I Mahi nga lufta

1. Në kodër të qyqarëve
Gjatë ofenzivës së forcave serbo-çetnike, në verën
e vitit 1998, një familje nga Drenica shkoi në Prishtinë.
Kur u paraqit në Këshillin e Emergjencës, ata pasi e
shikojnë një listë, i thonë:
-E kemi një shtëpi të lirë në Kodër të Trimave, mund
t`ju vendosim nëse doni?
-Jo- ua ktheu drenicaku- mua ma gjeni një shtëpi
në Kodër të Qyqarëve, se po të isha trim, unë do
të isha tash në Drenicë, e jo këtu.
2. Prej nga je? 
Gjatë ofenzivës serbe të shtatorit të vitit 1998,
në malet e Qyqavicës u strehuan shumë familje 
nga Drenica. Aty dëgjova këtë dialog:
-Kah të patëm oj shoqe?
-Nuk di as vet. Kam qenë e martuar në Polac. 
Dy javë ndejta në Galicë, një muaj në Dubofc,
dy muaj në Kollë e qe tri ditë jemi këtu në
bjeshkë. E ti a po e din ti tash nga jam?
3. A po qesin?
Gjatë luftimeve në Prekaz, në mars të vitit
1998, disa gra e fëmijë erdhën në lagjen tonë.
Baqica i kishte mjelë lopët dhe hyri në shtëpi. 
Njëra nga gratë mysafire e pyet:
-A po qesin? Baqica duke aluduar tek lopët, i përgjigjet:
-Po valla, po qesin boll.
-Uh, qyqet na, donë me ardhë edhe këndej-ia kthei ajo.
-Qysh mori qyqet na, çka kishin me pi fëmijtë?
-Uh, gru, gru, unë mendova mos po gjuajnë shkjetë.
4. Kjo më nuk durohet
Në një fshat, diku në Kosovë, banorët kishin 
ikur para ofenzivës serbe dhe ishin fshehur 
në një mal. Ata, nga mali i shihnin shtëpitë duke 
u djegur nga kumbarët e deridjeshëm serbë.
Kur shkjetë hynë edhe nëpër kopshtet me perime 
dhe shkatrruan edhe serrat, njëri nga ata bërtiti:
-Vëllezër, kjo më nuk durohet. Kush është i gatshëm 
të vdesë, le të vijë pas meje.
5. Do ta ndajmë oborrin
Një familje nga Drenica, me një kerr fëmijë, 
ia mësyn Mitrovicës dhe vendoset tek një 
familje e cila e pranon me ngrohtësi.
Pas pak ditësh, drenicaku kishte blerë dërrasa.
I zoti i shtëpisë e pa duke i shkarkuar dhe e pyeti:
-Çka po të duhen ato dërrasa, o lum miku?
-Burrë, vendosa ta ndajmë oborrin. Shumë fëmijë,
po përzihen e besa edhe po lazdrohen.
6. Mos i qaj tapetat
Njëri nga Drenica gjatë luftës së 98-ës ishte 
vendosur në një familje në Mitrovicë. I zoti i 
shtëpisë  e kishte pritur mirë, por një ditë 
ishte ankuar tek mysafiri se fëmijtë kishin 
nisur t`ia shkatrrojnë tapetat në mur.
Drenicaku ia ktheu:
- Qysh bre nuk po të vjen marre, mua ma
kanë djegur shtëpinë e nuk u bë nami e
ti ankohesh për tapetat, lëri burrë fëmijtë 
le të luajnë.
7. Veturën po e blej unë
Një familje kishte ikur nga lufta dhe ishte
vendosur në Mitrovicë. i zoti i shtëpisë 
nuk kishte qenë edhe aq i fortë ekonomikisht,
por kishte vendosur ta mbante me shpenzime 
të vetat. Kur iu harxhuan paratë, ai i tha mysafirit 
se kishte vendosur ta shiste veturën. Ky farë trimi
e kishte pasur një duç marka me vete, por që nuk
e kishte shpenzuar asnjë cent, po i thotë:
-Veturën po e blej unë, sa e merr tjetërkush.
8. Këta kanë vdekur, jo unë
Një ushtar i UÇK-së nga Dërvari ishte plagosur 
rëndë gjatë luftimeve të ofenzivës serbe të 
shtatorit në Qyqavicë. Kur e gjejnë disa shokë 
e tërheqin prej aty dhe e vendosin në një vend 
të sigurt, i lajmërojnë edhe shokët tjerë. 
Derisa vijnë të dytët, ushtarët i zë gjumi, 
kurse ushtari plagosur nuk mund të flinte nga 
dhembjet. Me të arritur, ata e pyesin:
-A nuk ke vdekur, a?
-Jo, unë jo, por këta shokët-iu përgjigjet 
ushtari në shaka.
9. E kam nemë viçin
Në Prekaz të Poshtëm, derisa ishte si zonë 
më e lirë, ishin vendosur disa familje nga 
fshatrat ku ishte më rrezik nga luftimet. 
I zoti i një shtëpie që kishte shumë mysafirë 
e kishte prerë një viç. Pas dy ditësh aty
shkoi edhe një nip nga Gllobari. 
Daja po i thotë nipit:
-Rras mish se e kam prerë atë viçin që 
i thosha të hëngërshin qentë.
10. A e biem pulën o babë?
Njëri kishte pranuar në shtëpi disa të 
zhvendosur. Një mbrëmje derisa hanin darkë, 
çka kishte qëlluar, një fëmijë po i thotë të 
zotit të  shtëpisë:
-A e biem pulën o babë?
-Jo, jo, prit edhe pak!
Mysafirët merrnin ngapak, por nuk largoheshin,
duke menduar se njëmend do të bijnë edhe pulë.
Prit e prit, pasi pula nuk erdhi, ata u larguan 
nga sofra.
Atëherë plaku i tha atij fëmijës:
-Bjere babo tash pulën!
Pasi i hëngri trohat e bukës, pulën e përzunë përjashta.
11. Uji në benzinë
Gjatë luftës, Qirezi ishte ende zonë e lirë
dhe e kontrolluar nga UÇK-ja. Aty bëhej 
njëfarë tregu dhe njerëzit furnizoheshin 
me artikuj të ndryshëm.
Njëri duke shprazur një kanistër me
benzinë, e mbante ombrellën sipër kapakut
të rezervoarit për të mos rënë pikat e shiut.
Njëri duke e shikuar këtë skenë i tha:
-O lum jarani, hiqe atë ombrellë, se uji ka hyrë
moti në kanistër.
12. O babë, hajde ngjitma bishtin
Derisa Besimi punonte në hapjen e istikameve 
të UÇK-së në Polac, kishte thyer bishtin e kazmës. 
Kur kthehet në shtëpi, e sheh të atin duke qëndruar 
me një fqi.
Nga larg e thërret e i thotë:
-O babë, hajde ngjitma bishtin!
13. Këmba në fyt
Gjatë luftës edhe Bilalli nga Polaci, një kohë 
të gjatë me familje kishte qëndruar në luginën e 
Tushilës, në një tendë najloni.
Një natje i kishte thënë gruas:
-Allahile, a mundesh me i ra në fije një ëndrre 
që e kam parë mbrëmë?
-Hë, hajërli qoftë- ia ktheu e shoqja.
-Gati më ka dalë shpirti, disi njëfarë trau më
kishte rënë në fyt dhe ma zinte frymën-ia ktheu ai. 
Ndërkaq, ajo duke qeshur ia ktheu:
-Mos u bën merak, se nuk ka qenë tra, 
por ishte këmba ime.
14. Andej ka përplot policë
Njëfarë Sadiku nga Kozhica, një ditë ishte
nisur këmbë për në Polac. Diku në rrugë e 
takon njërin me veturë që shkonte në drejtim 
të Qirezit. Ai u ndal dhe e pyeti plakun:
-A mund të shkohet për në Qirez?
-Çfarë Qirezi, more burrë, andej nga Beçiqi, 
po vijnë forca të shumta. Ai e ktheu veturën, 
e mori edhe plakun dhe kur arritën në Polac, 
Sadiku po i thotë atij:
-Mua ndalma këtu se e kam një motër e po 
zbres e ti nëse ke ndonjë punë shumë me 
rëndësi, shko në Qirez, se ndoshta më kanë
bërë sytë se s`ka policë. 
15. O ti njeri u kall
Në kodrën Te Lisat e Xanit në fshatin Polac,
një kohë të gjatë ka qëndruar një punkt i
policisë serbe. Ata ditë e natë gjuanin me 
armë të ndryshme, kurse fshatarët vështronin 
mos po vijnë më afër.
Një grua, një ditë po i thotë të shoqit:
-O ti njeri, u kall !
-Ai turrevrap nga dera e oborrit, të shikojë 
mos po digjet fshati, kurse e  shoqja ia pret:
-Jo, jo, nuk u kall fshati, por…
16. Dikush po lypë hu në këtë shtëpi
Njëri që e kishte shtëpinë afër me atë ku 
ishte vendosur njëfarë komisioni i emergjencës,
një ditë duke kaluar pranë murit të oborrit të
vet, i vërejti dhjetra kuti të shprazëta të
gullashit. Shkoi në shtëpi dhe iu drejtua së ëmës:
-Nënë, dikush po lypë hu në këtë shtëpi. Si bën
që tinëz të hahen gullashat e neve po don me 
na bi në bark pasuli i emergjencës.
-Jo, djali i nënës, nuk janë ata gullashat tanë, 
po ata po i gjuajnë mbi mur në oborr tonin.
17. Do të vdesim të gjithë
Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s mbi
caqet serbe, njerëzit e patën shumë vështirë 
nga sulmet e parreshtura të forcave serbe. 
Një plak që i kishte humbur shpresat se do të
shpëtonin gjallë, iu thotë disa ushtarëve të UÇK-së:
-Edhe nëse shpëtojmë nga granatat, të gjithë
do të vdesim nga uria.
-Jo, axhë, liria është afër, dy javë mbahemi
me qumësht.
-E pastaj- ç`bëjmë?- tha plaku.
-Pastaj edhe dy javë e shtyjmë me mish, i presim lopët.
-Jo, jo, të gjithë do të vdesim- këmbëngul plaku.
-Ishalla akshami nuk na pret-ia kthu njëri.
Atëherë plaku u kthjellua pak e tha:
-Mos bre djalë, mos fol ashtu, a e din që e kemi 
zotin, ai na ruan e na shpëton.
18. Rojet e lara  n`gjak të lopës
Dy ushtarë të UÇK-së një mbrëmje kishin dalur
në roje. Shokët e tyre në “shtab” për nevojat e 
ushtarëve kishin prerë një lopë aty në oborr. 
Kur filluan gjuajtjet nga punkti i policisë serbe,
19. Çka  po sheh?
Një ushtar i UÇK-së që kishte dylbi përpiqej
t`i përcillte fluturimet e avionëve të NATO-s. 
Një shok i tha:
-A po sheh diçka?
-Po-iu përgjigj ai-piloti e ndezi një dunhill,
kurse unë e ti po pimë dushk mali të mbështjellë
me letër të thasëve.
20. Abeja ia sosi prapanicën policit
Katër pesë shokë, ushtarë të UÇK-së kishin 
zënë pozitë të mirë përballë një punkti të policisë 
serbe, por nuk kishin armë të tjera pos 
kallashëve. Ata gjuanin në drejtim të policisë, 
por pasi që plumbat nuk arrinin deri atje, policët
ua shplonin prapanicën dhe talleshin me ta.
Pas pak aty arrin Bekim Berisha-Abeja dhe kur
i sheh të mërzitshëm i pyet:
-Çka keni, mos iu kanë mbytur xhemitë në deti?
-Jo, i thanë ata-por këta kallashët tanë nuk po 
na bëjnë punë.
-Hajt gjuani ju njëherë-iu tha Abeja.
Ata gjuajtën, kurse polici që u zhvesh, më nuk 
u ngrit në këmbë, nga snajperka e Abesë.

I Mahi nga lufta (pjesa e dyte)

20. Abeja ia sosi prapanicën policit
Katër pesë shokë, ushtarë të UÇK-së kishin 
zënë pozitë të mirë përballë një punkti të policisë 
serbe, por nuk kishin armë të tjera pos 
kallashëve. Ata gjuanin në drejtim të policisë, 
por pasi që plumbat nuk arrinin deri atje, policët
ua shplonin prapanicën dhe talleshin me ta.
Pas pak aty arrin Bekim Berisha-Abeja dhe kur
i sheh të mërzitshëm i pyet:
-Çka keni, mos iu kanë mbytur xhemitë në deti?
-Jo, i thanë ata-por këta kallashët tanë nuk po 
na bëjnë punë.
-Hajt gjuani ju njëherë-iu tha Abeja.
Ata gjuajtën, kurse polici që u zhvesh, më nuk 
u ngrit në këmbë, nga snajperka e Abesë.
21. Ma kishte pirë lopa ujin
Njëri prej Klinës së Poshtme, gjatë luftës, 
kishte pasur shumë njerëz në shtëpi, që kishin
ikur nga fshatrat tjera. Një ditë i thotë të
shoqes që t`ia vokë një kusi ujë për t`u pastruar. 
Të hyjë në banjo në shtëpi i vinte turp nga gratë
e huaja që ishin mysafirë, po i thotë të shoqes 
t`ia dërgojë kusinë në ahur. Ajo  ashtu edhe veproi. 
Pas pak, ky me sapun e peshqir në dorë, shkoi në 
ahur dhe saora doli pa u pastruar. E shoqja e pyeti 
pse doli aq shpejt e ai ia ktheu:
- O, ma kish pi lopa ujin.  
22. A po mundesh me ikë o vëlla
Vëllai tepër i merakosur për fatin e familjes 
në Kosovë, thërret të vëllain në telefon nga Zvicra.
-A jeni gjallë o vëlla?
-Po, po gjallë jemi edhe pak.
-A po mundeni të ikni nëpër male, o vëlla?
-Po ikim ngapak, po ikim por jo aq larg sa ti 
o vëllau i jem trimi. 
23. S`e vrau shkaun që pinte birrë 
Zukë Dajakut i kishin thënë shokët 
se do t`ia jepnin një snajperkë, po qe
se  do ta vriste një shka që shihej nga 
larg në oborrin e vet.
Zuka e pranoi kushtin, por kur përmes
dylbisë së snajperkës  e vërejti se 
shkau po e pinte një birrë, iu tha shokëve:
Burra, unë nuk mund ta vras. Qenka duke 
pirë birrë. Gjynah.
24. A po ta hanë lopët kashtën o mik
Një grup të rinjsh nga Polaci, duke 
bredhur nga fshati në fshat, u bie 
rruga edhe nëpër Braboniq. Afrohen te 
një shtëpi, thërrasin dhe kërkojnë leje 
që atë natë me shi ta kalonin në plemen e 
tij me kashtë.
-Jo, valla nuk mund t`u bëj konak,
se nuk ma hanë lopët pastaj kashtën.
-Ishte përgjigjur i braboniqsi.
Pas dy-tri ditësh, këta të rinj, duke u kthyer 
nga Kotorri për në Mitrovicë, e shohin plemen 
rrafsh me tokë dhe të zotin që sillej andej 
pari e pyetën:
-Apo ta hanë lopët kashtën, o lum  miku?
25. Shokët e Bunkerit, nuk i zë tash as kulla e Ademit
Një grup gazetarësh ishin ofruar tek 
bunkeri ku kishte qëndruar Adem Jashari 
para e gjatë luftës. Pasi i bënë disa 
fotografi po e pyesin një vendës.
-E dini ju zotri, kush ishin shokët e 
Adem Jasharit që kanë qëndruar në 
këtë bunker?
-More zotni gazetar, siç po e shihni
këtu është bukur ngusht, por siç po 
flasin tash njerëzit, ata që kanë 
qenë në bunker me komandantin,
tash nuk i zë as kulla e Jasharëve.
26. O ti djalë, merr edhe ti najsen !
Lufta kishte mbaruar. Naimi nga Drenasi
që kishte qenë luftëtar i UÇK-së, ishte
kthyer nga mali në shtëpi. Mezi kishte hyrë
brenda nga kuterbimi i një qeni të vrarë kaherë,
po brenda gjeti një grua me disa fëmijë duke
marrë gjësende.
Ajo duke mos e njohur, i thotë Naimit:
-O ti djalë, merr edhe ti najsen se këtu paska gjithçka! 
27. T`parat le të vijnë ato qëjanë kallë
Pas luftës, një ditë në shtëpinë e shëndetit 
në Skënderaj para ordinancës së mjekut 
pritnin përplot njerëz.
Mjeku, pa të keq, por duke dashur t`iu jep 
përparësi pacienteve me shtëpi të djegura, 
del e thotë:
-Ju lutem burra, lironie rrugën për gratë që janë kallë.
28. Perde për ahur
Pas luftës, në një shitore të tekstilit, në 
Skënderaj, hyn një fshatar nga Llausha 
dhe i drejtohet shitësit:
-Ju lutem, a keni perde për dritare të ahurit?
Shitësi: ( duke  e shikuar me habi)
-Çka po thua lum jarani, njerëzit nuk po 
kanë të blejnë perde për shtëpi e ti thua për ahur.
-O burrë, unë nuk kam shtëpi,  
por më duhet perde për dritaren e vogël  
të ahurit që e kam adaptuar për banim, 
se po të kisha shtëpi  s`do të 
mërzitesha fare për perde.
29. Hiqmi këto shkina prej oborrit
Pas mbarimit të luftës, njëri i kishte 
“ gjetur” në një fshat të serbëve 
disa lopë të mira, aso bardhezi. I merr 
e i qon në shtëpi, po ato nganjëherë hynin 
edhe në oborret e fqinjve. Një ditë fqiu po 
e thërret të zotin e lopëve e po i thotë:
-O kojshi, aman hajde hiqmi këto shkina
prej oborrit se s`po mund t`i shoh me sy!
30. O babi, po ecën kapela e UÇK-së
Një familje nga Runiku ishte kthyer 
pranë shtëpisë së djegur. Derisa të 
rriturit përpiqeshin të bëjnë pak vend
për të hyrë brenda një voglush 4 vjeçar 
uante nëpër oborr. Kur e kishte vërejtur
një breshkë, ai me zë të lartë e kishte 
thirrur babain:
-O babi, eja shih si po ecën një  kapelë e UÇK-së.
31. Shtëpitë kabriolet
Pas mbarimit të luftës, në pjesën 
jugore të Mitrovicës, derisa ecnim me 
Hamdi Miftarin, një serb nga 
Runiku që shkonte nën përcjelljen e
KFOR-it, prej së largu po e pyet Hamdiun:
-Komsho, a din qish i kena shpijat atje në Runikë?
-Aaaa, komsho, mos vet, shumë bet, sikur 
tonat, kabriolet-iu përgjigj Hamdiu.
32. Serbët pam-pam
Gjatë ofenzivës së shtatorit të vitit 1998,
Hilmi Xani, një ushtar i UÇK-së, ishte 
plagosur rëndë në malet e Qyqavicës.
Pas luftës shkon në Tiranë për një
kontroll tek mjekët italianë. Duke hyrë 
në portën e spitalit, njëfarë aparati nisi 
të fishkëllojë. Roja e ndali. Hilmiu 
nxjerr nga xhepat gjithçka që kishte, 
por aparati prapë fishkëllonte.
Hilmiu atëherë nisi t`iu shpjegonte italianëve:
-Serbët, pam-pam, dhe bënte me dorë nga këmba.
Kur e fotografuan në aparat të rentgenit, i thanë:
-Ti vërtet armë nuk paske, ama pam-pam municion po.
33. Me ta thye edhe tjetrin krah
Njëri nga Rezalla gjatë luftës e kishte thyer krahun. 
Dikur vonë, pas lufte shkon te mjeku në Prishtinë.
Kur hyn brenda, mjeku po e pyet:
-Me kë je axhë?
-Me një djalë kam ardhur-iu përgjigj i rezallsi.
-S`po të pyes për djalin, po a je me Rugovën a 
me Thaçin- vazhdoi mjeku.
-Jooo, ne Drenica jemi të gjithë me Thaçin-i tha ai.
-Qenka mirë me ta thye edhe tjetrin krah-ia ktheu
mjeku me nervozë. 
34. Plaku dhe kriteret për shtëpi
Një plak nga Rezalla kishte shkuar të
ankohet pse ende nuk ia kishin ndërtuar
shtëpinë e djegur. Një anëtar i komisionit
komunal po i thotë:
-Mixhok, për t`i plotësuar kriteret për 
shtëpi, ti duhet të kesh fëmijë nën 5 vjeç,
s`duhet të kesh lopë, s`duhet të kesh 
tokë, traktor apo dikë në botën e jashtme.
-Demek- tha plaku me nervozë-sipas jush
unë po u dashka të jem i vdekur dhe t`i 
plotësoj kushtet për varr, a ?
35. Hyri KFOR-i, na u paska luajt nëna
Një plak po e sheh një mocanikun e tij 
duke ikur në drejtim të malit.
-Ou, ndalu burrë e mos u tut se kanë 
shkuar serbët, ka ardhë KFOR-i, erdhi liria, mos ik !
-Liria ka ardhë për ty se mua m`u paska luajt nëna,
tha plaku i cili nuk kishte qenë bash i rehatshëm.

GAZETARIA SI PËRVOJË

1. Shkronjat e vogla
Redaktori i një gazete, i thotë korrespondentit:
-Ju lutem, ju do të më verboni me ato shkronja 
aq të vogla  me të cilat po shkruani.
-Z. Redaktor, unë vet jam i vogël, gruan e 
kam të vogël, rrogën po ashtu të vogël, e 
si mund të bëj përjshtim e t`i shkruaj 
shkronjat më të mëdha-i përgjigjet korrespondenti.
2. Qentë në radio
Gjatë ditëve të para të punës në Radio Mitrovicë, 
mora për detyrë nga redaksia ta zhvilloj një 
bisedë me një drejtor të një shkolle 
të mesme në Skënderaj. Intervistën e mbarova, 
ndërkaq pjesën hyrëse e kisha lënë ta kryej në 
shtëpi. Duke e montuar atë pjesë, UHER-i im 
regjistroi një të lehur të  fortë të qenve mu 
në mbarim të fjalisë: “Dëgjues të nderuar
në  vazhdim do të ndiqni bisedën që zhvilluam 
me drejtorin NN”.
3. Ti këtu e atje
Një të shtunë isha gazetar kujdestar në Radio.
Për të arritur më heret në shtëpi, emisionin 
“ Ngjarjet e ditës” ,të orës 16,5o minuta e lash 
të incizuar në shirit dhe ia dorëzova teknikut.
Kur arrita në Skënderaj, hymë me disa shokë
në çajtore. Në ora 16,50, unë fillova t`i jap 
lajmet në radio, kurse njëri nga tavolina tjetër
më shikonte me habi e duke i fërkuar sytë:
-A po më bëjnë veshët, apo je ti duke i dhënë
lajmet-më tha.
-Jo- i thash, nuk po të bëjnë veshët.
-Atëherë a po më bëjnë sytë, apo je ti edhe
këtu-ma ktheu. E si është e mundur 
ti këtu e atje, përnjëherësh?
4. Nuk kam tremë, pasi jam me ty
Në radio, shpeshherë e realizoja edhe një 
emision për fëmijë. Një ditë kisha ftuar mysafir
Agim Gashin nga Kryshefci, i cili shkruante
vjersha për fëmijë.
Para se të hyjmë në studio, i them Agimit:
-A po ke tremë?
-Jo, më tha-pasi jam me ty e njihemi kaherë.
5. Vetëm karrigën mos ma zë!
Në kohën kur isha korrespondent i radio 
Mitrovicës, në Skënderaj, nuk kisha 
zyrë as telefon. Gjendesha si mundesha. 
Një ditë shkova në zyrën e Sadri Hajrës, 
të cilin  e kisha shok shkolle, e që atëherë 
ai ishte sekretar i BVI-së për punësim. 
Derisa ai shkoi në një zyrë tjetër për
një punë, unë e e dërgova një raport në radio.
Kur u kthye i thash:
-Më fal, ta shfrytëzova pak telefonin.
-More sa për telefon, fol edhe me Amerikë 
nëse ke nevojë, por të lutem vetëm karrigën 
mos ma zë- ma ktheu.
6. Po e rrëzojmë një shtëpi
Gjatë dimrit të vitit 1985  pati rënë 
një borë e madhe. Atëherë punonim në 
një zyrë me Xhavit Çitakun. Ne raportuam 
disa herë për dëmet që kishte shkaktuar 
bora. Një ditë, s`kishim asnjë ngjarje.
-Ç`po bëjmë sot-i thash Xhavitit.
-Paj, po e rrëzojmë edhe një shtëpi-ma ktheu.
7. Më mirë kah ky bërllok 
Ecnim rrugës nëpër qytet me Hamdi Miftarin.
Papritmas ai më tërhoqi për dore  andej 
kah një grumbull bërlloku.
-Përse po na shtin nëpër këtë bërllok?-i them.
-Më mirë të hyjmë nëpër këtë bërllok, sesa
të takohemi me atë bërllokun që po vije drejt 
nesh!- ma ktheu ai.
8. Mbledhja e mbyllur 
Në komitetin e atëhershëm të mbrojtjes në 
Skënderaj, mbahej një mbledhje. Ne gazetarëve 
na thanë se nuk bën të  marrim pjesë, ngase 
kjo mbledhje ishte e mbyllur pasi ishte e  një 
rëndësie të veçantë.
Pas mbledhjes, Sadriu po i thotë Hamdi Miftarit:
-  Çfarë gazetarësh jeni ju që ju përzunë nga 
mbledhja, në të cilën u bë fjalë për blerjen e 
dy maskave mbrojtëse.
Hamdiu ia priti.
-E po çfarë  burri je ti, kur të ndërruan nga 
Kryesia, me një femër, bile edhe ajo, grua shterpë.
9. Kafja pa sheqer
Shkuam një herë me Hamdi Miftarin 
te një drejtor. Ai na priti mirë, por e hetuam 
se  s`deshi të na ofronte kafe me arsyetimin 
se nuk kishte sheqer.
Hamdiu po i thotë:
-Ne i pimë kafetë edhe pa sheqer.
10. Ekspozita
Me Hamdi Miftarin një herë trokitëm 
në derën e shtëpisë së kulturës në Skënderaj.
Portiri e hapi derën vetëm pak sa për t`u 
marrë vesh me neve. Hamdiu e pyeti:
-Përse bre vëlla dera mbyllur në pikë
të ditës, mos keni rënë në bela me kend?
-O vëlla, është hapur një ekspozitë e po
vijnë njerëzit, po e bëjnë korridorin pa fshi, 
hajt thash t`e mbylli derën më mirë-
ishte përgjigja e portirit.
11. Ma blej këtë majmun
Një pasdite, dolëm në qytet me kolegen
Sebiha dhe me djalin e saj. Duke i shikuar 
vitrinat, djali i vogël u ndal e nguli këmbë:
-Mami, ma blej këtë majmunin në vitrinë !
-Jo, biri i nënës, se më bëheni pastaj dy-ia 
ktheu Sebi.
12. Rrugëdalja mbi rrethojë
Me Xhavit Çitakun shkuam te Rexhep Rushiti, 
i cili asokohe ishte drejtor i në fabrike. Pasi 
që punët në këtë kolektiv nuk shkonin edhe 
aq mirë, e punëtorët iknin në shtëpi kur t`iu tekej
po i them:
-Z. Drejtor, ku është rrugëdalja?
-Mbi rrethojën e telave-m`u përgjigj.
13. A ka ndonjë të re
Para derës së kryetarit të komunës, unë e
Xhavit Çitaku takojmë sekretareshën e
kryetarit. 
E  pyeta atë:
-A ka ndonjë të re sot këtu?
-Pse a e vjetër po të duket ty  kjo a- ndërhyri
Xhaviti.
14. Pulën e hamë, ryshfetin jo
Pas luftës siguruam një zyrë me Kajtaz Gecajn 
e Bekim Kastratin, por telefon nuk kishim. 
Një ditë po i themi një tekniku të postës si me shaka:
-Sa po kërkoni të na e siguroni një linjë telefonike?
-Ne nuk e hamë ryshfetin- na e ktheu.
-Atëherë, pasi nuk e hani ryshfetin, a bën
të shkojmë ta hamë një pulë bashkë?
-Eh pulën bën, na tha. 
15. Gruaja nuk është golf
Një ditë në zyrë erdhi një koleg. Mua e
Kajtazit na tha:
Sot nuk jam në punë. Erdha vetëm sa t`
ju shoh se nuk kam kohë të rri , e kam 
lënë gruan tek hyrja e ndërtesës.
-Mos u frikëso se nuk ta merr askush, 
ajo nuk është golf-ia ktheva.
16. Ramtamtamin na e le neve
Në kombibusin e TMK-së, ishim përplot gazetarë 
që shkonim për në Runikë, ku do të vazhdonte puna 
në aksionin e pyllëzimit të sipërfaqeve të zhveshura. 
Një kolege nga Prishtina  ia mori këngës:
Ou moj Shqipni, mos thuaj mbaro-i-ova, e pastaj
vazhdoi me ram, tam, tam, ram, tam, tam. Unë i thash asaj:
-Ti vetëm vazhdo të këndosh, ramtamtamin  na e le neve!
17. Ju në burg unë punoj për juve
Unë përkohësisht isha i papunë, ngase  u ndërpre 
dalja e gazetës në të cilën punoja si korrespondent 
nga Skënderaj. Gati çdo ditë dilja në qytet dhe 
takohesha me kolegët. Një ditë Isa po më thotë:
-Po na akuzojnë lidhur me një shkrim dhe po na
kërcënojnë me burg. A do të vish të na vizitosh 
nëse na burgosin?
-Jo- i thash-nuk do të kem kohë, ngase 
atëherë do të punoj në vend të juajin.
18. Dy rreshta një faqe, një faqe dy rreshta
-Kajtazit mjafton t`ia tregosh ngjarjen me dy rreshta, 
e ai ta mbush një faqe, po i them Isës.
-Mua-tha- mjafton të ma japësh një faqe, prej saj i bëj
dy rreshta.
19. A ka këtu xharrah
Kolegut Adem Metës (korrespondent i Kohës Ditore) i kishte
shkuar një komision i KEK-ut dhe pasi nuk e kishin gjetur në
shtëpi ia lënë porosinë që të paraqitet ne zyret e KEK-ut, ose
do t`ia këputnin (rrymën). Me të kuptuar për këtë, Ademi
shkon atje, hyn në zyrë dhe iu thotë:
-Unë erdha kush është këtu xharrah që don të ma këput, ja ku jam.

TË BËMAT E DAUTIT

1. Dauti e zuri lepurin me dorë
Para shumë vitesh, gjatë një dimri, kishte 
rënë një borë e madhe. Duke qëndruar 
në odë, Dauti iu thotë të pranishmëve se po
dilte ta zinte ndonjë lepur. Pas pak, ai vërtet
u kthye me lepurin e gjallë në dorë, të cilin
e kishte zënë në borë, në kopësht, aty afër
shtëpisë dhe e hëngrën për drekë..
2. O Murat pritma qenin
Mursel Gjinofci ka qenë dhëndërr yni
dhe vinte shpesh te ne. Njëherë qëllon 
në ramazan e shkojnë me i falë taravitë
në xhami. Atë mbrëmje hoxha kishte
thënë se është gjynah ta trembësh e ta 
frikësosh njeriun. Pasi i falin taravitë, Dauti 
shpejton dhe arrin i pari në oborr e po i pret 
pas një dardhe të madhe. Kur arrijnë, Murseli
ndalet e don të derdhë ujë aty afër 
dardhës, kurse Dauti n`atë moment lehë si qen.
-Murseli nga frika bërtet:
-O Murat, mule pritma qenin se më hëngri.
Kur e marrin vesh se ishte Dauti, Murseli po i thotë:
-Daut bre, shpejt e harrove vajzin e hoxhës
se është gjynah ta  frikësosh njeriun.
3. Me bukë e pa bukë
Gjatë viteve të gjashtëdhjeta, Dauti 
së bashku me disa nga Kozhica shkon 
në Maqedoni për të punuar. Dalin
në vendin ku shiteshin argatët dhe
merren vesh me një pronar vreshte
që të punojnë disa ditë tek ai. Sipas
marrëveshjes, i zoti i vreshtës duhej
t`ua qonte edhe bukën. Para se të 
shkojnë në punë njëfarë Aliu, iu thotë 
që ditën e parë të hanë shumë bukë,
në mënyrë që ditëve të tjera t`iu sjellë
edhe më tepër.
Në ditën e parë, kur e pa i zoti i 
vreshtës se sa bukë hanin ata, iu tha:
-Që nga nesër, do të punoni me bukë të juaj!
Të nesërmen, ata shkojnë  në punë vetëm 
me nga një bukë nën sqetull.
4. Odë e mirë me pshurrë
Shkon Dauti te dajët në Shallc, në një 
darkë të odës së re. Kishte aty pleq e 
hoxhallarë e këndonin edhe mevlud. 
Pasi mendohet pak, Dauti i thotë dajës:
-Vallha, more dajë, për hajr të qoftë 
oda se të paska rënë e mirë dhe e mbarë, 
po çka koka mirë me pshurrë nga dritarja.
5. Për hajr bajrami
Te daja tjetër, Dauti shkon në fjalë nusje.
Në mëngjes, sipas zakonit, mësiti qohet 
e ia bën përhajr dajës, e pastaj me 
radhë të gjithë të pranishmit. Kur daja 
vije te Dauti, ai i thotë:
-Daja Murat, për hajr të qoftë bajrami !
-Hajr paq nipash, po cili bajram, i madhi a i vogli?
6. Dauti te dajtë n`dasëm
Në një dasëm te dajtë në Shallc, Dautit
dikush nga dasmorët ia kishte futur në 
xhep një gotë të çajit, atje ku e kishin
marrë nusen. Ai nuk e kishte diktuar 
derisa kishte daluar të kërcejë, aty 
në një kopësht ku ishin dasmorët. Kur e pa 
se ka gotë në xhep ai e nxori dhe e përplasi
për trupi të një dardhe të vjetër. Prej aty 
dolën qindra anza, të cilat u vërsulën mbi
dasmorët dhe i bënë pikë e pesë.
7. Dajë, të gjithë ishit bërë kuaj 
Kur shkon njëherë në Shallc, Dauti 
takohet me dajën Rexhë. Pasi kishte
kuptuar se shumica prej dajëve i kishin
hequr qetë e kishin blerë kuaj, i thotë:
-Dajë, po më vjen mirë, të gjithë ishit
bërë kuaj.
8. Laj dardhat
Në treg të Mitrovicës, Dauti e sheh një
dajë duke shitur dardha. Dauti i mbush 
xhepat dhe kur don të largohet, atëherë 
daja i thotë:
-Daut, laj dardhat! Dauti niset kah çeshmja, 
kurse daja i thotë:
-Jo, jo, me ujë, po me pare.
9. Dauti i hëngri gjashtë bukë te tezja
Dauti kishte shkuar mysafir te tezja 
në Vërnicë të Vushtrrisë. Në mëngjes, 
tezja kishte nisur t`i piqte bukët e elbëta. 
Ajo e piqte një, Dauti e  hante. Kështu, 
me ngapak kripë, i hëngri që të gjashtat.
Kur Ukshini, burri i tezes, zgjohet nga 
gjumi e kërkon bukë, tezja i thotë të 
priste derisa t`i piqte të tjerat, se të
parat i kishte ngrënë Dauti.
10. Hallvën e hëngri Dauti
Një natë të madhe, pasdarke, Dauti 
shkon n`kojshi me ndejtë. E shoqja e 
Seferit ia ofron tavën me hallvë, e 
Dauti e hëngri krejt. Në mëngjes, 
kur Seferi kërkon pak hallvë nga e 
shoqja, ajo i përgjigjet:
-Vallahi, pati mbrëmë mjaft, por ka 
qenë Dauti dhe e hëngri krejt. 
11. Qel ti babë
Para shumë vitesh, Dauti së bashku me të 
vëllain dhe babain nxirrnin cunga në një mal
të cilin donin ta shndërronin në arë. Dauti
fliste diçka, kurse babai i tij, i cili vërtet
nuk kishte flokë, po i thotë:
-Daut, qel ( cunga) mos fol!
-Qel ti, babë-ia ktheu Dauti.
12. Autobusi në ler
Derisa Dauti punonte në ndërmarrjen 
bujqësore “Produkti” e udhëtonte me
autobus, një ditë e kishte harruar biletën 
mujore në shtëpi. Në teposhtëze të Polacit 
dalin kontrollorët dhe e zënë pa biletë.
Kur ata e pyesin përse nuk e ka nxjerrë
biletën, ai ua kthen:
-Më falni se e kam harruar mujoren në 
shtëpi, po nuk bëhet nami, le ta lëshojë 
shoferi autobusin në ler, asgjë nuk harxhon,
përse të paguaj biletë tjetër.
13. Ndryshimi në pension
Pasi ishte ndarë nga bashkësia familjare,
Dauti del një ditë në Skënderaj. E takon
postieri dhe ia jep një letër të të vëllait. 
Ai e hap, e lexon dhe e kupton se letra 
ishte nga gjyqi dhe fjala ishte për dy muaj 
burg për vëllain që e kishin zënë pylltarët 
në mal.
Kur shkon në shtëpi i thotë të vëllait:
-Këtu është një vendim për një ndryshim
në pension dhe duhet ta ndajmë së 
bashku. Kur ai kundërshton, ky ia jep duke
i thënë:
-Ia pafsh hajrin, i ke dy muaj burg!
14.  Qeshni lopë qeshni
Kur unë hyra në punë në shkollën e Qirezit, 
një natë i ftova shokët në darkë. Disa që e 
njihnin Dautin si hokatar, i thanë t`iu tregojë
se si ka vllaqitë vet me vllaqë të therrës, pasi 
që nuk i kanë shkuar mirë lopët.
Ai iu rrëfeu, se si i ka lidhur lopët e u ka vënë 
tallë të hanë, të cilave duke vllaqitur iu ka thënë:
-Qeshni lopë qeshni.
Mysafirët nisën të qeshin me të madhe, e ai
e përsëriste prapë atë “Qeshni lopë qeshni”
15. Kishe lopët janë këtu
Atë natë që i kisha arsimtarët mysafirë, 
disa që nuk e njihnin mirë Dautin u prekën
pak nga fjalët e tij “Qeshni lopë qeshni”,
por gati i harruan ato, kur pasdarke Dauti 
shkoi t`iu merrte ushqim bagëtive dhe me
koshin përplot sanë hyri në odë dhe iu drejtua 
me fjalët:
-M`falni burra, mendova se lopët janë këtu.
16. Dauti i ka derdhë kazanat
Hashim Xani e martonte një djalë. Kishte 
bukur shumë dasmorë. 
Njëri nga nipat më të vjetër i tha Hashimit 
se nuk kishte mjaft mish.
Hashimi i tha:
-Ka pasur mjaft mish, po Dauti i ka derdhë kazanat.
17. Ju dhefsha n`të
Hashimi ishte duke ndërtuar një WC në 
fund të oborrit të Dautit. Derisa ishin
duke punuar erdhi Beka prej Kllodernice
dhe në vend se t`iu thotë puna e mbarë, iu tha:
-O ju dhefsha n`të.
18. Tungatjeta-jo, jo
Duke shkuar për në Skënderaj, Dauti
takohet me Avdullah Veliun, i cili vinte nga 
drejtimi i kundërt me bashkëshorten.
Ai i thotë Dautit tungatjeta, kurse ky ia kthen:
-Jo, jo!
Kur e pyet më vonë Dautin përse i kishte 
thënë ashtu, ky i përgjigjet:

KUSH ËSHTË KY PLAK KAQ I RI?

1. Ka vdekur Hajdari
Në mbrëmje dikush thirri tek dyert e oborrit tim. 
Doli djali im i vogël të shihte se kush ishte e ç`donte. 
Kur u kthye më tha:
-Babi, ishte një djalë i Taloviqe e të thirri se kishte
vdekur Hajdari, po varrosej nesër.
Të nesërmen me kolegët gazetarë shkuam në Kodrën 
e Dëshmorëve për ta përcjellur varrimin e 
një komandanti. Kur e pash Hajdarin në livadhe
duke ruajtur bagëtinë u thash kolegëve:
-A e shihni këtë plak, mbrëmë kam qenë i thirrur 
të marr pjesë në varrimin e tij që ëshë dashur të bëhej sot.
Ata më shikuan me habi, ngase nuk e dinin se lajmi kishte qenë i rremë.
2. Çelësat
Duke ecur nëpër trotuarin e një rruge në Mitrovicë, 
shoku me të cilin isha, kur i pa dy vajza nga drejtimi
i kundërt më thotë se do t`i mashtrojë. Posa u 
afruan ai nxori një palë çelësa, po i sjell rreth gishtit 
e po iu thotë:
-I shihni këta çelësa, janë të mercedesit tim.
-Qenkan si të traktorit tonë-ia ktheu njëra.
3. Byreku
Më heret çmimi i byrekut dallonte,
varësisht se a ishte me mish a me
djath. Pasi e hëngra byrekun, kur 
desha ta paguaj, byrekxhiu më pyeti:
-E patët me mish, apo me djath?
-Vallahi nuk e di-ia ktheva, as
s`kishte djath, as mish, ishte vetëm pite.
4. Ka gullash-s`ka gullash
Hyra në një gjelltore në Skënderaj 
dhe pyeta se ç`kishte për të ngrënë. 
Ai djaloshi që punonte aty m`i numëroi
disa lloje gjellrash e i ha se kishte
edhe gullash. Kur i thashë të më 
sillte një gullash, ai ma ktheu:
-M`falni por gullash nuk ka.
-Po ju thatë se ka.
-Unë të thash, se ashtu m`është mësuar goja.
5. As me mish as me qyfte
Ditën tjetër, po në atë gjelltore, derisa
po drekoja, hyri njëri që e kishte kuletën 
e hollë. Gjellbërësi i thotë se ka pasul me
mish, ai ia kthen:
-A s`ka me qyfte a, atëherë ma sillni pasulin pa mish. 
6. A ka biçikleta në Mitrovicë?
Me Enver Bimbashin e Llaushës një herë 
shkuam me autobus në Mitrovicë. Posa 
zbritëm nga autobusi, unë me hapa më 
të mëdhenj e lash atë bukur larg. 
Ai po më thërret e po më pyet:
-Halil, a din, a ka biçikleta me ble në Mitrovicë? 
-Pse – i thash, a biçikletë ke ardhë të blesh a?
-Jo, më tha- por desha ta marr një, 
mbase mund të vij me biçikletë pas teje.
7. Kur është e shtunë në Skënderaj?
Në bifenë e Radios, në Mitrovicë,
pinim kafe me shokët e punës. 
Pasi ra fjala për ditët e tregut, 
një shok më pyeti:
-Kur është e shtunë në Skënderaj?
-Të hënën-iu përgjegja shpejt e shpejt.
8. Kush është ky plak?
Bashkë me dhëndrrin po udhëtonim
me makinë nga Theranda për në Prizren.
Diku rrugës, ai e takoi një shok të vetin 
dhe e mori. Posa hyri ai shoku e pyeti për 
mua, dhëndrrin tim:
-Kush është ky plak?
-Baballaku-iu prgjigj, ky.
-Mendova mos është babai yt kaq i ri
-ia ktheu ai shoku.
9.Tegllat n`aeroplan
Duke udhëtuar me aeroplan nga Prishtina
për në Dyzeldorf të Gjermanisë e dëgjova
këtë dialog të një plaku e një plake:
Plaku: Çka dreçin i marrshe këto teglla me speca?
Plaka: Për djalin, plak. Atje s`ka speca. 
Çka po ta zënë tash rrugën tegllat.
Plaku: Jo, rrugën nuk po ma zënë,
por bëri e u rrëzua aeroplani, tegllat thehen 
e na prejnë.
10. Drutë e Xhelës si thuprat e mësuesit
Me Kajtazin nga Skënderaj po pinim çaj.
Në ndërkohë erdhi edhe Xhela nga Qubreli. 
Ai e ftoi që ta shkarkonin traktorin me dru të
mira për dimër. Kur i shkarkojnë, Kajtazi i 
pakënaqur me drutë, i kishte thënë Xhelës:
-Këto drutë tua qenkan si ato thuprat me 
të cilat na rrihte mësuesi në shkollë.
11. Murseli e theu sahatin
Mursel Beqiri nga Likashani e kishte 
pasur për merak një sahat xhepi. Një
ditë i prishet diçka e ia jep të birit 
t`ia ndreq në Prishtinë. Pas pak ditësh 
i prishet sërish. I thotë të birit:
-Ahmeto, bjerma një çekiç ta ndreqi sahatin.
-Po qysh ndreqet sahati me çekiç o babë
-ia kthen ai.
-Ndreqet ndreqet-thotë Murseli dhe kur
ia qon çekiçin, ai e mori dhe e bëri copë-copë sahatin.
12. Mbylle-hape derën
-Jam n`hall me këta mashkujt e mi-iu 
kishte thën mysafirëve Mursel Beqiri 
i Likashanit. Shkon gjysma e dimrit e më
duhet t`iu them: Ou, mbyllne derën
se u mërdhimë. Pastaj shkon gjysma e
verës duke iu thënë: Ou lëreni derën
hapur se u kallëm nga zhegu.

EDHE PULËN EDHE LULEN

1. Lopa është e re       
Njëri e qet lopën në treg për ta shitur. 
Afrohet një blerës e i thotë:
-E mirë po më duket lopa, po mos është pak e vjetër?
-Jaaa, ta jap me garancion se s`ka mbi 4 vjet.
Kur e bënë pazar, çobani që ishte edhe ai aty, 
ia nisi vajit e tha:
-Po më dhimbset, se qe tetë vjet e kam ruajt në fushë.
2. Shumë paske ngrënë
Në një odë burrash, gjatë një ndeje, Murseli po i thotë 
një nipit të vet që ishte një barkmadh:
-Çka ke n`atë bark?
-Mut!-iu përgjigj ai.
-Vallha, boll shumë paske ngrënë.
Kur Murseli e pyet edhe Hashimin,
ai për të mos i thënë  si Imerit, i thotë se
në bark ka bineq, kurse Murseli këtë e pyet 
se me kë i kishte.
3. Ou hajde merre edhe viçin
Njëri kur shkon pasdarke në ahur, 
vëren se dikush ia kishte vjedhur lopën. 
Ai nga nervoza, del në sokak dhe  duke 
menduar se hajni ende është diku afër, 
bërtiti:
- Ou, hajde  burrë merre edhe viçin 
se është i vogël, po bërtet, gjynah.
4. S`mund të dal se po bie shi
Shkoi njëri i Skënderajt për ta regjistruar
makinën në Mitrovicë
Me dokumente nën sqetull, kur hyri tek referenti, 
ai i tha se duhet ta sjellë edhe makinën, për t`ia 
shikuar numrat.
Ky turrevrap u kthye dhe sërish shkoi, por kur i
tha atij referentit se tash e ka sjellur makinën, ai iu përgjigj:
-Më vjen keq, nuk mund të dal te makina, se po bika shi.
5. Lum ti për djalin
Bisedojnë dy shkrimtarë nga Drenica:   
I pari,( tepër i nervozuar):
-Merreni me mend, djali ma dogji 
dorëshkrimin e romanit të fundit.
I dyti: Sa vjeç është djali?
I pari: Trevjeçar.
I dyti: Lum ti për djalin, aq i vogël, 
të dijë çka është për stufë.
6. Zemra
Një plakë nga Murga i ankohet kardiologut
në Skënderaj:
-Mbarova, doktor, vdiqa nga zemra.
Doktori: Mos u bëni merak, zemra 
do t`ju punojë si sahati sa të jeni gjallë.
7. Këmbët mocanike
Një plak nga Baksi  duke u mbajtur në kërrutë,
hyn te mjeku, në Shtëpinë e Shëndetit në 
Skënderaj dhe i ankohet se ka dhembje 
të mëdha në njërën këmbë. Mjeku i thotë:
-Nuk është çudi. Vitet i kanë fajet.
-Po, z. mjek, edhe kjo këmba tjetër është 
mocanike me këtë tjetrën, por nuk po më dhemb
- i përgjigjet plaku.
8. Falli në shpatull të pulës
Pasi hanë darkë, njëri i thotë një plakut:
-Allahile, a priton me ma kqyrë këtë shpatullë 
t`pulës, çka po më thotë, se ti kogja merr 
vesh në to. Ai po e kqyrë e po i thotë:
-Qysh pi shoh unë, ti e paske një lopë plle 
e po dojka me të pjellë së shpejti.
-Po, vallha ia qëllove ia ktheu ai.
Pas pak ditësh, lopën ia hëngri ujku në mal,
e ky i zoti i lopës shkon te ai farë falltori 
e po i thotë:
-Ma hangër ujku lopën, nuk më doli si më pate thënë!
-Burrë, unë nuk mujta n`shpatull  ta dalloj
a është ujk a viç pas lope, veç diçka e shihja 
që po i shkonte pas.
9. Paska ndjellë kob për krye të vet
Plaka: -O ti njeri!
Shimi:  Hoj, more, çka të mirën kie?
Plaka:  Jo, unë jo, as të mirë as të keqe, 
po pula që po knon si knus.
Shimi;  Eee, çka thojnë?
Plaka:  Vallha qysh  kam nie, thojnë ndjell 
kob për të zotin e shpisë.
Shimi:  Për të zotin e shpisë?! Bjerma qat sakicë!
Plaka:   Çka pi do o njeri?
Shimi:  Bjerma sakicën, e mos e zgjat shumë, 
se kjo pula që po knojka si knusë, nuk paska ndjell
kob për mu, të zotin e shpisë, po për krye të vet.
10. Mua m`i jep para
Një grup shokësh hyjnë në një kafiteri.
Njëri prej tyre iu tha shokëve:
-Folni, çka dëshironi të pini?
-Birra, po çka, u përgjigjën njëzërit,
pos Ukës, i cili tha:
-Mua në vend të birrës m` i jep para.
11. Kujdes minat!
Në orët e hershme të mëngjesit,
inspektorët komunalë kishin marrë 
një aksion për ndalimin e punëve në 
ndërtimet pa leje në qytetin e Skënderajt.
Në shumë dyçane e shtëpi banimi ( pa leje)
kishin vendosur shirit të verdhë.
Kur njëfarë Dushi, u ngrit e deshi ta
hap derën, e shoqja i bërtiti:
-Ngadalë se na qove në ajër, a 
s`po i sheh shiritat e minave.
12. Më ka humbur qeni
Sheremeti nga Klina e Mesme, 
një natje ishte zgjuar heret dhe 
kishte dalë në ara. Kur takohet me
një fqi ai e pyet:
-Çka je dalë kaq heret?
M`ka hupë qeni bre e ka qenë
shumë i mirë, se babën nuk e kisha lypë.
13. A e shkeu maqorri gazetën
Njëri shkon për kryeshëndosh. 
Oda ishte e vogël e në dritare
në vend të xhamit kishte gazetë. 
Kur hyri ai që ishte bukur trupmadh, 
maçorri që ishte nën stufë u tremb,
s`pati nga t`ia mbaj, i ra gazetës
e doli përjashta.
Ky u ngushtua e nga hutimi iu drejtua burrave:
-Burra a  e shkeu maçorri gazetën a,
zoti iu lashtë shëndosh.
14. Edhe pulën edhe lulen
Sylë Xani nga Polaci, pasi kishte dalur
në pension, shkonte shpesh ndër miq për vizitë.
Pothuajse askund nuk shkonte pa të shoqen 
Ajeten, të cilën e kishin lënë pak veshët.
Një ditë shkojnë në Makërmal. 
Ata të shtëpisë e dinin se Ajetja i do fort 
lulet dhe flasin ndër vete që të mos harrojnë 
t`ia japin një, kur të nisen për në shtëpi.
Ajo nga lëvizjet e gojës, mendoi se
ata po flasin për pulën, e iu tha:
-Jo, jo, për neve mos preni pulë, 
nuk jemi jabanxhi.
Kështu Syla e Ajetja e hëngrën pulën, 
por të nesërmen e morën edhe lulen.
15. A po flet baci Sylë
Baci Sylë një herë pati shkuar te djali 
i dytë në Norvegji. Një ditë e pyeta 
Sadikun a po flet Baci Sylë.
Ai m`u përgjigj:
-Po more po flet, bile edhe po ecë.  
16. Dhëmbi i qenit
Oda ishte përplot burra. Meshkuj 
të shtëpisë e mysafirë. Avdyli nga 
Rezalla, duke e lëkundur me gisht një 
dhëmb, i ngeli në dorë. Ia dha të birit e i tha:
-Shko në shtëpi e jepja nënës këtë dhëmb 
e thuaj se është i ujkut.
Djali ashtu veproi, por e ëma ia ktheu:
-Gjuaje diku në oborr, djalin i nënës, 
se ky nuk është dhëmb i ujkut por i qenit 
e s`të duhet gjë.
17. Unë prej Muçibabe, e ti ? 
Në minjerë kishte shkuar një punëtor i ri.
Pas dy-tri ditësh i vjetri po e pyet të riun:
-Nga të patëm, lum miku?
-Nga Muçibaba-i përgjigjet ai, e ti? 
I vjetri duke menduar se ai po tallet 
me të, ia ktheu: -Unë prej Muçinane.
18. Kah shkon ky autobus ?
Një grua paksa e shtyrë në moshë,
kishte zbritur nga fshati në qytet. 
Në satcion të autobusëve ajo qëndronte
si e humbur, ngase nuk dinte të lexonte.
E pyeti një djalë që ishte aty afër:
-Djalo, kah shkon ky autobus?
-Autobusi a, udhës po kah mendove ti,
për qiell a?-iu përgjigj djali i pasjellshëm.
19. Oj nënë e lava buallicën
Një djalë shkon te bunari për të marrë ujë. 
Aty e sheh një buallicë, për të cilën mendoi 
se është e tyre. E lau mirë e mirë dhe deshi 
ta qonte në ahur, por ajo nuk hynte. Shkoi e I
tha së ëmës:
-Oj nënë e lava buallicën, po s`po mund ta ngujoj.
-O bir, buallica jonë është brenda, kjo qenka
e huaja-ia ktheu e ëma.

SI DASHURIA

1. Vitet i kam kthyer në Euro
Ato ditë që hyri në përdorim euro, 
një njeri i thinjur i vardisej një  femre 
rreth të njëzetave.
Ajo u bë nervoze dhe i tha atij:
- Si s`po të vjen turp prej  50 vjetëve 
- që i paske e po më nguc?
- Jo! Ia ktheu ai- unë që nga fundi i shkurtit
- vitet i kam kthyer në euro.
2. A ma ndreqe atë punën që të kam porositur 
Seferi nga Klina e Poshtme shkonte me të 
shoqen në shtëpinë e shëndetit. Ajo mbahej 
fort për krahu të tij dhe mezi ecte. Aty diku 
në rrugë Seferi e takon një shok të tij dhe e pyet:
-A ma ndreqe atë punën që të kam porositur?
-Çfarë pune o njeri- i thotë e shoqja.
-I kam thënë të ma gjej një grua, se ti më ke 
lodhur, gjithë e sëmurë.
-Jo po kthehemi në shtëpi-i tha ajo se më kaloi krejt.
3. Shtruar toka vajza
Takohen dy të moshuar. Njëri e pyeti tjetrin:
-Sa djem i ke, a i ke të martuar?
-I kam pesë djem, nuk i kam martuar, as nuk 
e kam ndërmend. 
Shtruar toka me vajza, le t`i marrin vet.
4. Nuk ma ethe lopën vëlla
Njëri që e kishte një racë të mirë, një  lopë 
ia shiti dhëndrrit.
Pas disa ditësh motra po i thotë të vëllait:
-O vëlla, lopa po na del shumë e mirë, po çfarë 
hajri, qe disa herë ka lypë mëzet, po badihava 
ti nuk erdhe.
-Aiii, çka fole motër, pse me ardhë unë e me 
ta ethë lopën tue pasë ti burrin e djemtë tu.
5. Merre gruan time, s`më duhet gjë
Derisa po rreziteshim në plazhin e Golemit,
një grua me të cilën u njohëm, e mori gruan
time dhe u nisën të lahen.
-Vali-i them, po qe se më mbytet gruaja, 
unë e dua një tjetër në vend të saj.
Nauni, një 65 vjeçar, nga Tirana po i thotë asaj:
-Vali, moj, e dëgjove se ç`tha kosovari, 
më mirë merre gruan time, edhe po qe se mbytet
unë nuk kërkoj tjetër, ngase as kjo nuk 
po më duhet gjë.
6. Bëhu gati, tash ta bie mëzatin
Njëri e qoi të birin ( pa lopë) të një kojshi
me e pyet se a do t`ia lëshonte mëzatin.
Troket në dyer,del ai kojshia, po e sheh
djalin pa lopë, e po i thotë të hynte brenda.
-Jo, tha djali, erdha me të pyet a ma lëshon
mëzatin.
-Po more qysh jo, veç zhvishi ti pantollonat 
deri sa ta bie tarakun. 
7. Kur s`mundesh ti, unë edhe ma hiç
Ishte martuar një djalë, por me nusen flinte 
sikur me motrën. Priti sa priti mos po ndryshon 
diçka në të mirë, por asgjë. Iu kishte mbushur 
mendja se ndonjë plakë i kishte bërë magji.
Më në fund vendosi të shkojë te një
hoxhë i fortë e të shkruaj hajmali. Duke 
pritur, aty në një kopsht të hoxhës, njerëzit 
bisedonin për hallet e tyre, kurse djali çileguri 
gojën, vetëm i dëgjonte.
Kur i erdhi radha këtij djalit, edhe pse u
ngushtua shumë, po i thotë hoxhës:
-Hoxhe efendi, jam në hall të madh. Jam  
martuar tash sa ditë, por asgjë hiç, thash 
mos mundesh ti të më bësh një hall.
-Jo bre djalë, kur s`mundesh ti kaq i ri, 
unë nuk  mundem edhe më hiç.
8. Veç m`u tranu
I vdes një plakut gruaja. Shkojnë me e pa
disa shokë si mocanikë të tij dhe po e pyesin:
-Allahile, a po mërzitesh?
-Allahile, mos me ju rrejtë hiç, veç m`u tranu 
e me dalë në mal.
-Qysh bre ti m`u mërzitë, a ende mujshe…
-O, jo bre burra mos ma merrni dallash.
Po mërzitna se plaka më merrte n`gji e me 
atë kërhamzën e saj më vente në gjumë.
9. Thirrma një vajzë
Duke kaluar afër konviktit të vajzave, 
njëri i thotë portirit:
-Ju lutem, a bën të ma thirrni një vajzë?
-Cilën vajzë, në cilin kat?
-Cilën të duash ti, s`ka rëndësi.
10. Ia kërkoi gruan për nuse
Një grua kogja e re dilte shpesh pa burrin e saj.
Një djalë iu kishte paraqitur dhe kishte
kërkuar që të fejoheshin. Ajo djalit i kishte
thënë se jam e Filan Fistekut. Ditë pas ditësh 
djali e gjen shtëpinë e atij dhe shkon i thotë:
-Burrë, po më vije keq të të them, por unë jam 
duke kaluar me vajzën tënde, kam ardhë ta 
kërkoj për nuse nëse pajtoheni edhe ju.
-More djalë, unë atë nuk e kam vajzë. Ajo është 
gruaja ime e të lutem të mos kalosh më me të.