Dhjata e Vjetër
< 1 I SAMUELIT >
Kapitulli 28
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31

1 Ato ditë Filistejtë mblodhën ushtrinë e tyre për të luftuar Izraelin. Atëherë Akishi i tha Davidit: "Dije mirë që duhet të dalësh të luftosh bashkë me mua, ti dhe njerëzit e tu".

2 Davidi iu përgjegj Akishit: "Ti me siguri ke për të parë atë që do të bëjë shërbëtori yt". Atëherë Akishi i tha Davidit: "Mirë, pra, unë do të të bëhem roje personale për gjithnjë".

3 Samueli kishte vdekur dhe gjithë Izraeli e kishte qarë, e kishin varrosur në Ramah, në qytetin e tij. Dhe Sauli kishte përzënë nga vendi mediumet dhe shortarët.

4 Kështu Filistejtë u mblodhën dhe erdhën të fushojnë në Shunem, ndërsa Sauli mblodhi tërë Izraelin dhe fushoi në Gilboa.

5 Kur Sauli pa ushtrinë e Filistejve pati frikë dhe zemra e tij u drodh fortë.

6 Kështu Sauli i kërkoi këshillë Zotit dhe Zoti nuk iu përgjegj as me anë të ëndrrave, as nëpërmjet Urimit dhe as me anë të profetëve.

7 Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një grua që të jetë mediume, me qëllim që unë të mund të shkoj tek ajo për t'u këshilluar". Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, në En-Dor ka një grua që është mediume".

8 Kështu Sauli u vesh ndryshe për të mos u njohur dhe u nis me dy burra. Arritën tek ajo grua natën dhe Sauli i tha: "Bëj një shortari për mua, të lutem, me një seancë spiritizmi dhe më thirr atë që do të të them".

9 Gruaja iu përgjegj: "Ja, ti e di ç'ka bërë Sauli; ai i ka shfarosur nga vendi mediumet dhe shortarët. Pse i ngre një grackë jetës sime, për të shkaktuar vdekjen time?".

10 Atëherë Sauli iu betua në emër të Zotit, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë!".

11 Gruaja i tha: "Cilin duhet të të nxjerr?". Ai i tha: "Më nxirr Samuelin".

12 Kur pa Samuelin, gruaja bërtiti me zë të lartë; dhe gruaja i tha Saulit: "Pse më mashtrove? Ti je Sauli!".

13 Mbreti iu përgjegj: "Mos ki frikë; çfarë shikon?". Gruaja i tha Saulit: "Shoh një qenie mbinjerëzore që ngrihet nga toka".

14 Ai e pyeti: "Ç'formë ka?". Ajo u përgjegj: "Éshtë një plak që po ngjitet dhe është mbështjellë me një mantel". Atëherë Sauli kuptoi se ishte Samueli, u përul me fytyrën për tokë dhe ra përmbys.

15 Samueli i tha Saulit: "Pse më shqetësove duke bërë që të dal?". Sauli iu përgjegj: "Ndodhem në një ankth të madh, sepse Filistejtë më luftojnë dhe Perëndia është larguar nga unë, dhe nuk më përgjigjet

16 Samueli i tha: "Pse këshillohesh me mua, në qoftë se Zoti është larguar nga ti dhe është bërë armiku yt?

17 Zoti veproi ashtu siç kishte thënë nëpërmjet meje. Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit,

18 sepse nuk iu binde zërit të Zotit dhe nuk zbatove në jetë zemërimin e thellë të tij kundër Amalekut; për këtë arsye Zoti të bëri sot këtë gjë.

19 Zoti do ta japë edhe Izraelin bashkë me ty në duart e Filistejve; nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua. Zoti do të japë gjithashtu ushtrinë e Izraelit në duart e Filistejve.

20 Atëherë Sauli ra menjëherë për së gjati për tokë, sepse ishte trembur shumë nga fjalët e Samuelit; ai kishte qenë edhe më parë pa fuqi, sepse nuk kishte ngrënë tërë atë ditë dhe tërë atë natë.

21 Gruaja iu afrua Saulit dhe duke e parë të tmerruar fare, i tha: "Ja, shërbëtorja jote iu bind zërit tënd; unë vura në rrezik jetën time për t'iu bindur fjalëve që më the.

22 Prandaj dëgjo edhe ti zërin e shërbëtores sate dhe lermë të vë para teje një copë buke; ha, sepse kështu do të marrësh fuqi për ta rifilluar rrugën".

23 Por ai refuzoi dhe tha: "Nuk do të ha". Por shërbëtorët e tij bashkë me gruan ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi; kështu u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat.

24 Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë; e theri shpejt e shpejt, pastaj mori miellin, gatoi brumin dhe përgatiti disa bukë pa maja.

25 I vuri këto ushqime Saulit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ata i hëngrën; pastaj u ngritën dhe u nisën po atë natë.