Pepili/Zonja Bovari
< Pepili
Gustav Flober Romani: Zonja Bovari Përkthyer nga frëngjishtja Viktor Kalemi |
Gustav Flober Zonja Bovari |
Biblioteka elektronike GR Pregatiti Linda Në shtyp Botimet te Argeta-LMG Letërsi francese Çmimi: 800 lek./8 euro. |
- PARATHËNIE
- Në “Meditimin e dytë” Dekarti e quan romanin “një gjë që mendon, një gjë që dyshon, që dëgjon, që koncepton, që pohon, që do, që nuk do, që imagjinon dhe që ndien”.
- Ky përkufizim i dijetarit dhe filozofit të shquar francez të shekullit XVII që sjell ndër mend më tepër se veprën e artit, qenien e gjallë, njerëzore, jo të rëndomtë, por me shpirt dhe me mendje. Në ka krijimtari që i përgjigjet më së miri atij, është ajo e Gustav Floberit.
- Si në romanet filozofike, “Tundimi i shën Antonit”, “Buvar dhe Pekyshe”, në skicat “Shtatë djemtë e dervishit” dhe në romanet në kuptimin e thjeshtë të fjalës, si “Edukimi i ndjenjave’, “Zonja Bavari” dhe “Salambó”, autori sa më shumë futet në botën e krijesave të tij, aq më tepër bëhet një me ta. Të lindura prej imagjinatës, ato do të kenë të njëjtin fat me të, sepse më kot do të vënë të gjitha forcat e tyre në kërkim të dashurisë, të lumturisë, të së vërtetës. E vetmja rrugë shpëtimi larg botës tragjike të njerëzve për shkrimtarin do të jetë pasqyrimi i jetës nëpërmjet artit.
- Floberi kishte bindjen se për të shprehur një të vërtetë ka një mënyrë dhe vetëm një, ndoshta jo të qartë, por të bukur, dhe kështu vihej në kërkim të saj deri sa ta gjente. Më 2 maj 1880, disa ditë para se të vdiste, ai i shkruan mbesës Karolinë, lidhur me një të dhënë botanike: “... kisha të drejtë, sepse estetika është e vërteta, dhe në njëfarë shkalle intelektuale (kur ke metodë) nuk gabohesh”. Përpara se ta shprehte me magjinë e fjalës, ai punonte jashtëzakonisht shumë për të njohur të vërtetën edhe kur duhej të rrëmonte për të në thellësitë e kohërave.
- Floberi u lind më 12 dhjetor 1821 dhe u rrit në Ruan atëherë kur po lulëzonte romantizmi i Hygoit, i Vinjisë, i Mishlesë dhe i Shatobrianit. Gjatë gjithë jetës ai qëndroi besnik i këtyre idhujve të rinisë së tij. Bir i njërit prej kirurgëve më të shquar të shekullit, Floberi, që i vogël, e pa nga afër realitetin e vuajtjeve të njeriut dhe u mbrujt me një frymë skeptike dhe analitike, e cila ishte si kundërpeshë ndaj temperamentit të tij disi anarkik dhe ëndrrave për aventura. Veç kësaj, prej të atit, ai trashëgoi syrin klinik ndaj jetës aq sa arriti me anën e penës të bënte autopsinë e shpirtit të njeriut.
- Ndërsa prindërit donin që ai të vazhdonte për drejtësi, pasi mbaroi liceun “Korneij” në qytetin e lindjes, aty rreth viteve 1840, kur po afronte revolucioni, krijohen një sërë rrethanash që çuan në pjekurinë e dhuntive të tij letrare dhe në përcaktimin e veprimtarisë së tij artistike. Qysh kur ishte në shkollën e mesme, Floberi u lidh ngushtë me Alfred dë Puatvenin, i cili me aftësitë intelektuale dhe estetike që kishte, ushtroi një ndikim letrar pozitiv mbi të, i mësoi artin e të qenit kërkues ndaj vetvetes. Që të dy ishin të dhënë pra pas letrave, por e fshihnin këtë prirje si ndonjë krim. Familjet e tyre i dërguan në Paris për t’u bërë juristë. S’kaloi shumë dhe Floberi e kapi një krizë nervash me karakter epileptik, për të cilën dihet pak, në mungesë të dëshmive të besueshme. Disa biografë dhe studiues të tij shohin te kjo sëmundje shfaqjen e gjeniut, të tjerët e quajnë atë si pengesë në zhvillimin e talentit. Sidoqoftë, thelbësore është fakti që si pasojë e saj, ai ndërpreu studimet dhe fitoi nga prindërit të drejtën të vendosej përfundimisht në vilën e tyre të bukur të Kruasesë, afër Ruanit, ku sot ka mbetur një pavijon i vetëm që është muzeu i vogël i Floberit. Në fillim ai aty do të banonte me të ëmën e mbesën, dhe pastaj vetëm, derisa të vdiste.
- Faktorë të tjerë që çuan në shpërthimin e forcës së tij krijuese janë disa lidhje dashurore dhe miqësore. Ndjenjat gjithë pasion që ushqente ai ndaj zonjës Eliza Shlesinzher, e orientuan drejt formës më origjinale dhe më të thellë të romantizmit evropian: pasqyrimin e jetës duke u nisur nga vetvetja, dhe të shkruante “Kujtimet e një të marri” (1838) e “Nëntori” (1842), të cilat u shtohen kryeveprave autobiografike që nga “Rrëfimet” e Rusoit deri tek ato të Alfred dë Mysesë.
- Vlen të përmendim gjithashtu dashurinë me Luizë Kolenë, poeteshë e rrëmbyer dhe e rëndomtë kjo, por që e nxiste shkrimtarin të thellonte aftësitë e tij analitike, vëzhguese dhe meditative. Ajo e frymëzoi atë të shkruante letrat më me vlerë mbi konceptet e tij estetike dhe morale. Ndikimi i saj ka qenë aq i ndjeshëm saqë ajo do të shfaqej deri diku me disa tipare të veçanta te “Zonja Bovari”.
- Një nga miqtë e ngushtë të Floberit që luajti një rol thelbësor në krijimtarinë e tij ishte dhe poeti Luigj Buile. Kur vdiq ky, në korrik 1869, autori i “Zonjës Bavari” do të shkruante: “Kjo është për mua një humbje e pazëvendësueshme, pardje varrosa ndërgjegjen time letrare, trurin, busullën time”. Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me shpërthimin e një dhimbjeje të menjëhershme dhe të pafundme, por me shprehjen e një të vërtete. Buileja ishte tamam ndërgjegjja e Floberit. Poeti nuk do ta kishte shkruar kurrë “Zonjën Bovari”, as “Salambonë”, as “Një zemër e thjeshtë”, as “Shën Zhylienin”, as Herodiasin”, ashtu siç shkrimtari nuk do të kishte shkruar dot vargje “Melanis” apo “Fosilet”. Proza e trembte Builenë. Për të ai thoshte: “Ajo është një lumë që mund të rrjedhë pa pushim, po si mund ta ndalosh?” Ndërsa Floberit nuk i ngjiste poezia.
- Mirëpo, pikërisht duke qenë kaq të ndryshëm, ata plotësonin njëri-tjetrin. Floberi gjithë poetikën e kërkonte te harmonia. Gjihës së shkruar i jepte aq rëndësi saqë gjithçka që hidhte në letër, e lexonte me zë të lartë, i shqiptonte qartë fjalët, u ndryshonte tonalitetin sipas kontekstit. Buileja, i mësuar me kadencën e vargut, kërkonte cilësi të tjera në stil; ai kishte një ndjenjë të theksuar kritike, e cila ishte njëkohësisht shumë e fuqishme, shumë e hollë, shumë e zhvilluar, sepse e kishte pasion dhe e njihte mirë kulturën antike. Ai i rrinte vazhdimisht në kokë Floberit dhe nuk e linte të rrëshqiste.
- “Zonja Bovari” dhe “Salambója” janë shkruar në sytë e Builesë. Po të mos kishte vdekur kur doli “Edukimi i ndjenjave” (1870), ky roman do të kishte pësuar ndryshime. Buileja nuk i ka shtuar asnjë fjalë “Zonjës Bovari”, por ama, me kërkesë të tij, autori ka hequr mjaft fjali parazite. Kështu, për shembull, ky kishte përshkruar një lloj lodre të çuditshme fëmijësh, që zinte aty rreth dhjetë faqe. Tetë ditë vazhdoi debati midis Floberit dhe Builesë. Ky i fundit ngulte këmbë, duke i thënë: “Sado e bukur të jetë një gungë, po t’ia vësh në kurriz Venusit, Venusi do të jetë gungaçe”. Më në fund shkrimtari u bind ta hiqe këtë gur që, në mos pengonte rrjedhën e aksionit, të paktën e ngadalësonte atë.
- Së fundi, udhëtimet e shumta që ndërmori Floberi së bashku me mikun e tij Maksim dy Shamp, kryesisht për t’u shëruar nga fiksimet që kishte, ia zgjeruan më tej përvojën, i shpejtuan ngjizjen e vizionit të tij filozofik. Për më tepër udhëtimet janë në modë te romantikët që nga Bajroni e deri te Shatobriani, aq sa përbëjnë një burim të një gjinie më vete.
- Rrugëtimet më frytdhënëse të Floberit ishin ato në Bretanjë, pastaj në Egjipt, Greqi, Azinë e Vogël. Ai e pasqyroi gjithçka që përjetoi prej tyre në “Letrat” dhe “Shënimet e udhëtimit”.
- Në pamje të parë kryeveprat e Floberit duken të ndryshme nga njëra-tjetra. Në të vërtetë ato i bashkojnë lidhje të ngushta dhe që të gjitha shprehin botëkuptimin e autorit të tyre. Ai mendonte se jetonte në një epokë kalimtare: “Po shoh një të kaluar të perënduar, mes rrënojash dhe një të ardhme që po mbin... gjithçka është e turbulluar”... (Letër Luigj Builesë më 4 shtator 1850). Kur nuk përshkruan kohëra që nuk i ka jetuar vetë, romanet e tij i kushtohen epokave të ngjashme me atë të vetën. “Tundimi i shën Antonit” flet për fundin e botës antike dhe për gjallërimin e zjarrtë fetar, që do të çonte në krijimin e kishës së krishterë, “Salamboja” tregon një episod të rënies së Kartagjenës, “Herodiasi” trajton zanafillat e kristianizmit. Floberit i pëlqenin mjaft këto periudha rënieje, ecurish të ngadalta drejt së ardhmes, drejt të panjohurës. Kjo shpjegohet me dështimet e 1848-s kur shpresat e mëdha republikane dhe romantike për një shoqëri të re, të ndërtuar shpejt, u fashitën, të paktën në dukje.
- Romanet filozofike të Floberit janë të ndërtuara mbi një bazë ndërthurjeje logjike. Personazhet shtjellohen sipas një plani të hartuar nga mendja dhe që s’kanë të bëjnë me jetën. Kështu, për shembull, shtatë djemtë e Dervishit mishërojnë shtatë format e kërkimit të lumturisë; shën Antoni zbulon njëra pas tjetrës fetë dhe herezitë e shekullit të tij; Buvari dhe Pekysheja i marrin me radhë gjithë shkencat e kohës së tyre, dhe në këtë mënyrë del në pah problemi i mungesës së metodës.
- Kështu pra, personazhet e këtyre romaneve janë simbole të njerëzimit. Megjithatë duke ndjekur nga afër përvojat dhe studimet e tyre, Floberi shkrihet me ta. Sa më shumë u ndërfut jetën e tij, aq më tepër gjallohen krijesat që sajon ai. “Në vend të shën Antonit, - thotë ai, - jam unë; tundimi ka qenë për mua dhe jo për lexuesin”. (Letër Luiz Kolesë 5-6 korrik 1852) “Buvari dhe Pekysheja më mbushin, më ngopin aq shumë saqë unë jam bërë si ata! Idiotësia e tyre është imja dhe më vjen të plas”. (Letër zonjës Rozhe dë Zhenet, prill 1875).
- Romanet në kuptimin e thjeshtë të fjalës janë të gjithë të krijuar duke u nisur nga vëzhgimet e jetës. Nga këta romane vetëm “Salamboja” mund të duket si më i veçuari, për nga kuadri dhe intriga që ka. Kjo vepër është fryt i panteizmit të Floberit, të mbrujtur thellësisht me mendimet e Spinozës, fryt i ekstazave të tij, të cilat i ka përshkruar në “Udhëtim në Korsikë”, “Nëntori”, “Edukimin e ndjenjave” (versioni i parë) si dhe në “Nëpër ara dhe nëpër gurë”. Këtu është fjala për ekstaza në kuptimin e plotë të fjalës, sepse nuk kemi të bëjmë me një meditim apo soditje, por me një eksperiment shpirtëror, ku shpirti “do të bëhet natyrë, sa të humbasë në të, të rrëmbehet prej saj ose ta rrëmbejë ai atë”. (“Nëpër ara, nëpër gurë”).
- Mirëpo Floberi këto ekstaza i ka vetëm nën efektin e një drite të fortë, diell ose hënë e plotë, që ndriçojnë në pafundësi. Gjithë skenat e mëdha të romanit janë vendosur në raport me lëvizjet e këtyre dy yjeve, dhe Matoja me Salambonë vdesin kur perëndon dielli dhe del hëna. Përveç pasionit për historinë, për vendet mesdhetare dhe deri diku për gjëra të llahtarshme, ekstazat panteiste të Floberit kanë luajtur një rol thelbësor në zgjedhjen e temës dhe në trajtimin e saj në romanin “Salambo”.
- Për hir të këtij parimi autori shkon të shohë me sytë e tij gjithçka që kishte studiuar dhe ëndërruar rreth Kartagjenës së vjetër. Ja si është shprehur ai kur u kthye nga Tunizi: “Le të më depërtojnë thellë të gjitha afshet e natyrës që kam thithur, le të futen ato në faqet e librit tim. Le të më vijnë mua të gjitha forcat e emocionit plastik, le të ringjallet e kaluara tek unë, por ama nëpërmjet të bukurës, të gjallës dhe të vërtetës. Kini mëshirë për dëshirën time, o zot i shpirtrave të njerëzve. Më jepni forcë dhe shpresë...”.
- Romanet e tjera të Floberit janë pjellë e përvojës së tij vetjake dhe vëzhgimeve që ka bërë. Kritika fare lehtë ka zbuluar pjesën autobiografike në të dy “Edukimet e ndjenjave” dhe në “Zonjën Bovari”. Është vënë re se Zhyli, Henri, Ema e Frederiku kanë pothuajse moshën e krijuesit të tyre dhe vendet ku ato jetojnë janë pikërisht ato që ka njohur ai.
- Nëse nga shkrimtaria e Floberit “Tundimi i shën Antonit” mbahet vepra e gjithë jetës së tij, ngaqë vazhdimisht ai atë e ka nisur dhe përfunduar duke nxjerrë tri versione në periudha relativisht të largëta (1849, 1856 dhe 1874), “Zonja Bovari” mbetet romani më jetëgjatë, më i suksesshëm dhe më i studiuar i tij.
- Sipas kujtimeve letrare të Maksim dy Kampit, Floberi iu fut temës që trajton në atë kryevepër, krejt rastësisht, duke ndjekur një sugjerim të bërë nga miku i tij Buile. Ky, i zhgënjyer, si dhe vetë dy Kampi nga “Tundimi i shën Antonit”, të cilin si zakonisht ua lexoi vetë autori për tridhjetë e gjashtë orë rresht, i propozoi papritur Floberit: “Përse nuk shkruan historinë e Delaneit?” Ai ngriti kokën dhe bërtiti: “Ç’ide e shkëlqyer”. Dhe ashtu ishte me të vërtetë përderisa nën penën e shkrimtarit të shquar, çoi në atë kryevepër të njohur botërisht.
- Delanei ishte një nëpunës shëndetësor, nxënës i të atit të Floberit. Jeta e tij është mjaft e ngjashme me atë të Sharl Bovarisë, protagonist i romanit. Përpara se ta botonte në gjashtë numra të një periodiku letrar “Revista e Parisit” nga data 1 tetor deri në 15 dhjetor 1856, Floberi i kushtoi “Zonjës Bovari” disa vjet pune të jashtëzakonshme, shkroi mbi një mijë e tetëqind faqe për të nxjerrë rreth treqind-katërqind përfundimtare. Mirëpo sa dolën në dritë pjesët e para të romanit, shpërtheu një skandal publik që e çoi në një proces gjyqësor, i cili e uli autorin në bankën e të pandehurve. Mirëpo për Floberin arti ishte i shenjtë. E denjë për këtë parim të tij, çdo shenjë pikësimi, çdo fjalë e çdo fjali në vendin e saj, ai nuk mund të pranonte kurrfarë kompromisi. Përgjigjet që i dha ai ndërhyrjeve të Maksim dy Kampit, në atë kohë botues i “Revistës së Parisit” janë më se bindëse në këtë drejtim. “Nëse romani im i pezmaton borgjezët, aq më bën, edhe që po më hedhin në gjyq, aq më bën; edhe po ta mbyllin “Revistën e Parisit” aq më bën; më mirë mos ta kishit pranuar “Bovarinë”; tani që e morët s’dua t’ia di; do ta botoni ashtu siç është.”
- Sa herë që administrata miope ngatërrohet me çështje të artit të mirëfilltë, në mos ngjallur urrejtje, bëhet të paktën qesharake. Dhe në rastin e Floberit, ajo jo vetëm që nuk ia arriti qëllimit të saj, por i ndolli “Zonjës Bovari” një sukses të mahnitshëm, ashtu siç e meritonte.
- Në historinë botërore të letrave, ky roman mbahet si perlë më vete, sepse autori i tij ka meritën e paarritshme, që duke u nisur nga një histori e zakonshme ia fshin asaj me një mjeshtëri të pashoqe, anën e rëndomtë, për të nxjerrë në pah një pasqyrë, atë që reflekton dramën e brendshme të njeriut, të çdo kohe, krizën shpirtërore të tij. Jetëgjatësia e kësaj kryevepre shpjegohet dhe me përsosjen e saj organike. Me të shkrimtari propozonte një konceptim të ri të romanit, duke e ngritur nga fejtoni, nga romani sentimental dhe nga romani politik në lartësinë e epopesë. Floberi, që e dashuronte Balzakun, dhe që nuk e njihte aq mirë Stendalin, do t’i shtojë gjinisë balzakiane atë që i mungonte: formën e përkryer, kompozimin e përpiktë. Forca magjepsëse e “Zonjës Bovari” qëndron në unitetin e tonit dhe të ritmit, në ndërthurjen magnetike të imtësive më të holla me atë atmosferë që më tepër se reale apo poetike, është simbol i gjallë. Të gjitha këto vlera e bëjnë romanin një thesar të pashtershëm për studiuesit. Ka nga ata që e quajnë Floberin “natyralist”, të tjerë e radhisin midis “realistëve” apo “lirikëve”. Ndërsa vetë pohimet e shkrimtarit nuk përputhen me këto cilësime. “Në brendësi të vetvetes sime, - thotë ai, - ka dy njerëz të veçantë: njëri i dhënë pas lirizmit, pas fluturimit të shqiponjave dhe tjetri që gërmon të vërtetën sa mundet, që kapet me forcë pas faktit të vogël dhe pas faktit të madh, që kërkon ta bëjë lexuesin të ndiejë pothuajse materialisht gjërat që ai riprodhon... “Edukimi i ndjenjave” ka qenë, pa e ditur unë, një përpjekje për t’u shkrirë midis këtyre dy prirjeve, të mendjes dhe shpirtit tim. Do të kishte qenë më e lehtë të hidhja njerëzoren në njërin libër dhe lirizmin në tjetrin. Dështova.”
- Sidoqoftë, duke qenë në shekullin e tij, romancieri më klasik në kuptimin estetik të fjalës, ai i dha gjinisë së romanit një formë epopeje të harmonishme, me një përmbajtje njerëzore, morale dhe shpirtërore, që e ngre në një rrafsh me gjinitë e mëdha klasike të së kaluarës. Sipas Andre Zhidit ky thelb dhe kjo veshje klasike te vepra e Floberit s’është gjë tjetër veçse një “romantizëm i zbutur” që shpjegohet me disiplinën spinoziste të cilin ai e zbatonte me përpikëri.
- Ndikimi i këtij shkrimtari të madh është ripërtëritur pa pushim. Për të flasin botimet dhe përkthimet e shumta. Për të flasin studimet dhe monografitë e panumërta që mbajnë emra të shquar si Turgenievi, Zhorzh Muri, Henri Xhejmsi, Teodor Fontani, Tomas Mani, Jakobseni, Marsel Prusti, Zhan Pol Sartri, Natali Sarroti, etj., dhe që vazhdojnë pareshtur të pasojnë njëra-tjetrën si shkëndija të nxjerra nga stralli i artit floberian.
- Edhe në kohën tonë, kur kanë kaluar njëqind e dhjetë vjet nga vdekja e Gustav Floberit, kur të mirat e lazerit, atomit e telekomunikacioneve s’duken më çudira, kur kompjuterat, ndër veprimet fantastike që kryejnë, janë futur në punë edhe për të zbërthyer shkarravinat e arta të shkrimtarit, vepra e tij mbetet gjithë jetë, sepse ka në qendrën e saj njeriun, i cili sipas tij, më saktë përkufizohet me fjalën aspiratë, për nga vetë natyra e pangopshme që ka. “Vetëm si të tillë, - thoshte ai, - ne vlejmë diçka. Shpirti i njeriut matet me përmasën e dëshirave të vetvetes...”.
- Viktor Kalemi
- MARI – ANTON – ZHYL SENARIT
- Anëtar i rendit të avokatëve të Parisit
- ish-kryetar i Asamblesë Kombëtare dhe ish-ministër i Brendshëm.
- I dashur dhe i shquar Mik,
- Më lejoni ta shkruaj emrin tuaj në krye të këtij libri dhe bile përmbi kushtimin e tij, sepse botimin e tij unë jua detyroj në radhë të parë juve. Me fjalën tuaj të mbrojtjes, vepra ime fitoi për mua një prestigj të paparashikuar. Pranoni pra këtu shprehjen e mirënjohjes sime, e cila, sado e madhe që të jetë, nuk do të arrijë dot kurrë në lartësinë e gojëtarisë dhe përkushtimit tuaj.
- Gustav Flober
- Paris, 12 prill 1857
Përshtypje të Megit
- libri me i realizuar dhe me mekatari i te dashuruarve por njekohesisht me i thelli dhe me pasionanti qe te bene te kryesh mekate te tilla dhe atehere kur nuk duhet.te jesh pasionante dhe enderrimtare nuk eshte mekat deri ne momentin qe ti shfaq simptoma te nje don kishotizmi kjo eshte zonja bovari ne pak fjale........
Libri në tërsi mund të lexohet në këtë adresë