Kushtetuta e Kaçanikut - pjesa e shtatë

l. KUVENDI I REPUBLIKES

redakto

Neni 96 Kuvendi i Republikës është organ i pushtetit ligjdhënës.

Neni 97 KUVENDI I REPUBLIKES:

  1. vendos për nxjerrjen dhe ndryshimin e Kushtetutës së Republikës, si dhe jep pëlqimin mbi aktin më të lartë të bashkësisë së Jugosllavisë;
  2. përcakton politikën, nxjerr ligje dhe dispozita të tjera si dhe akte të përgjithshme;
  3. miraton planin e zhvillimit, planin hapësinor, buxhetin dhe llogarinë përfundimtare;
  4. vendos për ndryshimin e kufijve të Republikës;
  5. përcakton organizimin teritorial të Republikës;
  6. vendos për luftën dhe paqën;
  7. ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare;
  8. shpall referendumin republikan;
  9. shpall huat publike republikane dhe vendos për hyrjen borxh të Republikës;
  10. zgjedh dhe shkarkon: kryetarin dhe nënkryetarin e Kuvendit të Republikës, kryetarin, nënkryetarin dhe ministrat në Qeverinë e Republikës,

kryetarin dhe gjyqtarët e Gjyqit Kushtetues, Gjyqit Suprem dhe të gjyqeve të regullta në Republikë,prokurorin publik republikan dhe prokurorët publik në Republikë dhe bartësit e tjerë të funksioneve publike të caktuara me ligj; ll. bënë kontrollin e punës së Qeverisë dhe të organeve të tjera, si dhe bartësve të funksioneve publike që janë përgjegjës përpara Kuvendit të Republikës, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin; l2. shpall zgjedhjet e parakohëshme për kuvendet e komunave dhe të Qytetit në rastet kur konstaton se është bërë shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe e ligjit, si dhe kur janë cënuar të drejtat e qytetarëve dhe të nacionaliteteve; l3. amniston kryesit e veprave penale; l4. shpall ligjet; l5. jep interpretime autentike të ligjeve; l6. kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.

Neni 98 Kuvendi i Republikës përbëhet nga një dhomë dhe ka 130 deputetë. Deputetët zgjedhen në zgjedhjet e lira, të drejtëpërdrejta, me vota të fshehta. Kandidatët për deputetë mund t'i propozojnë: partitë politike, lëvizjet, lidhjet, shoqatat dhe grupet e qytetarëve. Mënyra e zgjedhjes dhe e revokimit të deputetëve dhe formimi i njësive zgjedhore regullohen me ligj.

Neni 99 Deputeti përfaqëson qytetarët e njësisë zgjedhore në të cilën zgjedhet. Deputeti është përgjegjës para zgjedhësve të njësisë zgjedhore.

Neni 100 Deputeti gëzon imunitet. Deputeti nuk mund të thirret në përgjegjësi penale, të arrestohet apo të dënohet për mendimin e shprehur ose për dhënien e votës në Kuvendin e Republikës.

Deputeti nuk mund të arrestohet pa lejen e Kuvendit te Republikës, e në qoftë se thirret në imunitet, kundër tij nuk mund të inicohet procedura penale pa lejen e Kuvendit të Republikës. Deputeti mund të arrestohet pa lejen e Kuvendit të Republikës vetëm në qoftë se është zënë në kryerjen e veprës për të cilën është përcaktuar dënimi me burg në kohëzgjatje më tepër se pesë vjetë. Kuvendi i Republikës mund të vendosë që të zbatohet imuniteti ndaj deputetit i cili nuk është thirrë në imunitet në qoftë se kjo është e nevojshme për kryerjen e funksionit të tij.

Neni 101 Deputetët zgjedhen për katër vjet.Po për këtë periudhë zgjedhet edhe kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës. Ditën e verifikimit të mandatit të deputetëve të rij pushon funksioni i deputetëve,mandati i të cilëve kalon. Kuvendi i Republikës, në rast rreziku të drejtëpërdrejtë nga lufta, ose në rast të gjendjes së luftës, vendos mbi zgjatjen e mandatit të deputetëve të Republikës, si dhe mbi zgjatjen e mandatit të deputetëve në kuvendet e komunave dhe të qytetit.

Neni 102 Kuvendi i Republikës mban mbledhje të rregullta. Mbledhja e Kuvendit mund të thirret edhe me kërkesë të Kryesisë së Republikës, të Qeverisë së Republikës, ose të më së paku 30 deputetëve me rend dite të përcaktuar më parë. Kuvendi i Republikës vendos në mbledhjen në të cilën merr pjesë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.Kuvendi merr vendime me shumicë votash, në qoftë se me Kushtetutë nuk është parashikuar shumica e posaçme. Të drejtën e propozimit të ligjeve dhe të dispozitave të tjera e kanë Qeveria, çdo deputet dhe më së paku 20.000 qytetar-bartës të të drejtës zgjedhore.

Neni 103 Kryetari i Kuvendit të Republikës, e në mungesë të tij, nënkryetari i Kuvendit, përfaqëson Kuvendin, thërret mbledhjet e Kuvendit, nënshkruan aktet që i nxjerr Kuvendi dhe shpall me dekret ligjet republikane, si dhe shpall zgjedhjet.

Neni 104 Për shqyrtimin e propozimit të ligjeve dhe të akteve të tjera dhe përcjelljen e realizimit të tyre, Kuvendi mund të formojë forume punuese të përhershme dhe të përkohëshme. Në Kuvend formohet Komisioni për liritë dhe të drejtat e qytetarëve si dhe barazinë nacionale.

Neni 105 Kuvendi i Republikës mund të vendosë që, për disa çështje nga kompetenca e tij, qytetarët të vendosin në referendum republikan.

Neni 106 Puna e Kuvendit të Republikës dhe e forumeve punuese, organizimi i tyre i brendshëm dhe të drejtat e detyrat e deputetëve rregullohen me Regulloren e punës.


2. KRYESIA E REPUBLIKES

redakto

Neni 107 Kryesia e Republikës së Kosovës përfaqëson Republikën.

Neni 108 Kryesia e Republikës:

  1. vendos mbi çështjet nga sfera e mbrojtjes popullore, në pajtim me Kushtetutën dheligjin dhe udhëheq rrezistencën popullore në luftë;
  2. miraton dekrete me fuqi ligjore, në rast të rrezikut të drejtëpërdrejtë nga lufta, gjatë kohës së gjendjes së luftës, rrezikimit të pavarësisë nacionale, ose të tërësisë teritoriale dhe pamundësisë së funksionimit të rregullt të organeve republikane në qoftë se Kuvendi i Republikës nuk ka mundësi të mbajë mbledhje. Me dekrete me fuqi ligjore mund të suprimohen disa dispozita të Kushtetutës që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe me organizimin, përbërjen dhe autorizimet e disa organeve republikane. Dekretet me fuqi ligjore Kryesia e Republikës ia paraqet Kuvendit të Republikës për verifikim menjiherë posa ai të ketë mundësi të mblidhet;
  3. përcakton planet dhe masat për mbrojtjen e vendit, jepë udhëzime për marrjen e masave për përgatitjen dhe mobilizimin e burimeve dhe forcave të vendit për mbrojtje dhe për kordinimin e planeve dhe të masave të subjekteve të tjera, përcakton ekzistimin e rrezikut të drejtëpërdrejt nga lufta, urdhëron mobilizimin e përgjithshëm dhe të pjesërishëm dhe, në qoftë se Kuvendi i Republikës nuk ka mundësi që të mbajë mbledhje, shpall gjendjen e luftës;
  4. përcakton planin e përdorimit të forcave të armatosura në rast lufte dhe urdhëron përdorimin e forcave të armatosura në paqë;
  5. vendos mbi çështjet nga sfera e politikës së jashtëme dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin;
  6. në marrëveshje me partitë politike, i propozon Kuvendit të Republikës kandidatin për kryetar të Qeverisë;
  7. i propozon Kuvendit të Republikës kandidatët për kryetar dhe gjyqëtar të Gjyqit Kushtetues;
  8. shqyrton dhe i propozon Kuvendit të Republikës dhe Qeverisë shqyrtimin e çështjeve me interes të përgjithshëm për Republikën;
  9. u fal dënimin kryersve të veprave penale;
  10. jep dekorata e mirënjohje të përcaktuara me ligj;
  11. kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.

Neni 109 Kryesia e Republikës ka kryetarin dhe gjashtë anëtarë të cilët i zgjedhin qytetarët e Republikës në zgjedhjet e lira, të drejtëpërdrejta, me vota të fshehta në pajtim me ligjin. Mandati i kryetarit dhe i anëtarëve të Kryesisë së Republikës zgjat katër vjetë. I njëjti person mund të zgjedhet në këtë detyrë më së shumti dy herë.

Në rast reziku të drejtëpërdrejtë nga lufta ose në rast të gjendjes së luftës, me vendimin e Kryesisë, mandati i anëtarëve të Kryesisë së Republikës mund të zgjatet deri sa të zgjatë gjendja e këtillë. Kryetari dhe anëtarët e Kryesisë së Republikës nuk mund të kryejnë funksion tjetër publik. Kryetari dhe anëtarët e Kryesisë së Republikës gëzojnë imunitet sikurse deputetët.

Neni 110 Kryesia e Republikës vendos me shumicën e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Kryesisë. Kryetari i Kryesisë përfaqëson Kryesinë, thëret mbledhjet e Kryesisë dhe i kryeson, nënshkruan aktet që i nxjerr Kryesia dhe kujdeset për zbatimin e akteve dhe përfundimeve të Kryesisë.

Neni 111 Kryesia e Republikës kryen punë nga kompetenca e vet në mbështetje dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjit dhe është përgjegjëse para qytetarëve të Republikës. Kryetari dhe anëtarët e Kryesisë përgjigjen për shkeljen e Kushtetutës. Përgjegjësinë e kryetarit ose të anëtarëve të Kryesisë së Republikës mundë ta inicojë më së paku dy të tretat e deputetëve ose Gjyqi Kushtetues i Kosovës.


3. QEVERIA E REPUBLIKES

redakto

Neni 112 Qeveria e Republikës është organ i pushtetit ekzekutiv.

Neni 113 Qeveria e Republikës:

  1. propozon dhe realizon politikën e Republikës dhe zbaton ligjet e dispozitat dhe aktet e tjera të Kuvendit të Republikës, në pajtim me Kushtetutën;
  2. miraton dekretligje, vendime dhe dispozita të tjera për zbatimin e ligjeve;
  3. propozon ligje, planin e zhvillimit, planin hapsinor, buxhetin dhe logarinë përfundimtare si dhe dispozita të tjera dhe akte të përgjithëshme;
  4. orienton punën e ministrive dhe organeve të tjera të administratës;
  5. bënë mbikqyrjen e punës së ministrive, abrogon ose anulon dispozitat e tyre që janë në kundërshtim me ligjin ose me dispozitat që i ka miratuar;
  6. përcakton organizimin e brenshëm të ministrive; formon shërbime profesionale dhe shërbime të tjera për nevojat e veta, cakton dhe shkarkon funksionarët në ministri;
  7. kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.

Neni 114 Qeverinë e përbëjnë kryetari, nënkryetarët dhe ministrat. Organizimi, mënyra e punës dhe vendosjes së Qeverisë rregullohet me ligj dhe me rregulloren e punës.

Neni ll5 Kandidati për Kryetar të Qeverisë ia paraqet Kuvendit të Republikës programin e vet dhe propozon përbërjen e Qeverisë. Qeveria konsiderohet e zgjedhur në qoftë se për zgjedhjen e saj voton shumica nga numri i përgjithshëm i deputetëve në Kuvend. Pas konstituimit të Kuvendit të Republikës zgjedhet edhe Qeveria. Kryetari,nënkryetarët dhe antarët e qeverisë gëzojnë imunitet sikurse deputetët.

Neni 116 Qeveria dhe çdo anëtar i saj për punën e vet i përgjigjen Kuvendit të Republikës. Qeveria dhe çdo anëtar i saj mundë t'i paraqesin dorëheqje Kuvendit të Republikës. Dorheqja ose shkarkimi nga detyra e kyetarit të Qeverisë tërheq dorheqjen e Qeverisë. Kryetari i Qeverisë mund t'i propozojë Kuvendit të Republikës shkarkimin e disa ministrave të Qeverisë. Kuvendi i Republikës mund të mos i japë votëbesim Qeverisë apo ndonjë anëtari të saj. Propozimin për votimin e mosbesimit të Qeverisë mund ta paraqesin më së paku 30 deputetë. Votimi për shkarkimin e Qeverisë mund të konsiderohet i miratuar, në qoftëse për këtë voton shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve të Kuvendit. Qeveria të cilës nuk i është dhënë votëbesimi, ose që ka paraqitur dorëheqje, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Neni 117 Ministritë janë bartëse të funksioneve administrative. Ministritë zbatojnë ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera të Kuvendit republikan dhe të Qeverisë, si dhe aktet e Kryesisë së Republikës, vendosin për çështjet administrative, bëjnë mbikqyrjen administrative dhe të inspektimit dhe kryejnë punë të tjera administrative të përcaktuara me ligj. Ministritë janë të pavarura në kryerjen e kompetencave të caktuara me Kushtetutë dhe ligj. Punën e ministrisë e udhëheqë ministri. Për punën e ministrisë, ministri i përgjigjet Kuvendit dhe Qeverisë. Organizimi dhe kompetenca e ministrive përcaktohen me ligj.


4. GJYQET DHE PROKURORITE PUBLIKE

redakto

Neni 118 Funksionin gjyqësor e ushtrojnë gjyqet e rregullta si organe të pushtetit shtetëror. Me ligj mund të themelohen edhe lloje të tjera të gjyqeve për zgjidhjen e kontesteve të caktuara.

Neni 119 Gjyqet e rregullta janë të pavarrura dhe gjykojnë vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.

Neni 120 Shqyrtimi në gjyq është publik. Për mbrojtjen e sekretit, mbrojtjen e moralit, interesave të të miturve ose mbrojtjen e interesave të tjera të përgjithshme, me ligj caktohet se në cilat raste në shqyrtim mund të përjashtohet opinioni. Gjyqi punon në kolegj. Me ligj mund të caktohet që disa çështje të gjykojë gjyqtari individual.

Neni 121 Në gjykim marrin pjesë gjyqtarët dhe gjyqtarët- qytetar, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Me ligj mund të përcaktohet se në disa gjyqe të caktuara dhe në disa çështje të caktuara të gjykojnë vetëm gjyqtarët.

Neni l22 Formimi, organizimi, kompetencat dhe përbërja e gjyqeve si dhe procedura para gjyqeve rregullohet me ligj.

Neni 123 Gjyqtarët e gjyqeve të rregullta zgjedhen dhe shkarkohen në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Neni 124 Gjyqet themelohen si gjyqe të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë. Gjyqi suprem i Kosovës është gjyqi më i lartë i Republikës.

Neni 125 Prokuroria publike është organ i pavarrur shtetëror i cili ndjek kryesit e veprave penale dhe të veprave të tjera të caktuara të dënueshme sipas ligjit dhe parashtron mjete juridike për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë. Prokuroria publike ushtron funksionin e vet vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Formimi,organizimi dhe kompetencat e Prokurorisë publike rregullohen me ligj.

Neni l26 Funksioni, mënyra e zgjedhjes dhe e shkarkimit të prokurorit publik rregullohet me ligj. Prokurori publik republikan kryen funksionin e Prokurorisë publike, në kuadër të të drejtave dhe të detyrave të Republikës në mënyrën e përcaktuar me ligj.

5. BANKA POPULLORE

redakto

Neni 127 Republika e ka Bankën Popullore. Statusi,organizimi, qeverisja dhe veprimtaria e Bankës Popullore rregullohet me ligj.


6. GJYQI KUSHTETUES I KOSOVES

redakto

Neni 128

Gjyqi Kushtetues i Kosovës:

  1. vendos mbi pajtueshmërinë e ligjeve, dispozitave e akteve të tjera dhe statuteve tëkomunave e të qytetit me Kushtetutën;
  2. vendos mbi pajtueshmërinë e dispozitave dhe të akteve të tjera të organeve republikane me ligjin;
  3. vendos mbi pajtushmërinë e të gjitha dispozitave dhe akteve të tjera me ligjin dhe dispozitën tjetër republikane;
  4. vendos mbi pajtushmërinë e statutit ose të aktit tjetër të partive politike, të lëvizjeve, të lidhjeve dhe të shoqatave me Kushtetutën përkatësisht mbi kundërshtinë me ligj;
  5. vendos mbi ndalimin e punës së partive politike, të lëvizjeve, të lidhjeve dhe të shoqatave;
  6. vendos mbi përgjegjësinë e kryetarit dhe të antarëve të Kryesisë së Republikës për shkelje të Kushtetutës;
  7. zgjedh çështjet kontestuese të zgjedhjeve në qoftë se nuk janë në kompetencë të gjyqeve dhe të organeve tjera shtetërore;
  8. kryen edhe punë të tjera që i janë lënë në kompetencë me Kushtetutë.

Gjyqi Kushtetues vlerëson kushtetutshmërinë e ligjeve dhe kushtetutshmërinë e ligjshmërinë e dispozitave e të akteve të tjera që kanë pushuar së vepruari, nëse nga pushimi i veprimit deri në fillimin e procedurës nuk ka kaluar më shumë se një vit.

Neni 129 Gjyqi Kushtetues përbëhet nga shtatë gjyqtarë. Funksioni i gjyqtarit të Gjyqit Kushtetues zgjat tetë vjet dhe mundet përsëri të zgjidhet në të njejtin funksion. Kryetari i Gjyqit Kushtetues zgjedhet nga radhët e gjyqtarve për katër vjet dhe mund të zgjedhet edhe për një periudhë mandatore. Gjyqtari i Gjyqit Kushtetues nuk mund të ushtrojë funksione të tjera me autorizime publike ose funksione profesionale. Gjyqtari i Gjyqit Kushtetues gëzon imunitet sikurse deputetët në Kuvend.

Neni 130 Gjyqtari i Gjyqit Kushtetues shkarkohet sipas kërkesës së vetë, nëse dënohet për vepër penale me dënim heqje lirije, nëse humb përherë aftësinë e punës për të ushtruar funksionin e vet dhe kur t'i plotësojë kushtet për realizimin e të drejtës në pensionin e pleqërisë të përcaktuar me ligj.

Gjyqi Kushtetues e njofton Kuvendin mbi ekzistimin e shkaqeve për shkarkimin e gjyqtarit të Gjyqit Kushtetues. Gjyqi Kushtetues mundë të vendosë që gjyqtari i Gjyqit Kushtetues kundët të cilit ka filluar procedura penale të mos ushtrojë detyrën deri sa të zgjasë kjo procedurë.

Neni 131 Secili mund të marrë inisiativë për fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Procedurën para Gjyqit Kushtetues e fillojnë organet shtetërore. Gjyqi Kushtetues mundet edhe vetë ta fillojë procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë.

Neni l32 Gjyqi Kushtetues vendos me shumicën e votave të anëtarëve të gjyqit. Vendimet e Gjyqit Kushtetues janë të obligueshme dhe të ekzekutueshme.

Neni 133 Kur Gjyqi Kushtetues vërteton se ligji, dispozita ose akti tjetër i komunës e i qytetit nuk është në pajtim me Kushtetutën, ai ligj, dispozita ose akti tjetër ose statuti i komunës e i qytetit pushon së vepruari. Kur Gjyqi Kushtetues vërteton se dispozita republikane,dispozita dhe akti tjetër nuk është në pajtim me ligjin, dispozita ose akti tjetër pushon së vepruari.

Neni l34 Procedura para Gjyqit Kushtetues dhe efekti juridik i vendimeve të tij rregullohen me ligj. Organizimin e Gjyqit Kushtetues e rregullon Gjyqi Kushtetues me rregulloren e punës.