Vdekja/35
JETA TJETËR - AHIRETI | ||||
---|---|---|---|---|
| ||||
Para se të mbarojmë fjalimin tonë rreth jetës dhe vdekjes, është e domosdoshme të flasim hollësisht për jetën e ahiretit. Njeriu nuk dyshon për të vërtetën, se: jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, veçse një vend eksperimental laboratorik. Njeriu nuk mundet t’i shmanget kurrsesi kësaj (sprove), sado të jetojë në të. Pastaj do të shkojë në jetën e përjetësisë.
Jetës së kësaj bote i paraprin vdekja, dhe ajo e ndjek atë. Jeta e kësaj bote është jetë e mashtrimeve, gjendja e njeriut asnjëherë nuk është e stabilizuar. I forti bëhet i dobët, ndërsa i pasuri bëhet i varfër, po ashtu edhe pushtetari mund të mbetet pa fuqinë e tij ndikuese në masë. Ndërsa jeta e ahiretit është e kundërta e kësaj, ajo është e stabilizuar në çdo gjë. Ajo është e qetë, si në të mira ashtu edhe në të këqia, në pengesa dhe në liri. Njeriu, para se të vinte në këtë botë, ka qenë në gjendje të vdekur, ose në botën e Dherrit, për të shkuar më pas në jetën e përjetësisë. Ai përsëri do të kthehet në gjëndje të vdekur, ose në botën e Berzah-it. Ndërsa Berzah-i është kufiri midis vdekjes dhe ringjalljes, midis botës dhe ahiretit. Me mbarimin e kësaj etape nuk ka më kthim në këtë jetë. Duhet t’a dimë se njeriu, qoftë në botën e Dherrit, qoftë në jetën e kësaj bote, ose në botën e vdekjes, ose në ahiret, është i arkivuar në regjistra shumë precizë, që gjenden tek All-llahu i Lartmadhëruar. Pra, secila etapë do të kapërcejë nëpër një sistem shumë të sofistikuar, që i përket vetëm një preciziteti të lartë Hyjnor. All-llahut xh.sh. nuk mund t’i shpëtojë asgjë pa ditur në këtë univers sepse Ai e regjistroi qëllimin e çdo gjëje dhe precizitetin për secilën krijesë veç e veç. Atij nuk i shpëton pa ditur as sa grimca e atomit, as në këtë tokë, e as në qiej. Ai, çdo gjë, çdo ngjarje dhe çdo vepër, e ka të shënuar në librin e quajtur ‘nëna e Librave’ që është në ‘Lehvi Mahfudh’.[1]. Le të lexojmë thënien e All-llahut:
“Vërtet, Ne, i ringjallim të vdekurit, e shënojmë të kaluarën e tyre dhe gjurmët (veprat që kanë lënë, dhe ato që vazhdojnë edhe pas vdekjes së tyre). (Gjithashtu Ne) çdo send e kemi të statistikuar në Librin e qartë.”[2] Pra, paskemi një regjistër shumë të ruajtur, i cili qenka tek All-llahu xh.sh. për secilin prej nesh. Ai regjistër po i përfshika të gjitha ndodhitë e jetës dhe ai do të jetë dëshmuesi ynë në Ditën e Kijametit. Si do të dëshmojë ai? Do të dëshmojë me zë dhe fotografi dhe ne do t’i shohim të gjitha ndodhitë e jetës sonë, ashtu siç kanë ndodhur. Ato do të dëshmojnë për secilën imtësirë me një precizitet aq të madh saqë, pas kësaj dëshmie, askush nuk do të ketë mundësi t’a mohojë atë që ka ndodhur. Kjo bëhet me qëllim që njeriu të bëhet vetë dëshmitar për veten e vet në Ditën e Kijametit. Të shohim se çfarë thotë All-llahu xh.sh.:
“(njeriut do t’i thuhet)...Lexoje librin tënd (dosjen), mjafton që ti, sot, t’i japësh llogari vetes tënde!”[3] Ky regjistër dhe kjo jetë e regjistruar për mbarë jetërat e njerëzve është shumë preciz. Do të habitemi nga ky precizitet i regjistrimit. Aty ka gjëra dhe hollësi që, edhe nëse ne do t’i kemi harruar, do t’i gjejmë tek ky libër regjistrues. All-llahu xh.sh. thotë:
“(veprat e tyre)...All-llahu i ka të gjitha të saktësuara, ndërsa ata i harruan...”[4] Ne nga preciziteti i lartë (i regjistrimit), gjithashtu, kemi për t’a ndier madhështinë e llogaritjes, pasi All-llahut nuk i paska shpëtuar asgjë pa e ditur. Për këtë, patjetër, le t’i hedhim një vështrim edhe thënies së All-llahut xh.sh:
“...dhe do të thonë: “Të mjerët ne, ç’qenka ky libër! Nuk paska lënë as më të voglën, (vepër) e as të madhen pa e regjistruar. Atë që kanë punuar do t’a gjejnë përpara, ndërsa Zoti Yt, nuk i bën padrejtësi askujt.”[5] Kur ne lexojmë këto fjali (ajete) kur’anore, ato na shtyjnë dhe na nxisin t’u shmangemi mëkateve. Ne, kështu, e kuptojmë bindshëm se çdo gjë regjistrohet dhe se ky regjistër do të shpaloset për të dëshmuar në Ditën e Dëshmisë së Madhe, para All-llahut të Lartmadhëruar. Ai (regjistri) do të dëshmojë për çdo hollësi të veprimeve tona me zë dhe fotografim.[6]. | ||||
|