KUR TALENTI DHE PUNA BËHEN DRITË ...


Ballina
faqe
- 1 -

Faqe 2
Ishte një befasi e këndshme për mua, ardhja e këtij libri me plot kuptim dhe vlera. Ai u bë pjesë e imja, teksa kisha lexuar me ëndje dramën –satirë “Shtëpia e burrave me mustaqka” dhe monodramën “Erosmetri”. Me këtë të fundit isha duke punuar platformën regjisoriale, për ta sjellë në jetën skenike.
E përbashkëta e këtyre veprave është një stil tepër i shkathët,i freskët, interesant dhe me humor të hollë, gati në filigramë, plot shëndet dhe gjallëri.Autori i këtyre punëve të bukura është i njëjtë:Hysen Kobellari.
E kam njohur vite më parë këtë shkrimtar të ri, teksa përpiqej të mësonte sekretet e skenës dhe të përcillte në shtyp jetën e gjallë, plot suksese të teatrit tonë.
Aktiv edhe me heshtjen e tij, përherë kërkues i së bukurës në jetë dhe shoqëri, shkrimtari mban qëndrim ndaj të gjitha dukurive shoqërore, thellohet në to, sheh atje ku të tjerët nuk vërejnë asgjë, mediton, godet.
I thjeshtë në dukje, i thelluar në botën e vet, gjithmonë buzagas, punëtor e këmbëngulës, autori i këtij libri shpesh më ka kujtuar rininë e kohës sime, plot punë e sakrifica, plot pasion e suksese...
Gjithmonë kam patur shpresën dhe bindjen, që suksesi për njerëz të tillë do të buisë dalëngadalë, si bumbeskat në sythet e begatë të pemës, derisa të shpërthejë pastaj,në një stinë të ngrohtë,ashtu siç shpërthejnë lulet në një pemtore parajse ...
Talenti i vërtetë dhe puna këmbëngulëse, përherë bëhen dritë, që të ndriçojnë jetën e njerëzve, t’i japin asaj gjallëri, gëzim, shije e kuptim.
I uroj, me gjithë zemër, udhë të mbarë këtij libri të ri !
Dhimitër ORGOCKA, aktor, regjisor,
Artist i Merituar.

Ballina
faqe
- 1 -

Faqe 2