Biblioteka Portrete-Monografiki



Redaktor biblioteke
ALI REXHA




SABRI GODO



ALI PASHË TEPELENA


RILINDJA
1972
PRISHTINË



Sabri Godo
ALI PASHË TEPELENA
Redaktor teknik
ABDYLKADER PAGARUSHA

Kryeredaktor
Korrektor
RIZA NOKA
Tirazhi 6000 copë
U shtyp në tetor 1972 në Shtypshkronjën e Ndërmarrjes gazetare botuese e grafike
"RILINDJA" Prishtinë



PJESA E TRETË:


IV
* * *

       Atë natë u nis fshehtas për Stamboll koka e ballsamosur e Aliut. E shpinte vetë selihtari i Hurshidit, Mehmet Pasha, si njeri që kishte marrë pjesë në ekzekutimin e dënimit. E përcillnin 300 kalorës të zgjedhur e të armatosur mirë.
       Nga Janina në kryeqytet, në tërë postat që kalonte grupi i kalorësve, gjendeshin në pritje një mori me njerzë. Lajmi i udhëtimit të asaj koke ecte me shpejtësi se grupi i kalorësve. Kur u gjend në Grevini, jashtë rrezikut, Mehmeti mendoi se mund të nxirrte disa fitime paraprake nga ajo punë. Ai shpalli se për të parë kokën e Ali Pashës, çdo njeri duhej të paguante dy para. Njerzit dyndeshin pranë sëndykut të vogël të argjendtë dhe paguanin të dy paratë.
       Më 23 shkurt, koka e Aliut u vendos në oborrin e sulltanit, në kamaren e quajtur ibret tashe, guri i turpit, dhe poshtë saj shkruhej: "Mëso nga pësimi!" Topi lajmëroi popullin e kryeqytetit mbi atë fitore të madhe.
       Një jaftë[1] në formë zemre, e varur nën kamaren, u bënte të ditur njerzëve se kujt i përkiste kjo kokë:
       "Kushdo e di se me sa mirësia e shpërblime e mbajti Porta e lumturisë, gjithnjë e madhe dhe e shkëlqyer, për 30 a 40 vjet Ali Pashën e Tepelenës; me sa vende e krahina ja rriti pushtetin dhe sa përfitime patën të bijtë dhe nipërit e tij. Po larg nga të çmuarit e gjithë këtyre të mirave, ai veproi me mosmirënjohje. Në asnjë vend nuk janë dëgjuar krime si ato që ka bërë Aliu i Tepelenës. Ai s'la të keqe pa u punuar robëve të zotit e të profetit. Ai mori pjesë në gjithë mashtrimet e në tërë kryengritjet, fshehur ose sheshit, me para e djallëzi. Ai ka qenë nxitës i të tërave."
       Duke vazhduar të numroj krimet e pafund të Aliut, jafta thoshte se Porta e Lartë pat thirrur shumë herë që të hynte në rrugën e zotit dhe më në fund, drejtësia e hidhërimit të kalifit, që shtrihet mbi dy dete e dy kontinente, ra mbi të. "Dhe kjo është koka e të quajturit Ali Pashë Tepelena, tradhëtar i fesë."
       Koha më pas, një dervish shqiptar e varrosi natën kokën e Ali Pashës në varrezat e mëdha të qytetit. Ai dervish vuri mbi të një gur të gdhendur, ku ishte shkruar se aty prehej koka e Ali Veliut të Tepelenës, që tronditi themelet e Perandorisë Osmane për 35 vjet me radhë. Kështu Aliu u bë njeriu me dy varre, një në Stamboll dhe një në Janinë.


V


       Me kokën e Aliut në parkun e Portës së Lartë dhe me një djalë të porsalindur në harem, Sulltan Mahmudi nuk mbahej nga gëzimi. Topi buçiste për hare dhe në rrugët e Stambollit nuk pushonte ahengu. Hurshid Pasha mori emrin "Epirotas". Atij sulltani i dha titullin që u jepej vetëm trashëgimtarëve të fronit, i dërgoi një qyrk të çmuar e një kamë të stolisur me gurë diamanti, i shkroi një letër me dorën e tij dhe i bëri nderet që mund t'i bëheshin heroit më të madh të perandorisë. Pastaj sulltani e udhëzonte Hurdishin të shtronte Epirin e të shkatërronte Sulin. Të mos kurseheshin, as gratë, as fëmijët. Dhe kur të mbarote këto punë, t'i turrej sa më parë Moresë.
       Në zbatim të këtij urdhëri, seraqeri i bënte një shpallje popullit të Epirit:
       "Ju skllevër dhe raja të padishahut të pamposhtur Mahmudi II! Ju falet jeta. Do të hani në paqe bukën e skllavërisë, po të dorzoni armët menjëherë. Veçanërisht ju suliotë dhe aramatolë, ju do të paguani, njëlloj si raja e tjertë, tërë taksat dhe tributet që paguanit para se të vinte në fuqi Ali Pasha. Të zhvishni në çast robet me ngjyra të shkëlqyera, që janë vetëm për muslimanët dhe që ju i keni përdhosur. Nuk do të lini më t'u rriten flokët dhe kokën do ta mbuloni me festen lëkurë bualli. Nuk do të hypni kurrë në kuaj, do të ngriheni në këmbë para çdo turku dhe do t'i lironi atij vendin. Nuk do të ndërtoni më manastire, as kisha dhe as të ndreqni konizma dhe do të këndoni lutjet tuaja nën zë. Për tri ditë me radhë do të mabani ushtarët tanë në shtëpitë tuaja".
       Kur filloi ushtria e seraqerit të dilte fshatrave, për të vënë në jetë pikat e këtij dekreti, populli s'kishte ç'të bënte tjetër, veç të merrte arratinë. Jeta kishte bërë njëherësh 30 vjet mbrapa. Skllavërimi turk u kthye me urrejtje të përtërirë.
       Triumfi i Hurdish Pashës do të ishte i plotë dhe askush nuk gëzonte më tepër lavdi se ai, po aty brenda në kamp mbeteshin shqiptarët. Ata panë se seraqeri u ngrit si një sulltan mbi kufomën e Aliut. Ai kishte dërguar fshehtas kokën e vezirit në Stamboll dhe po mbante në pranga sekretarin e tij. Me anë të një letre drejtuar ushtrisë, sulltani thoshte se duhej të bekonin bukën dhe kripën që u jepte paraja e tij. Shqiptarët thanë se nuk e kishin dashur atë bukë dhe as e kishin ngrënë ndonjëherë, dhe se kishte ardhur koha të lanin llogaritë.
       Serasqeri u këshillua përsëri me Omer Vrionin, që ishte emëruar pasha në Janinë, Omeri tha se i vetmi shpëtim ishte të shpërndaheshin shqiptarët, duke u dhënë leje pjesë-pjesë. Omeri nuk e dinte atëherë se kështu po shpërndante zjarrin në tërë Shqipërinë.


* * *


       Si mori masat që i përkisnin Greqisë, sulltani ktheu kryet nga bijt e Aliut. Kishte ardhur koha të çrrënjoste trashëgiminë e tij. Ai urdhëroi Veliun e Myftarin të vdisnin në çast, bashkë me bijtë e tyre meshkuj.
       Veliu i priti urdhërin në gjunjë dhe i zgjati qafën shiritit, Ai qau e u lut, që t'ja merrnin kokën në një vend të veçant. Xhelati u tregua i paepur. Urdhëri kërkonte që më parë të vdisnin bijtë e Veliut, Selim e Mehmet, pastaj vëllai i Veliut, Saliu. Pasuria do të vulosej dhe gratë do të merreshin skllave për t'u shitur në treg. Si të shihte të kryera këto punë, të dorzonte kokën e tij edhe Veliu.
       Ndryshe nga i vëllai, Myftari u tregua i pabindur. Ai lexoi fermanin dhe e flaku tej.
        - Hej të shoftë imam Hyseni! Qysh pandeh se vdes si eunuk shqiptari! - i tha ai xhelatit. - A nuk e di ti mor qen se unë jam i biri i Ali Pashë Tepelenës? - Myftari nxori jataganin dhe ja nguli në bark kapedanit të jeniçerëve. Pastaj ju turr të tjerëve, pa ju lënë kohë të mbrohen, i dëboi jashtë oborrit dhe i vuri shulin portës.
       - O shokë, merrni armët se na prenë, - thirri Myftari.
       Jeniçerët e rrethuan pallatin e Myftar Pashës. Trimat e tij kishin zënë vend pas dritareve dhe nisën pushkën. Ashtu si i ati, Myftari kishte grumbulluar armë e barut, sikur do të luftonte me javë e muaj. Atëherë jeniçerët shtynë përpara topa dhe filluan të rrëzojnë muret. Kur s'kishte mbetur asnjë nga trimat më këmbë, Myftari ktheu kryet dhe pa se u përmbys në dysheme plaku Meco Bono. E kishte marrë plumbi në gjoks dhe i shkonte nga goja. Ai deshi të thoshte diçka.
       - Folë, o plak, se ta mbaj unë amanetin, - thirri Myftari. Plaku bëri shenjë me dorë, sikur donte të shtynte një urë zjarri. Myftari kuptoi. E puthi plakun në buzë, mori të dy koburet që kishte lënë në sofanë e dritares dhe zbriti në bodrum. Aty ishin vendosur fuçitë e barutit.
        Myftari shqepi kapakun e një fuçie. Ai ndjeu se jeniçerët kishin kapërcyer murin dhe po atë çast u hapën kanatat e portës së madhe. Myftari u afrua në frengjinë që i jepte dritë bodrumit, u mbush me frymë dhe thirri plot mushkëritë:
       Lavdi në jetë të jetëve Ali Veliut të Tepelenës.
       Ai kishte ngritur të dy krahët lart. Askush nuk u përgjegj nga jashtë. Ai kërceu drejt fuçisë së shqyer. Uli krahët sikur do ta shkulte fuçinë nga dheu dhe shkrehu mbi të dy koburet. Gurët, dërrasat dhe njerëzit, kërcyen në ajër. Nuk mbetej asnjë gjurmë nga Myftar Pasha për t'ja çuar Stambollit, si shenjë të zbatimit të vendimit.
       Sulltan Muhamudi i pa me habi të vërtetë kokat e bijve të Veliut, Mehmetit dhe Selimit. Ai ngriti vetullat lart dhe tha se kujtonte që të nipërit do të ishin po aq të vjetër sa edhe gjyshi. Nuk e dinte se ata kishin koka nga më të bukurat që kishin prerë ndonjëherë.
       Ai ishte moti i kokave të prera dhe ajo punë s'kishte të sosur. Ju pre koka Pasho beut, për të zbutur pak zemërimin e shqiptarëve dhe ju pre koka Halet efendiut, për të qetësuar disi inatin e jeniçerëve. Pastaj erdhi radha Hurshidit.
       Serasqei kishte dërguar në Stamboll 25.000.000 piastra nga thesari i Aliut, po në Portë të Lartë kërkonin një inventar të plotë dhe nuk besonin kurrë se ajo ishte e tërë pasuria. U dërguan në Stamboll njerëzit e pallatit të Aliut dhe u vunë në tortura. Ata s'dinin asgjë. Mbetej vetëm Vasiliqia. Sulltani kishte thënë se ajo ishte e lirë dhe mund të martohej. Vasiliqia 25 vjeçare kishte vendosur të mos merrte tjetër burrë.
       Një javë më pas, Hurshidi mori një ferman të prerë, të gjente e të dërgonte në Stamboll pjesën tjetër të thesarit, ose të paraqitej vetë aty. Atëherë serasqeri pregatiti në Larisë varrin e tij. Nuk dinte ç'të dërgonte në Stamboll dhe e shihte tepër të vështirë detyrën që i ngarkonte sulltani për të shtruar Greqin dhe Morenë. Ai tha përsëri se s'pati fat të vdiste si Ali Pasha. Piu helmin, pasi la me shkrim tërë porositë mbi varrimin që duhej t'i bënin. Po as ashtu nuk shpëtoi. Çohadari që erdhi nga Stambolli, për të marrë kokën e tij, hapi varrin dhe bëri detyrën.
       Atë vit u ndërtuan me radhë në kamaren ibert tashe, koka e Ali Pashës, Halet efendiut dhe seraqerit Hurushd Pasha. Ajo ishte një kamare e caktuar për kokat e atyre që bënin tradhëti të larta ndaj sulltanit.

  1. Shpallje