JETË, POR E PANJOHUR PËR NE


Faqe 13
faqe
- 14 -

Faqe 15
Kemi jetëra të cilat ne nuk i njohim fare. Ne njohim vetëm ato, për të cilat na ka informuar i Lartmadhëruari. Melekët janë të krijuar prej dritës (nurit). Ne nuk i shohim, e as nuk i dëgjojmë. Gjithashtu, edhe xhinn-ët janë të krijuar prej zjarrit, por edhe ata ne nuk i shohim, me përjashtim të rastit kur ata shndërrohen dhe marrin formën materiale.

I Lartësuari, në Kur’anin Kerim, na informoi për shejtanin, duke na thënë:

" إنه يراكم هو وقبيله من حيث لا ترونهم "
Ai (shejtani) dhe farefisi i tij ju sheh, prej nga ju s’i shihni dot ata.”[1]

Ne këtu pyesim: Si mund që t’a besojmë jetën (ekzistencën) e atyre llojeve, që ne nuk i shohim? Përgjigja është: Të pamurit e diçkaje, nuk është i vetmi mjet për të besuar se ai gjësend ekziston. Kemi shumë gjëra të cilat nuk i shohim, por ato ekzistojnë. Ekzistenca e gjësendit nuk mbështetet në njohjen e asaj ekzistence. Për këtë arsye, All-llahu xh.sh., ka dashur që ato të na i zbulojë neve, në mënyrë që të njihemi me ekzistencën e tyre, pasi ne nuk kemi qenë në gjendje t’i njihnim në të kaluarën.

Kur ti vështron me sytë e tu p.sh. një pikë ujë, syri yt nuk sheh aty asgjë. Por sikur atë pikë uji t’a vështroje me mikroskop, atëherë ke për të parë se në atë pikë uji ka jetë, sepse vërehen gjallesa të tjera të ndryshme që lëvizin. Kështu është edhe me gjakun. Në të nuk sheh asgjë, por kur ti e dërgon atë në laborator, do të marrësh dhjetra analiza të tij, (prej elementeve) që ekzistojnë në të, p.sh. rruazat e kuqe, rruazat e bardha, hemoglobina, etj., madje edhe të mikrobeve të cilat hyjnë në trup dhe të lëvizjeve të tyre. Kështu mësojmë se ato janë shumë precize dhe interesante. Të gjitha këto i vërejmë në gjak. Më pas (në bazë të analizave) ne mund të përcaktojmë edhe cilit grup i përket (ai gjak).

Shkenca bashkëkohore na ka dhënë mundësi që ne të mësojmë shumë sekrete të gjithësisë, të cilat nuk i kemi ditur më parë. Çdo ditë ne zbulojmë gjëra të reja, planete ose yje, të cilat, për ne, ishin inekzistente më parë. A mos vallë këto gjëra u krijuan në momentin kur ne i zbuluam? Përgjigja do të ishte: Jo! Ato kanë ekzistuar para se ne t’i zbulonim, dhe secila e kryente detyrimin e vet në univers.

Mikrobet (viruset), të cilat u njohën së fundi, përmes mikroskopëve shumë të sofistikuar të kohës moderne, gjithashtu kanë ekzistuar me këto cilësi që i kanë edhe tani. Ato shkaktonin sëmundje tek njerëzit, por askush nuk e kuptonte se prej çkaje rënkonin ata njerëz. Kështu u vazhdua, derisa u zbuluan mikroskopët, të cilët i zmadhojnë gjërat me qindra mijëra herë. Pastaj u vërejt se kemi të bëjmë me një jetë të mahnitshme, që për ne ka qenë më parë inekzistente. Jeta ka lindje dhe shumime, ajo ka ligjet e veta. Prej hulumtimeve precize nuk e vërejmë se si ato (viruset) hyjnë në trup dhe shkaktojnë temperatura të larta, të cilat shkaktojnë edhe vdekje.

Rrezet lazër p.sh. i përshkojnë distancat me një precizitet të paimagjinuar. Tani këto i përdorim në bujqësi, kirurgji e në shumë vende të tjera. A mos i solli njeriu këto rreze në univers? Sigurisht që jo. Këto krijesa kanë ekzistuar që nga Ezeli [2] dhe ato e kryejnë detyrimin e tyre me një precizitet të lartë, por ato nuk kanë qenë të njohura për ne, me përjashtim të disa viteve më parë.

  1. Kur’an, 7 / 27
  2. Ezeli – që prej infinitit, krijesa që ekzistojnë që prej momentit të parë të krijimit, prej Big – Bengut (shën. i përkth.).

Faqe 13
faqe
- 14 -

Faqe 15