Lorenc Antoni[1]
(Shkup, 23.09.1909 Prishtinë † 21.10.1991)
NË ENCIKLOPEDI


Kompozitor, dirigjent dhe etnomuzikolog i shquar nga Kosova. Lindi në Shkup. Qysh fëmijë aktivizohet në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Studion privatisht muzikë në Shkup dhe Beograd. Pas shkollimit në Fakultetin Filozofik të Shkupit kthehet në Ferizaj dhe më pas ngre të parën shkollë të ultë dhe të mesme muzike “Josp Sllavenski” në Prizren më 1948. Po në këto vite drejton si dirigjent edhe korin e shkollës muzikore, atë të shoqërisë kulturore artistike “Agimi” si dhe orkestrën simfonike të qytetit të Prizrenit. Pas këtyre viteve vazhdon të merret intesivisht me kompozime, dirigjime të veprave, veprimtari pedagogjike etj. Në fushën e studimit të folklorit, Lorenc Antoni vlerësohet se i pari mblodhi dhe botoi shtatë vëllime të muzikës popullore shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të zi dhe Moravës Jugore të shoqëruar me analiza etnomuzikologjike mbi gjithë këtë lëndë që është transkiptuar po prej tij. Ka kompozuar edhe muzikë, ndër to dallohen kompozimet vokale. L.Antoni konsiderohet edhe si kompozitori i gjeneratës së parë të kompozitorëve të Kosovës. Sipas Prof. E.Berishës: në përgjithësi krijimtaria e L.Antonit bazohet në idiomën muzikore popullore shqiptare. Veprat kryesore: -“Këngë popullore shqiptare të Kosovës dhe Metohisë”, Prishtinë 1953;“Folklori muzikor shqiptar”, me shtatë vëllime, Prishtinë 1956-1977; “Balada dhe legjenda”, Prishtinë 1973; “Përrallat”. I, Prishtinë 1979; “Kërkime folklorike”, Prishtinë 1981; “Përrallat”, II, Prishtinë 1982; “Këngë kreshnike”, I,II,III; “Vajtime, gjamë dhe elegji”; “Këngë dasme”, I,II etj. Artikuj shkencorë: -“Folklori muzikor shqiptar”, tek “Jeta e r”, 1949, nr. 1; “Format e ritmit të këngëve popullore shqiptare”, tek “Jeta e re”, 1949 (nr. 1), 1950 (nr. 5 dhe 6) 1951(nr. 1); “Bazat tonale të këngëve popullore shqiptare”, tek “Përparimi”, , 1952, nr. 11-12; “Këngët popullore nga Opoja”, tek “Përparimi”, 1959, nr. 2-3; “Të kënduemit popullor shqiptar”, tek “Zvuk”, 1960, nr. 41-42; “Dy mënyra të kënduemit te shqiptarët e Malit të Zi”, tek “Përparimi”, 1961; “Format muzikore të këngëve popullore shqiptare”, tek “Zvuk”, 1963; “Trajtat polifonike të muzikës popullore vokale të gegëve”, “Gjurmime Albanologjike”, II/1972; “Elementët polifonikë në muzikën popullore të Opojës”, Gjurmime Albanologjike”, II/1974 etj. Lit: Bello Pandi, “Me rrënjë tek arti i popullit”, “Skena dhe ekrani”, 1989, nr. 1; Sokoli Ramadan, “Muzikologu dhe atdhetari Lorenc Antoni”, “Shqipëria RTV”, 1/1995; Berisha E, “Zhvillimi i stileve në veprat e kompozitorëve shqiptarë të Kosovës”, Prishtinë 1997 etj.


  1. Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare