Dhjata e Vjetër
< 1 I SAMUELIT >
Kapitulli 31
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31

1 Filistejtë u ndeshën me Izraelin dhe Izraelitët ua mbathën para Filistejve, dhe ranë të vrarë në malin Gilboa.

2 Filistejtë ndoqën me furi Saulin dhe bijtë e tij; kështu Filistejtë vranë Jonathanin, Abinadabin dhe Malkishuahun, bij të Saulit.

3 Beteja u ashpërsua kundër Saulit; harkëtarët e arritën dhe ai u plagos rëndë prej tyre.

4 Sauli i tha shërbëtorëve të tij: "Nxirre shpatën tënde dhe më shpo me të; të mos vinë këta të parrethprerë të më shpojnë dhe të tallen me mua". Por shqyrtari i tij nuk deshi ta kryejë këtë veprim, sepse e kishte zënë një frikë e madhe. Atëherë Sauli mori shpatën dhe u hodh mbi të.

5 Kur shqyrtari pa se Sauli kishte vdekur, edhe ai u hosh mbi shpatën e vet dhe vdiq me të.

6 Kështu po atë ditë vdiqën bashkë Sauli, tre bijtë e tij, shqyrtari dhe tërë njerëzit e tij.

7 Kur Izraelitët që ndodheshin matanë luginës dhe matanë Jordanit panë që njerëzit e Izraelit ua kishin mbathur me vrap dhe që Sauli dhe bijtë e tij kishin vdekur, braktisën qytetet dhe ua mbathën. Atëherë erdhën Filistejtë dhe u vendosën aty.

8 Të nesërmen Filistejtë erdhën për të zhveshur të vrarët dhe gjetën Saulin dhe tre bijtë e tij të rënë në malin Gilboa.

9 I prenë kokën Saulit, e zhveshën nga armatimi i tij dhe dërguan lajmëtarë në tërë vendin e Filistejve për ta çuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe popullit.

10 E vendosën pastaj armaturën e tij në tempullin e Ashtarothit dhe e varën kufomën e tij në muret e Beth-Shanit.

11 Por kur banorët e Jabeshit të Galaadit mësuan atë që Filistejtë i kishin bërë Saulit,

12 tërë njerëzit trima u ngritën, ecën tërë natën dhe hoqën nga muret e Beth-Shanit kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij; pastaj u kthyen në Jabesh dhe këtu i dogjën ato.

13 Pastaj muarrën kockat e tyre, i varrosën poshtë marinës në Jabesh dhe agjëruan shtatë ditë me radhë.