Iluminizmi i Emanuel Kantit/3
Por, një shoqatë klerikale, psh një mbledhje kishtare, ose një e përnderuar klasë (si ç’quhet kjo në Hollandë) nuk mund të bëhet shkak që të detyrojë nëpërmjet betimit, (bindjes së verbër – shën im) pandryshueshmërinë e doktrinës, në mënyrë që të kontrollojë nga sipër dhe pandërprerë, çdo njërin anëtar, e nëpërmjet këtyre popullin, dhe... kështu do ta bëjnë të përjetëshme? Unë them se është absolutisht e pamundur. Një kontratë e tillë, që do të kishte si përfundim synimin për të larguar përgjithmonë ndriçimin e mëtejmë të racës njerëzore, është absolutisht acaruese dhe e pavlefëshme; duhet të jetë edhe e miratuar nga fuqi supreme, nga kuvendi (d) imperial dhe nga më madhështorët traktate paqeje. Një epokë s’mund t’i detyrohet pasardhëses në një gjendje të tillë që ajo (pasardhësja – shën im) ta ketë të pamundur të zgjerojë njohuritë (veçanërisht mbi një lloj kaq të domosdoshëm) të korrigjojë gabimet dhe veçanërisht të zhvillohet drejt iluminizmit. Do të qe krim ndaj natyrës njerëzore, zanafilla e të cilës është pikërisht progresi; dhe pasardhësit kanë të drejtën e tyre t’i flakin këto traktate, si të paligjëshme dhe të shthurura. Guri i provës i gjithçkaje që mund të vendoset si ligj mbi një popull, qëndron tek pyetja: një popull, vërtet mund t’i diktojë vetvetes një ligj të tillë? Tashmë, e mundur do qe për një periudhë kohe të shkurtër, në një farë mënyre, në pritje të një ligji më të mirë, qëllimi i të cilit është t’i japë shtysë rendit, mjaft që të lerë të lirë qytetarët në përgjithësi. Veçanërisht klerikët, në cilësinë e studiuesve, të bëjnë publike, dmth me shkrime, vërejtjet mbi çfarë u mungon institucioneve në fuqi, ndërsa rendi të cilit i është dhënë nisma, të zgjatë derisa të kuptuarit e përbajtjes së këtyre gjërave të realizohet dhe pohoet hapur, me një shtrirje të tillë që qytetarët, njëzëri (ndoshta jo të të gjithëve) të shpien para fronit një propozim, me pikësynimin që ai të marrë në mbrojtje këto bashkësi të njësuara dhe përmirësuara pikërisht sipas konceptit të tyre, në një organizëm fetar të ndryshuar, pa penguar të tjerët, ata që kënaqen me gjendjen e mëparëshme. Por, të bashkohesh me një institucion fetar të pandryshueshëm, askush të mos e verë në dyshim, qoftë edhe për një periudhë kohe të gjatë sa jeta e njeriut, e thënë ndryshe, të anullosh një periudhë kohe në progresin e njerëzimit drejt përmirësimit, ta shterpëzosh, madje ta bësh dëmprurëse edhe për pasardhësit, është absolutisht e paligjëshme. Një njeri mundet, po, për veten e tij ta pranojë iluminizmin për aq sa i leverdis, qoftë edhe vetëm për pak kohë, por ta mohosh, si për veten tënde, e më keq edhe për trashëgimtarët, do të thotë të dhunosh e shkelësh të drejtat e shenjta të njerëzimit. Çfarë një popull s’mund t’ia vendosë vetes, aq më pak një monark e vendos mbi popullin, meqënëse autoriteti i tij legjislativ bazohet pikërisht mbi faktin që ai bashkon gjithë vullnetin e popullit tek i tiji. Mjaft të mbikqyrë që çdo përmirësim, i vërtetë ose i hamendësuar, të respektojë rendin, në këtë rast ai s’mund të bëjë ndryshe veç të lejojë nështetasit të ndjekin çfarë është e nevojëshme për ta, për të realizuar shpëtimin e shpirtit të tyre, gjë që s’duhet t’i interesojë, ndërkaq mbetet detyrë e tij të shmangë që dikush të pengojë me dhunë dikë që shfrytëzon gjithë zotësinë e tij, për qëllimet dhe përparimin e tij. Ai fyen, deri edhe madhërinë e tij, nëse përzjehet me këto gjëra, duke denjuar kontrollin qeveritar, shkrimet në të cilat nënshtetasit kërkojnë të sqarojnë pikpamjet e tyre, sikurse, të njëjtën gjë bën edhe vetë, nga lartësia supreme e pikpamjeve, në mënyrë që të shmangë vërejtjen Caesar non est supra grammaticos, (e) si edhe, e ndoshta më shumë, kur e ul fuqinë e tij supreme deri në atë nivel sa të mbështetë despotizmin shpirtëror të disa tiranëve që gjenden në shtetin e tij, në dëm të nënshtetasve të tjerë. Atëhere, nëse pyetet: jetojmë tani në një epokë të ndriçuar? Përgjigja është: jo, por sigurisht në një epokë të iluminizmit. Që njerzit, shoqëria, në tërësinë e rrethanave të sotme, të vihen në kushte që të shfrytëzojnë me siguri intelektin e tyre, pa ndihmën e tjetërkujt, për çështjet fetare, është diçka e cila do të mungojë për mjaft kohë. Por, sot atyre u është krijuar mundësia për të qënë të lirë dhe pengesat ndaj iluminizmit universal, apo dalja nga minoriteti për të cilin janë fajtorë vetë, gradualisht po sheshohen, shenjat janë të dukëshme. Nga ky këndvështrim, kjo periudhë është e iluminizmit, ose shekulli i Federikos.
< 2 |
faqe - 3 - |
4 > |