BIBLOTEKA
FRYMA
REDAKSIA
EQREM BASHA / REXHEP ISMAJLI / SHKËLZEN MALIQI / SKËNDER BLAKAJ
REDOKATOR I BOTIMIT
REXHEP ISMAJLI
EDITOR / AGIM LLUKA
REDAKTOR ARTISTIK / NEXHAT KRASNIQI
BOTOHET NË BASHKËPUNIM ME SHOQATËN "FEHMI AGANI" - PARIS
CUVRAGE PUBLIE COOPÉRATION AVEC L'ASSOCIATION "FEHMI AGANI" - PARIS




FEHMI AGANI

PAVARËSIA

GJASA DHE SHPRESË





FEHMI AGANI
PAVARËSIA - GJASA DHE SHPRESË

BOTUES / DUKAGJINI / PEJË
REALIZIMI KOMPJUTERIK / KUJTIM GACAFERRI
TIRAZHI: 1000 COPË
U SHTYP NË TETOR TË VITIT 1999
NË NBGL "DUKAGJINI" PEJË




       SHËNIM I REDAKSISË
        Akademik Fehmi Agani, një nga figurat më të shquara intelektuale dhe politike të botës shqiptare, ishte ndër elaboruesit e idesë dhe luftëtarët e palodhshëm për realizimin e pavarësisë së Kosovës. Qysh në vitet '60 ishte shquar me seriozitetin dhe guximin e argumentimeve për Republikën e Kosovës, ndërsa në vitet '90 me elaborimet dhe mbrojtjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Gjatë gjithë kësaj kohe potencialin e vet njerëzor e intelektual e kishte vënë në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të kësaj ideje.
       Në të njëjten kohë Fehmi Agani ishte demokrat i shquar, njeri me gjerësi të jashtëzakonshme, tolerant dhe frymëzues për tolerancë, mendimtar i dhënë me tërë qënien pas projektimit dhe ndërtimit të një shoqërie të mirëfilltë demokratike. Gjatë gjithë jetës, përmes veprimtarive të shumanëshme, kulturore, shkencore e arsimore dhe shoqërore, luftoi për emancipimin e përgjithëshem shoqëror e kombëtar, për ndërtimin e marrëdhënieve njerëzore e demokratike brenda shoqërisë sonë, për krijimin dhe selitjen e lidhjeve dhe të raporteve të shumanshme midis shoqërive përdhunshëm të ndara shqiptare, po në të njëjten kohë edhe të shoqërive shqiptare me të tjerët përreth dhe më gjërë.
       Qysh nga fillimet e diskutimeve pak më të gjasëshme për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për Kosovën, paralelisht me angazhimet e shumta, të përditëshme dhe shterruese në proceset politike me shumë kundërthënie brendashqiptare dhe në ballafaqimet politiko-diplomatike lidhur me çështjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, ai kishte nisur të mendonte dhe nga viti 1998 të punonte me durim dhe këmbëngulje në projektin shoqërinë civile, njëherish me pretendime teorike dhe me zbatime konkrete në shoqërinë kosovare dhe shqiptare përgjithësisht.
       Redaksia e bibliotekës "Fryma" madje e kishte radhitur këtë libër të projektuar nga ai në planin e saj botues për vitin 1999 dhe po priste me padurim dorëshkrimin e kryer. Redaksia ishte në dijeni se procesi i redaktimit të kapitujve të këtij libri kishte avancuar bukur mirë dhe shpresonte se nga fundi i pranverës 1999 apo nga fillimi i verës do ta kishte në dispozicion dorëshkrimin e plotë.
       Lufta solli me vete tërë arsenalin e egërsive: falanga militare serbe vrau mijëra shqiptarë, deportoi dhe detyroi të shpërnguleshin mbi një milion njerëz, dogji qindra vendbanime e dhjetëra mijëra shtëpi, shkatërroi pronat, thesarët kulturorë e materialë, ambientin dhe natyrën e Kosovës. Kjo falangë vrau dhe frymëzuesit e ideve të tolerancës, të mirëkuptimit, të marrëveshjes dhe të demokratizimit, mendimtarin dhe luftëtarine shquar për vlerat dhe në tërësi për organizimin e një shoqërie civile, akademikun Fehmi Agani, duke shkaktuar kështu humbje të pakompensueshme për shoqërin kosovare e për popullin shqiptar, për kulturën, për idetë dhe proceset e demokratizimit dhe të ndërtimit të shoqërive civile në këto anë, për emancipimin e përgjithëshem kulturor e shoqëror të kësaj shoqërie.
       E interesuar për dorëshkrimin e përmendur dhe për dorëshkrimet tjera të mundshme të akademik Aganit, Redaksia mori kontakt me familjen Agani dhe mësoi për fatin dëshprues të zhdukjes së dorëshkrimit dhe të shkrimeve të tjera bashkë kompjuterin e të birit të plaçkitur nga falanga serbe, ku ruheshin tekstet. Ka shpresa që të paktën ndonjë pjesë e dorëshkrimit do të gjindet diku nëpër bibliotekën e çrregulluar në mes të letrave të shumta të bra rrëmujë.
       Akademik Fehmi Agani gjatë gjithë kësaj kohe të mbushur me aktivitet politik e diplomatik ka arritur megjithatë të shtrojë shumë çështje dhe probleme të ditës, të komentojë, të diskutojë dhe të propozojë ide, të sugjerojë problematizime dhe angazhime, mënyra të zgjedhjes së çështjeve dhe analiza subtile të lëvizjeve dhe rrymimeve politike në Kosovë dhe në botën shqiptare, në Serbi dhe ish-Jugosllavi dhe në qarqet diplomatike që merreshin me Evropën Juglindore, për çka kishte jo pak informata. Të gjitha ato informata akademik Agani, edhe kur nuk ishte në gjendje t'i transmetonte në tërsi, nuk mund të mos i bënte publike në ndonjëfarë mënyre, sepse mbajtja sekrete e tyre nuk përkonte me konceptin e tij për demokratizimin. Në kolumnat e tij të rregullta në të përjavshmen politike "Zëri", në shkrimet e veçanta në periodik, në intervistat dhe në komentet e ndryshme në gazeta dhe botime shqip dhe në gjuhë të tjera, akademik Agani me një subtilitet të veçantë dhe me dije të jashtëzakonshme, me qartësi shpaloste preokopimet, analizat, synimet dhe mundësitë e veprimeve konkrete, domethëniet e akteve dhe të ndodhive të ndryshme. Vlerë të posaçme kanë analizat e tij të atypëratyshme, pa arritur të merrte kohën dhe distancat, të situatave politike në Kosovë dhe në Serbi gjithnjë në varësi nga synimet tona themelore drejt pavarësisë. Në të gjitha ato tekste vegon një optimizem i matur, shpresëdhënës dhe nxitës për zhvillim të mëtejmë të jetës dhe të veprimtarisë në lëmë të ndryshëm. Edhe në kritikat më të rrepta të mendimeve, të veprimeve dhe të akteve të ndryshme shoqërore e politike, akademik Agani manifestonte korrektësi të skajshme. Të gjitha këto dhe mbi të gjitha begatia mendimore dhe koncepti demokratik për ndërtimin e shoqërisë që përcillet në të gjitha këto tekste, i bëjnë ato tërheqëse dhe të lexueshme jo vetëm si njëfar "ditari" politik të njërit prej më të shquarve ndër shqiptarë, po edhe si tekste mësimi dhe veprimi demokratik. Nuk do mend se implikimet e tij të drejtëpërdrejta në ngjarjet për të cilat fliste kështu publikisht e shtojnë interesin e këtyre teksteve dhe për një dimension thelbësor. Vlera e tyre është edhe më e madhe, sepse autori i kishte shpallur ato qëndrime në kohën kur duhej të merrte përgjegjësin për pasojat që mund të prodhojnë fjalët e tilla. Në këtë kuptim Agani kishte manifestuar njëherësh maturi dhe guxim të skajshëm në të gjitha kuptimet e këtyre fjalëve. Vendosmëria e tij në kritikën e themeltë, por pa verbozitet, të deformimit shoqëror, vullneti i pashoq për të ngulur këmbë në indikimin dhe gjetjen e rrugëve për ide ndërtuese, shpresa e përhershme për dalje nga tuneli dritën në fund të të cilit mund ta shihnin jo të gjithë, dashamirësia dhe shumë elemente të ngjajshme i bëjnë joshëse këto tekste. Për më tepër, ato lidhen ndër vete jo vetëm me situatën e veçantë në të cilën janë prodhuar, por edhe me bazën e përbashkët shtytëse: pavarësia e Kosovës e perceptuar si domosdo për çlirimin kombëtar, social e tjetër, për ndërtimin e marrëdhënieve demokratike në një shoqëri të pangarkuar me frustimet e okupimit, arritjen e së cilës ai, përkrye të gjitha vështirësive që na prisnin, madje edhe në çastet e fundit të jetës së tij, kur Kosovën e kishte kapluar rrëmuja totale, e parashihte dhe e supozonte.
       Meqenëse tekste e tilla të akademik Aganit janë të shumta, Redaksia zgjodhi që me këtë rastë të paraqesë vetëm një pjesë të tyre - ato që janë prodhuar në periudhën 1996-1999. Ndër ngjarjet dhe proceset politike të kësaj kohe në Kosovë, përnga reflektimet e shumta dhe pasojat, shquhen: marrëveshja për arsim dhe Marrëveshja e Rambujesë. Aty hyjnë nismat në instanca e nivele të ndryshme ndëërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës dhe çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri, në Serbi e në Kosovë, si dhe ndodhi të tjera, për të cilat ai kishte komentet e veta menjëherë. Për këtë arsye radhitja e teksteve të kolumnës së tij, pra edhe të pak teksteve jashtë tyre, por që lidhen me to, është kronologjike.
       Tekste e tjera të kësaj natyre, të botuara në organe dhe në gjuhë të ndryshme Redaksia shpreson të ketë mundësinë t'i bëjë gati për një vëllim tjetër brenda vitit që vjen, kur pritet të përgatitet dhe botimi me dorëshkrimet eventuale.
       Shumica e teksteve të këtij vëllimi, me lejen e familjes dhe të Redaksisë "Zëri", u morën nga e përjavshmja "Zëri". Tekstet nuk janë ndryshuar, por mbititujt dhe veshja tjetër, e nevojshme për gazetë, janë hequr. Gjatë luftës në tërë Kosovën janë shkaktuar dëme të mëdha dhe çrregullime në dokumentacion. Redaksia është e vetëdijshme se në këto rrethana mund të kenë mbetur tekste nga periudha dhe lloji i përfshirë në këtë vëllim pa shënuar. Disa prej tyre madje të botuara si kolumna në "Zëri", për shkak se nuk u sigurun me kohë, do të mbesin për një vëllim tjetër.
       Redaksia ndjen nevojë të falnderojë me këtë rast në mënyrë të veçant zonjën Sadije Agani, Redaksinë e së përjavshmës "Zëri" dhe zotin Bardh Hamza për ndihmën e pakursyer në mbledhjen dhe saktësimin e teksteve. Redaksia ndjen nevojën të falnderojë po ashtu zotin dr. Zekeria Cana që ia bëri të mundshme të saktësojë shënimet për tekstet e akademik Aganit në arkivin e tij, ku ruhej koleksioni i "Zërit" dhe gazetave të tjera.


       Prishtinë, 29 shtator 1999
       Redaksia


< 0
faqe
- 1 -

2 >