Një dukuri e përhapur gjatë vitit 1999 ishte edhe shkatërrimi i pronave të privatëve. Sipas një studimi të UNHCR-së në nëntor të vitit 1999, pothuaj 40% e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë rezultonin të dëmtuara rëndë apo krejt të shkatërruara. Komunat që njiheshin për lidhje të forta me UÇK-në u përballën me pasoja më të rënda, pjesërisht edhe prej faktit që sulmet kundër tyre kishin filluar qysh në vitin 1998. Pati zona, të cilat edhe pse nuk shquheshin si mbështetëse të UÇK-së, u goditën megjithatë, si fjala vjen qyteti i Pejës, ku më shumë se 80% e shtëpive të banimit u shkatërruan apo u dëmtuan rëndë.
      Shkollat e xhamitë patën të njëjtin fat. Sipas një vlerësimi të Kombeve të Bashkuara, u vëzhguan 649 shkolla të Kosovës, dhe më shumë se një e pesta rezultonin të dëmtuara rëndë, ndërsa 60% e tyre ishin krejt të shkatërruara. Përveç kësaj, forcat serbe e jugosllave tentuan dhe arritën të nxirrnin jashtë përdorimit puset e burimet ujore në të gjithë territorin e Kosovës duke derdhur në to lëndë kimike, kafshë të ngordhura apo mbetje kufomash njerëzore. Human Rights Watch dokumentoi raste në katër fshatra, ku viktimat njerëzore ishin hedhur në burimet ujore apo në puse.
      Dëshmitarë e viktima të shumta i treguan Human Rights Watch se si forcat qeveritare, qoftë në shtëpitë e tyre, qoftë kur ishin në rrugë e sipër për të lënë Kosovën, u kishin zhvatur gjëra të çmueshme, përfshirë unaza martesore e automobil. Policë, ushtarë, e sidomos pjesëtarë të njësive paraushtarake kërcënuan individë të ndryshëm me vdekje, nëse këta të fundit nuk binin dakord të jepnin pará, rëndom marka gjermane. Një vjedhje e tillë është përmendur në mënyrë të përsëritur, madje edhe nga pjesëtarë të forcave të sigurimit, të cilët folën me median ndërkombëtare pas luftës. Për disa syresh, kjo ishte arsyeja që ata shkuan në Kosovë. Shumë vullnetarë thanë se ata ishin liruar nga burgjet në Serbi, me kushtin që të binin dakord për të shërbyer krahas policisë e ushtrisë.
      Ky raport dokumenton gjithashtu dukurinë e detyrimit të të paraburgosurve për të hapur transhe apo për të pastruar bunkerë, si dhe atë të përdorimit të civilëve si shqyt njerëzor për të mbrojtur trupat nga sulmet e NATO-s e të UÇK-së. Qeveria jugosllave vendosi gjithashtu mina tokësore antitank e antipersonel, sidomos në kufirin me Shqipërinë e Maqedoninë. Sipas shumë gjasave, kjo ishte edhe një masë që merrej për t’i bërë ballë tentativës për pushtim tokësor të Kosovës.

< 8
faqe
- 9 -

10 >