Dhjata e Vjetër
< ISAIA >
Kapitulli 26
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | 32 | 33 | 34 | 35 | 36 | 37 | 38 | 39 | 40 | 41 | 42 | 43 | 44 | 45 | 46 | 47 | 48 | 49 | 50 | 51 | 52 | 53 | 54 | 55 | 56 | 57 | 58 | 59 | 60 | 61 | 62 | 63 | 64 | 65 | 66


1 Atë ditë do të këndohet kjo këngë në vendin e Judës: "Ne kemi një qytet të fortë; Perëndia ka vënë shpëtimin për mure dhe për bastione.

2 Hapni portat dhe le të hyjë kombi i drejtë, që ruan besnikërinë".

3 Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.

4 Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm.

5 Ai ka përulur ata që rrinin lart, ka ulur qytetin e lartë, e ka ulur deri në tokë, e ka hedhur në pluhur;

6 këmbët e shkelin, pikërisht këmbët e të varfërit dhe hapat e mjeranëve.

7 Rruga e të drejtit është e drejtë; o Perëndi i drejtë, ti sheshon shtegun e të drejtit.

8 Po, në rrugën e gjykimeve të tua, o Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.

9 Me shpirtin tim të dëshiroj natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët; sepse kur shfaqen gjykimet e tua mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë.

10 Në rast se falet i pabesi, ai nuk do ta mësojë drejtësinë; ai do të veprojë në mënyrë të çoroditur në vendin e ndershmërisë dhe nuk do të mund të shikojë madhështinë e Zotit.

11 O Zot, dora jote është ngritur, por ata nuk e shohin. Por ata do ta shohin zellin tënd për popullin tënd dhe do të mbeten të hutuar; po, zjarri i armiqve të tu do t'i përpijë.

12 O Zot, ti do të vendosësh paqen për ne, sepse ti kryen për ne çdo vepër tonën.

13 O Zot, Perëndia ynë, zotër të tjerë, veç teje, na kanë sunduar; por vetëm për ty të mbajmë mend emrin.

14 Të vdekurit nuk do të rijetojnë më, ata që shkuan nuk do të vijnë më; prandaj ti i ke ndëshkuar, ke shkatërruar dhe ke zhdukur çdo kujtim të tyre.

15 Ti e ke rritur kombin, o Zot, e ke rritur kombin, je përlëvduar; i ke zgjeruar tërë kufijtë e vendit.

16 O Zot, në çastet e fatkeqësisë të kanë kujtuar, kanë bërë një lutje kur ndëshkimi yt po i godiste.

17 Ashtu si një grua me barrë që është gati për të lindur dhe përpëlitet dhe ulërin nga të prerat që ka, kështu kemi qenë ne para teje, o Zot.

18 Jemi ngjizur, kemi ndjerë dhembjet, ashtu sikur të kishim për të lindur, por ishte vetëm erë; nuk i kemi dhënë asnjë shpëtim vendit dhe banorët e botës nuk kanë rënë.

19 Të vdekurit e tu do të rijetojnë, bashkë me kufomën time, do të ringjallen. Zgjohuni dhe gëzohuni, o ju që banoni në pluhur! Sepse vesa jote është si vesa e një drite që shkëlqen dhe toka do të nxjerrë në dritë të vdekurit.

20 Shko, o populli im, hyr në dhomat e tua, mbylli portat e tua prapa teje; fshihu për një çast, deri sa të kalojë zemërimi.

21 Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij për të ndëshkuar paudhësinë e banorëve të tokës; toka do të nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do të t'i fshehë më të vrarët e saj.