Dhjata e Vjetër
< 1 I SAMUELIT >
Kapitulli 3
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31

1 Samueli i ri i shërbente Zotit në prani të Eliut. Fjala e Zotit ishte e rrallë në ato ditë, dhe nuk kishte ndonjë zbulesë të gjerë.

2 Në atë kohë Eli rrinte shtrirë në vendin e tij të zakonshëm (tani shikimi i tij kishte filluar të errësohej dhe ai nuk mund të shikonte).

3 Llampa e Perëndis nuk ishte shuar akoma dhe Samueli ishte shtrirë në tabernakullin e Zotit, ku gjendej edhe arka e Perëndisë.

4 Atëherë Zoti thirri Samuelin që u përgjegj: "Ja ku jam!".

5 Pastaj vrapoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Ai u përgjegj: "Unë nuk të kam thirrur, shko të flesh". Kështu ai vajti të flerë.

6 Zoti e thirri përsëri Samuelin. Dhe Samueli u ngrit, shkoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Por ai u përgjegj: "Biri im, unë nuk të kam thirrur; shko të flesh".

7 (Por Samueli nuk e njihte akoma Zotin, dhe fjala e tij nuk i ishte shfaqur akoma).

8 Zoti e thirri përsëri për të tretën herë Samuelin. Kështu ai u ngrit, shkoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Atëherë Eli kuptoi që Zoti e thërriste të riun.

9 Prandaj Eli i tha Samuelit: "Shko e bjer dhe, në qoftë se të thërret prapë, do të thuash: "Folë, o Zot, sepse shërbëtori yt të dëgjon"". Kështu Samueli vajti të shtrihet në vendin e tij.

10 Pastaj Zoti erdhi, u vendos aty afër dhe thirri si herët e tjera: "Samuel, Samuel!". Samueli u përgjegj: "Folë, sepse shërbëtori yt të dëgjon".

11 Atëherë Zoti i tha Samuelit: "Ja, jam duke bërë në Izrael një gjë që do të shungullojë veshët e kujtdo që ka për ta dëgjuar.

12 Atë ditë unë do të kryej kundër Eliut të gjitha ato që thashë lidhur me shtëpinë e tij, nga fillimi deri në fund.

13 Po i deklaroj që jam bërë gati të ndëshkoj shtëpinë e tij për gjithnjë, për shkak të paudhësisë që e karakterizon, sepse bijtë e tij janë bërë të neveritshëm dhe ai nuk i ka frenuar.

14 Prandaj unë i betohem shtëpisë së Elit që paudhësia e shtëpisë së Elit nuk do të shlyhet kurrë me flijime dhe me blatime".

15 Samueli mbeti i shtrirë deri në mëngjes, pastaj hapi dyert e shtëpisë së Zotit. Ai kishte frikë t'i tregonte Elit vegimin e tij.

16 Por Eli thirri Samuelin, duke thënë: "Samuel, biri im!". Ai u përgjegj: "Ja ku jam".

17 Ai tha: "Çfarë të tha? Të lutem, mos më fshih asgjë. Perëndia veproftë ashtu me ty, madje edhe më keq, në rast se ti më fsheh diçka nga të gjitha ato që të tha".

18 Samueli ia tregoi atëherë të gjitha, pa i fshehur asgjë. Dhe Eli tha: "Ai është Zoti; le të bëjë atë që i pëlqen atij".

19 Ndërkaq Samueli rritej; dhe Zoti ishte me të dhe nuk la të shkonin kot asnjë nga fjalët e tij.

20 Tërë Izraeli, nga Dani deri tek Beer-Sheba, mësoi që Samueli ishte bërë profet i Zotit.

21 Zoti vazhdonte t'i shfaqej në Shiloh, sepse në Shiloh Zoti i shfaqej Samuelit me anë të fjalës së vet.