Shqiptarët/3
- Shqipëria është bërë lëmi i ndikimeve të shumëllojshme qe e tërheqin në
- drejtime të ndryshme. S’ka vullnet, s’ka program e as autoritet të
- njohur në këtë tokë. Propaganda, intriga dhe shpifjet e fshehin të
- vërtetën. Këtë e raporton Dr. Dillone nga Durrësi.
- Kur gjashtë fuqitë e mëdha hartuan një plan qeverimi për Shqipërinë, vepra e tyre tregoi një pazotësi të çuditshme, sepse ai qe një plan që i nuk përshtatesh një shteti si ky. Marrëveshja e Londrës përmbante nenet: (1) Një principatë autonome, sovrane, me të drejtë trashëgimi të fronit nga të paslindurit dhe nën sigurimin e gjashtë fuqive të mëdha. (4) Kontrollimi i administratave qytetare dhe i financave i jepet një komisioni ndërkombëtar të përbërë prej delegatësh të gjashtë fuqive të mëdha dhe një delegati të Shqipërisë. (7) Emërimi i princit, formimi i një qeverie kombëtare përfundimtare, funksionet e autoriteve të vendit që ndodhen si dhe qetësija e popullit i lihen në dorë komisionit në fjalë. (8) Sigurimi i popullit dhe rregulli do të bëhet prej një organizate xhandarmërie e policie ndërkombëtare, që do të jetë në dorë të oficerëve të huaj të cilët do të kenë në dorë komandën vepruese dhe eprore të policisë e të xhandarmërisë, dhe të gjithë elementëve të nevojshëm për të siguruar qetësinë e popullit.
- I lutem lexuesit me i studiuar këto pika që të formojë një vetgjykim se si mund të formohet një shtet mbi një plan si ky? Tre funksionet e një shteti janë: egzekutimi, legjislatura dhe administrimi i gjyqit. Shihet se dy të fundit nuk janë përmendur veçse si një lloj autoriteti i lënë komisionit ndërkombëtar për të formuar një qeveri kombëtare me autoritet. Funksioni egzekutiv natyrisht përfshin një kryetar egzekutues që do të ketë kontrollimin e administratave qytetare dhe të sigurimit të popullit. Marrëveshja (e Londrës) përmban një princ, por ia dha komisionit ndërkombëtar kontrollimin e administratave qytetare dhe të financave. Dhe në njërën anë e vendos sigurimin e popullit nën komisionin ndërkombetar, kurse në anën tjetër thotë: “komanda vepruese dhe eprore për të mbajtur qetësinë e popullit i jepet një organizatë ndërkombtare të kryesuar prej oficerësh të huaj”. Se çfar fuqirash i mbeten princit nuk kuptohet, kurse administratat, financat dhe sigurimi i popullit iu dhanë duarve të tjera. Sipas vendimit të marrëveshjes (së Londrës), princi do të zgjidhesh pa pyetur dëshirat e popullit dhe funksionet e autoriteteve të vendit e sigurimi i popullit u hoqën nga duart e popullit. Nuk qe vënë përpara ndonjë statut në bazë të cilit të qeverisej ky popull dhe asnjë premtim nuk i qe bërë për një liri të plotë ose për të ushtruar të drejtat tradicionale. Këtu qe vetëm një sundim tiranik dhe një despotizëm të deklaruar me urgjencë. Me sa gjykohet, kjo qe një anarki për të shkaktuar kryengritje. Po të mos ngrihesh populli Shqiptar në formën e quajtur rebelizëm, për Shqiptarët nuk do të besohej mjaft dhe do të thuhej se këta nuk kanë ide mbi lirinë që kërkojnë. Nga kjo marrëveshje e Londrës doli një ngatarresë sa nuk bëhesh më e madhe dhe më e keqe. Fuqitë e mëdha pastaj vijuan programin e tyre duke zgjedhur për antarë të komisionit gjashtë persona me pozita konsujsh. Pa e fyer këtë pozitë diplomatike, kjo vepër qe një punë e keqe sepse lëshimi i një shteti në duar të tilla nuk qe në duar të njerëzve me përvoje diplomatike. Sigurisht, që formimi i një shteti nuk u vendos në duar të përshtatshme tregohet nga fruti i veprës së tyre.
- Qeveria e Vidit
- Si princ i kësaj principate u zgjodh Uilliami i Vidit, major i gardës Potsdam Lancers, një zotëri pa farë përvoje në qeverisje dhe pa vetitë e duhura për një kryetar shteti. Ai qe nip i Mbretëreshës së Rumanisë, e quajtur Karmen Silvia, dhe duhet shënuar se përkrahja financiare dhe shtyrja e saj si dhe detyrimi i gruas se tij ambicioze u bënë shkak që ky të pranojë këtë detyrë. Tragjedia e gabimeve filloi para se të vinte Princi në Durrës. Esad Pasha, kryetar i ca fiseve të Shqipërisë së Mesme, pa pasur autorizim prej popullit, shkoi në mënyrë solemne dhe i dhuroi kurorën Princit Vid në emër të Shqipërisë. Që në ditët e para tërhoqi vërejtjen një zënie midis nëpunësit të pallatit me mjekun e oborrit, e cila përfundoi me ikjen e shpejtë e shumë zemërueshem të mjekut nga Shqipëria. Komisioni Ndërkombëtar në bazë të marrëveshjes së Londrës priste që princi të vinte me bashkëpunuar me të për të zgjidhur problemet e ndryshme të shtetit. Por shpejt e mësua se Vidi po vinte si mbret dhe kishte kërkuar që të pritet me gjithë madhështitë që i kanë hije një pritjeje mbretërore. Kur ata deshën të bëjnë ca paragatitje dhe për këtë deshën të bashkëpunojne me nëpunësin e pallatit, ai u përgjegj se nuk kishte kohe me humbë me ta. Se me ç’të drejtë Princ Vidi e mori titullin mbret askush s’ka qenë i zoti ta shpjegojë. Ai në marrëveshjen e Londrës figuron si Princ.
- Në fjalimin e tij mbretëror (!?) princi theksoi se do të mund të kishte rast me bashkpunuar me komisionin ndërkombëtar, kurse marrëveshja (e Londrës) e thotë që ai duhet të bashkëpunojë. Qeverimi ose mbretërimi filloi duke i ofenduar haptazi përfaqësuesit e fuqive të mëdha, të cilët kishin në dorë portofolin dhe pothuaj gjithë autoritetin, (sepse ata kishin kontrollin e financave dhe të administratave - shën. përkth.). Princi emëroi një kabinet, por ministrat e tij nuk kishin autoritet të caktuar ose të dalluar dhe në këtë mënyrë çdo gjë që morën përsipër komisioni e kundërshtoi. Ndërkaq epirotët, që zenë Shqipërinë e Jugut, deklaruan pavarësinë e tyre. Esad Pasha kërkoi 25000 vetë të armatosur për t’i shtruar këta, por ushtarë nuk kish. Koloneli hollandez Tompson që kishte komandën e xhandamërisë u ngarkua me mision prej princit për të bërë marrëveshje me “epirotet”. Ai fitoi besimin e tyre dhe erdhi në një marrëveshtje shumë të mirë, por Esadi siguroi mohimin e misionit të kolonelit nga ana e kabinetit dhe ky mision u flak edhe prej princit. Më vonë kur komisioni ndërkombëtar bëri marrëveshje në Korfuz me kryengritesit e Jugut, antarët protestuan se ky komision nuk dinte kurrgjë mbi marreveshtjen e kolonelit Tomson e as mbi misionin e tij.
- Kur unë erdha në Durrës, njëri prej antarëve të komisionit më mohoi pikat më kryesore të marrëveshtjes së Korfuzit, një kopje të së cilës ia paraqita të vërtetuar prej sekretarit të komisionit. Në këtë mënyrë vijonin punët në krijimin e një shteti. Mbledhjet e komisionit bëheshin edhe më të vështira nga mosmarrëveshjet dhe ngatërresat në mës të përfaqsuesve të Austrisë dhe Italisë, të cilët mundoheshin me ia hedh fajin njëri-tjetrit. Kabineti edhe ky u nda dhe në Maj të vitit 1914 Esad Pasha, ministër i luftës, u arrestua si komplotist kundër qeverisë, u vu në një luftanije të Austrisë dhe u dërgua në Itali. Në anën tjeter, Shqiptarë kryengritës, rebelet, me armë në dorë u dukën para dyerve të Durrësit. E vetmja kërkese e tyre ishte që princi të lejë Shqipërinë dhe prej asaj kohe e deri në fund ajo ka qenë britma e tyre për çdo marrëveshtje që thirreshin me bërë.
- Duke vënë fenë si shkak për lëvizje luftarake
- Një njeri me mend nuk do të kishte pranuar detyrën me ushtruar tiraninë mbi një popull luftëtar si ky pa qenë i siguruar nga fuqitë e mëdha se do t’i japin forca ushtarake, sepse gjithë themeli i kësaj pune ishte forca. Biles, edhe kur vendasit u ngritën me armë në dorë kundër tij, e para gjë që duhej të bënte qe që të kërkonte fuqi të armatosur ose të linte Shqipërinë duke u kthyer në vendin e tij. Por kur vendasit mohamedanë e kundërshtuan atë me armë, ai mori me pagesë malsorë katolikë të Veriut për të mbrojtur Durrësin. Edhe mohamedanët e Vlorëes u vunë në ndihmën e princit, ca nga të cilet u lanë për të kundërshtuar kryengritësit e Jugut dhe të tjerët u prunë në ndihmë të Durrësit, kundër kryengritësve të Shqipërisë së Mesme. Problemi më i madh i një qeverie në këtë vend është për të prurë në marrëveshje ose për të bashkuar elementët e besimeve të ndryshme me qëllim që të zhduket sa më parë kundërshtia në mes tyre e cila ka qenë futur prej sundimtarve turq. Brenda pak javësh sundimi të Princ Vidit, gjendja u bë shumë e keqe. Në Shqipërinë e Jugut mohamedanët vritnin ortodoksët e në Durrës malësorët katolike thernin mohamedanët brenda pamjes se pallatit të princit, i cili ishte i sigurtë vetëm nën grykat e zjarrit të topave të luftanijeve të fuqive të mëdha që ishin në molin e Durrësit vetëm për të mbrojtur princin dhe familjen e tij. Dukej haptazi se pa u bashkuar për bashkëpunim elementët e besimeve të ndryshme, qeveria e tij ishte më kot.
- Vidi u ngul në Durrës më 21 Shkurt 1914 dhe më 24 Maj të këtij viti, mbas një mesymje nga kryengritësit, ai me familjen e tij fluturoi në kryqzorin italian Misurata. Megjithatë të nesërmen u kthye prapë në pallatin e vet, por ikja që kish bërë një ditë më parë prej qyteti në luftanie ia humbi rëndësinë dhe e bëri të pamundur që ai të kishte pamjen si sundimtar i një populli ndaj të cilit burrëria, zemra dhe trimëria janë gjëra fare të zakonshme. Një veprim i vogël i komedisë u luajt më 5 Qershor kur në drekën e kësaj dite luftania Tegelhoff duhej të dëfrente princin. Një ceremoni mbretërore qe paramenduar dhe ministrat e pranuan, por atë ditë komisioni ndërkombetar po mundohej për të ardhur në marrëveshje me kryengritësit e për këtë kishin frikë se mos alarmoheshin dhe dëshpëroheshin këta nga krismat e topave. Komisioni doli fitues në ndalimin e ceremonisë, por jo me kryengritësit të cilët nxirnin të vetmen fjalë: “princi lipset të shkojë nga toka e jonë”. Në anën tjetër të gjithë degët e fuqive sunduese çdo minute vinin në mosmarrëveshje më të mëdha dhe ngatërroheshin më keq në mes tyre. Disa ia ngarkonin gjithë shkakun e ngatarresave oficerëve hollandezë, të cilët kërkonin me patur fuqinë eprore dhe jepnin urdhëra mbi ata të qeverisë së rregullt. Prandaj më 22 Maj, anëtarët e kabinetit shkuan si një grup dhe i dhanë dorëheqjen mbretit duke thënë haptazi se nuk durojnë të përdoren më si kukulla në duat e oficerëve hollandezë dhe të marrin përsipër gabimet trashanike dhe keqbërëse të tyre. Por në anën tjetër në këtë kohë oficerët hollandezë ishin të vetmit mbrojtësit e Durrësit duke komanduar malësorët shqiptarë, gjuhen e të cilëve as që e kuptonin. Ditën e 15 Qershorit komandant kolonel Tompson u vra dhe me qinda njerez u vranë në kënetë.
- Ngatërresa në Durrës
- Mbërrita në Durrës me datën 18 Qershor. Gjatë një jave që kalova në Gjirokastër me kryetarët e kryengritësve unë pata mësuar për vrasjen e 70 mohamedanëve të pa armatosur, të cilen komisioni e kishte vërtetuar por kryengritësit e mohuan dhe e pata vurë vehten në dijeni me gjithë mosmarrëveshtjet që qëndronin në mes të “epirotasve” dhe komisionit nderkombetar per te bërë paqe. Unë jo vetëm që u habita, por edhe u tmerrova për ngatërresat që gjeta në Durrës. Secili anëtar i komisionit ishte me armë në dorë kundra tjetrit dhe në vend që të ndëgjonin lajmet e dobishme që solla une, secili e shkonte kohën duke më përshpëritur në vesh gjërat pa mend dhe keqbërjet e tjetrit. Asnjeri nuk kishte as më të voglën ide se kush e kishte sundimin ose komandën më të lartë, e cila kërkohej me një farë autoriteti nga princi, nga komisioni, nga oficerët hollandezë dhe nga kabineti. (Sepse marrëveshja e Londrës e kishte zhytur këtë punë duke ia dhënë në njërën anë komandën njërit e në një tjetër tjetrit, herë komisionit e herë Princit e herë oficerëve hollandezë – shën. përkth.).
- Me i përshkruar hollësirat e ngatarresave që çdo ditë u bënë edhe më të këqija në Durrës, nuk do të ishte edhe aq e dobishme. Qeveria shkoi një herë në Vlorë dhe iu desh me u kthyer prapë në Durrës për arsye kompllotesh dhe aty gjeti kryengritjen e Esad Pashës. Një oficer italian u zu natën në Durrës duke i bërë shenjë kryengritësve e në këtë mënyrë duke iua drejtuar udhët e operacionit. Kur e arestuan u gjet se ai qe duke bashkëpunuar me oficerin që kish pas qenë ngarkuar me mision nga Princi për të mbrojtur Durrësin nga kryengritësit; atëhere misioni u pezullua. Një oficer hollandez më tha se Princit nuk mund t’i mbushej mendja kurrësesi për t’i prirë ushtrisë e as me u dukur më para luftës. Luftaniet e gjashtë fuqive rrinin në një qetësi të vdekur në port. Kur qyteti u mësye, komandantët e tyre u thirrën për të shtirë ca topa sa me trembur kryengritësit, por ato kundërshtuan duke thënë se kanë urdhëra të rrepta me vepruar vetëm për mbrojtjen e personit të princit e të familjes së tij. Kjo tregoi qartazi se fuqitë e mëdha kishin vendosur mos me shtirë asnjë top për mbrojtjen e qeverisë që kishin marrë përsipër me themeluar. Përvoja ime e fundit në Durrës qe një natë para se të largohesha, kur qeshë zgjuar prej një krisme të tmerrshme pushkësh në kënetë pothuaj nën dritaret e mia. Oficerët më lajmëruan në mëngjes se kishin dërguar nja 15 vetë nëpër kënetë për të kërkuar të vrarë e të plagosur, por njerëzit e tyre duke i kujtuar këta se ishin armiku qe po iu afrohet, shtine mbi ta dhe i vranë të gjithë.
- E lashë këtë skenë mëkatesh, ngatërresash të ndyra dhe gjakderdhjesh me një zemër plot mëri kundër krimit të madh të Europës dhe plot simpati për popullin që iu desh me derdhur gjak për të mbajtur larg zgjedhen dhe një nga gabimet më skandaloze në historinë e Europës. Tre muaj pas kësaj, princi, familja e tij, oborri e kabineti i tij, komisioni ndërkombëtar, ministrat e huaj, xhandarmëria dhe luftanijet ikën nga Durrësi dhe Shqipëria u la sikurse është sot, pa qeveri. (Domethënë në kohën e Luftës I Botërore – shën. përkth.).
- Masa për shpëtim
- Të nesërmen, pasi pata lënë Durrësin mbërrita në Vlorë. Kryetarët e Vlorës ishin besnike të princit Vid dhe i patën dhënë ushtarë për të luftuar kyengritësit e Shqipërisë së mesme dhe “epirotet” në Jug të Vlorës. Prandaj këta gjindeshin në një frikë të përditshme prej ndonjë mësymjeje nga vëllezërit e vet. Që mos të vazhdohej më rrënimi në mes tyre, i këshillova që të shpallin pavarësinë dhe të bëjnë paqe me vëllezërit e vet. Në emër të tyre shkova në Delvinë dhe takova kryetarin e qeverisë së perkohshme të Epirit, Zografo, i cili ishte i sëmurë në zemër pasi po kthehesh nga varrimi i 14 djelmoshave Delvinnjotë që sapo ishin vrarë në shpat të malit, ndërsa 40 burra shtriheshin të plagosur. Ai qe gati me bërë paqe me vlonjatët dhe kur ky lajm mbërriti Vlorën u prit me shumë kënaqësi dhe duartrokitje. Atë mbasdreke dy luftanije të fuqive të mëdha që bënin pjesë në komisionin ndërkombetar, u ngulën në port dhe nën hijen e topave të Europës nuk lejuan bashkimin që unë kisha parashtruar. Ata e dinin mirë që qeveria e tyre po kotesh mbi fronin e saj dhe se do të binte. Po ashtu e dinin që përmbajtja e veprave të tyre do të shkaktonte edhe më shumë gjakderdhje vllazërore. Prej asaj kohe e mbrapa fuqitë “epirote” dhe kryengritsit e Shqipërisë së mesme përparuan. Më tepër se 100’000 barinj dhe bujq, gra, burra, fëmijë dhe foshnje lanë shtëpijat e tyre, të cilat ua dogjën e ua shkatërruan dhe këta vetë emigruan në Vlorë. Kur unë u largova nga Greqia, sëmundja e lisë po përhapej nëpër këta emigrantë që pa ndihma dhe pa shpresë vdisnin në qarkun e Vlorës. Pak mbas largimit tim, u raportua se nga këta 100’000 emigrantë 30’000 kishin vdekur urie dhe s’kishin as mbulesë e as kasolle ku me shtirë kryet. Jam informuar që nëpër gjithë Shqipërinë ka zi. Në pranverë nuk ka me patur misër për farë për ata që do të shpetojnë.
- Zbulimi i padrejtësisë
- Mirë do ishte po ta kishte përshkruar gazeta Times e Londrës skenën e Durrësit si një komedi tragjike, që brenda pallatit mbretëror luheshin shakatë cinike më të mëdha, që mbrapa maskave buzëqeshëse të diplomatëve të Europës fshiheshin fytyrat e errta e kriminele, shkaktare të vdekjes së këtyre njerëzve, se jashtë në kënetë shtriheshin qindra Shqiptare mbrojtes të vatrave të veta, të fortë e të ngrirë, me sytë e tyre dhimbisurisht të drejtuar kah qielli i cili dukej e pamëshirshëm per ta. Dukesh një detyrë njerëzore, haptazi, me shqyer maskën që mbulonte diplomacinë Europiane e me nxjerr fytyrën e saj të lyer me gjak atdhetarësh dhe shikimin e dobët të saj mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë dhe pasi qeshë i shtrënguar e tregova këtë panjerzi dhe këtë padrejtësi të fuqive Europiane dhe dhashë dorëheqjen si minister i Amerikës në Greqi e në Mal të Zi, sikurse patjeter qeshë i shtrënguar me bërë. Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e dipllomacisë!
- Qe shorti im me ngritur perden që t’i jepja dritë kësaj komedie, e cila qe loja më tragjike që është vu në skenë prej duarve të njerëzve. Ky veprim qe ai që me ka hapur rrugën me iu lutur popullit të lirë të Amerikes të ndihmojë Shqiptarët që po mundohen me luftë e me vdekje për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Kur Europa, e përgjakosur, e mjeruar, e shfarosur, e falimentuar dhe e këputur do të hyjë duke çaluar në një periudhë të re qytetërimi, atëhere le të mësojë prej vuajtjeve të veta mëshirën që duhet të ketë për kombin e vogël malësor; e cila dëfrehesh me shtërngimet e shpirtit e me britmat e vdekjes së tij dhe vepronte paturpësisht duke i quajtur asgjë tmerret dhe vuajtjet e këtij populli për liri dhe humbjen e lirisë të një populli e quante një sakrificë të zakonshme për qejfin e tyre.
< 2 |
faqe - 3 - |
4 > |