Dhjata e Vjetër
< ISAIA >
Kapitulli 21
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42 | 43 | 44 | 45 | 46 | 47 | 48 | 49 | 50 | 51 | 52 | 53 | 54 | 55 | 56 | 57 | 58 | 59 | 60 | 61 | 62 | 63 | 64 | 65 | 66


1 Profecia kundër shkretëtirës së detit. Ashtu si shakullimat kalojnë me të shpejtë nëpër Negev, kështu një pushtues vjen nga shkretëtira, nga një vend i tmerrshëm.

2 Një vegim i tmerrshëm m'u shfaq: i pabesi vepron me pabesi dhe shkatërruesi shkatërron. Dil, o Elam. Rrethoje, o Medi! Bëra që të pushojë çdo rënkim të tij.

3 Për këtë arsye ijët e mia më dhëmbin shumë, më zunë dhembjet si të prerat e një gruaje që lind; jam i tronditur nga sa dëgjova, jam i tmerruar nga sa pashë.

4 Zemra ime e ka humbur, tmerri më ka zënë; nata që aq shumë e dëshiroja është bërë llahtarë për mua.

5 Ndërsa po shtrohet tryeza, bëhet rojë mbi kullën vëzhgimit hahet dhe pihet. "Çohuni, o krerë, dhe vajosni mburojat".

6 Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Shko, vër një roje që të njoftojë atë që shikon".

7 Ajo pa qerre dhe çifte kalorësish, disa prej të cilëve kishin hipur mbi gomarë dhe të tjerë mbi deve, dhe i vëzhgoi me kujdes, me shumë kujdes.

8 Pastaj bërtiti si një luan: "O Zot, ditën unë rri gjithnjë mbi kullën e vëzhgimit, dhe çdo natë rri më këmbë te vendroja ime.

9 Dhe ja po vijnë disa qerre dhe çifte kalorësish". Atëherë ajo nisi të flasë përsëri: "Ra, ra Babilonia"! Të gjitha shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të saj janë për tokë të copëtuara.

10 O populli im, atë që kam shirë dhe shkelur në lëmin tim, atë që kam dëgjuar nga Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, unë ta kam njoftuar!".

11 Profecia kundër Dumahut. Më bërtasin nga Seiri: "Roje, në ç'pikë ka arritur nata? Roje, në ç'pikë ka arritur nata?".

12 Roja përgjigjet: "Vjen mëngjesi, pastaj edhe nata. Në rast se doni të pyesni, pyesni, pra; kthehuni, ejani".

13 Profecia kundër Arabisë. Do ta kaloni natën në pyjet e Arabisë, o karvanë të Dedamitëve.

14 I dilni para të eturit duke i sjellë ujë, o banorë të vendit të Temas; i kanë dalë përpara ikanakut me bukën e tyre.

15 Sepse ata ikin para shpatave, para shpatës së zhveshur, para harkut të nderur, para tërbimit të betejës.

16 Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Për një vit, ashtu si viti i një argati me mëditje, tërë lavdia e Kedarit do të zhduket;

17 dhe ajo që do të mbetet nga numri i harkëtarëve, njerëzit trima të bijve të Kedarit, do të jetë një gjë e vogël, sepse ka folur Zoti, Perëndia i Izraelit".