Isaia - Kapitulli 31
|
1 Mjerë ata që zbresin në Egjipt në kërkim të ndihmës dhe u besojnë kuajve, kanë besim te qerret, sepse janë të shumta dhe te kalorësit, sepse janë shumë të fuqishëm, por nuk shikojnë të Shenjtin e Izraelit dhe nuk kërkojnë Zotin.
2 Megjithatë edhe ai është i urtë dhe do të sjellë gjëmën; ai nuk do t'i tërheqë fjalët e tij, por do të ngrihet kundër shtëpisë së njerëzve të këqij dhe kundër ndihmës së atyre që bëjnë paudhësi.
3 Por Egjiptasit janë njerëz dhe jo Perëndi, kuajt e tyre janë mish dhe jo frymë. Kur Zoti do të shtrijë dorën e vet, mbrojtësit do t'i merren këmbët dhe i mbrojturi do të rrëzohet, do të vdesin të gjithë bashkë.
4 Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Ashtu si luani apo luanesha vrumbullin mbi prenë e vet (kur kundër tij është mbledhur një numër i madh barinjsh dhe ai nuk ka frikë nga britmat e tyre dhe as trëmbet nga zhurma e tyre), kështu do të zbresë Zoti i ushtrive për të luftuar në malin e Sionit dhe në kodrën e tij.
5 Ashtu si zogjtë fluturojnë mbi të vegjëlit e tyre, kështu Zoti i ushtrive do të mbrojë Jeruzalemin, do ta mbrojë dhe do ta çlirojë, do ta kursejë dhe do ta shpëtojë".
6 Kthehuni tek ai nga i cili jeni larguar shumë, o bij të Izraelit!
7 Atë ditë secili do të flakë idhujt e tij prej argjendi dhe idhujt e tij prej ari, që duart tuaja kanë bërë duke mëkatuar për ju.
8 "Atëherë Asiria do të bjerë nga një shpatë jo prej njeriu, dhe një shpatë jo prej njeriu do ta përpijë; do t'ia mbathë para shpatës dhe të rinjtë e tij do t'i nënshtrohen punës së detyruar.
9 Nga frika do të kalojë përtej kështjellës dhe princat e saj do të tmerrohen për shkak të flamurit", thotë Zoti, që ka zjarrin e tij në Sion dhe furrën e tij në Jeruzalem.