I Mahi nga lufta


Ballina
faqe
- 1 -

Faqe 2
1. Në kodër të qyqarëve
Gjatë ofenzivës së forcave serbo-çetnike, në verën
e vitit 1998, një familje nga Drenica shkoi në Prishtinë.
Kur u paraqit në Këshillin e Emergjencës, ata pasi e
shikojnë një listë, i thonë:
-E kemi një shtëpi të lirë në Kodër të Trimave, mund
t`ju vendosim nëse doni?
-Jo- ua ktheu drenicaku- mua ma gjeni një shtëpi
në Kodër të Qyqarëve, se po të isha trim, unë do
të isha tash në Drenicë, e jo këtu.
2. Prej nga je? 
Gjatë ofenzivës serbe të shtatorit të vitit 1998,
në malet e Qyqavicës u strehuan shumë familje 
nga Drenica. Aty dëgjova këtë dialog:
-Kah të patëm oj shoqe?
-Nuk di as vet. Kam qenë e martuar në Polac. 
Dy javë ndejta në Galicë, një muaj në Dubofc,
dy muaj në Kollë e qe tri ditë jemi këtu në
bjeshkë. E ti a po e din ti tash nga jam?
3. A po qesin?
Gjatë luftimeve në Prekaz, në mars të vitit
1998, disa gra e fëmijë erdhën në lagjen tonë.
Baqica i kishte mjelë lopët dhe hyri në shtëpi. 
Njëra nga gratë mysafire e pyet:
-A po qesin? Baqica duke aluduar tek lopët, i përgjigjet:
-Po valla, po qesin boll.
-Uh, qyqet na, donë me ardhë edhe këndej-ia kthei ajo.
-Qysh mori qyqet na, çka kishin me pi fëmijtë?
-Uh, gru, gru, unë mendova mos po gjuajnë shkjetë.
4. Kjo më nuk durohet
Në një fshat, diku në Kosovë, banorët kishin 
ikur para ofenzivës serbe dhe ishin fshehur 
në një mal. Ata, nga mali i shihnin shtëpitë duke 
u djegur nga kumbarët e deridjeshëm serbë.
Kur shkjetë hynë edhe nëpër kopshtet me perime 
dhe shkatrruan edhe serrat, njëri nga ata bërtiti:
-Vëllezër, kjo më nuk durohet. Kush është i gatshëm 
të vdesë, le të vijë pas meje.
5. Do ta ndajmë oborrin
Një familje nga Drenica, me një kerr fëmijë, 
ia mësyn Mitrovicës dhe vendoset tek një 
familje e cila e pranon me ngrohtësi.
Pas pak ditësh, drenicaku kishte blerë dërrasa.
I zoti i shtëpisë e pa duke i shkarkuar dhe e pyeti:
-Çka po të duhen ato dërrasa, o lum miku?
-Burrë, vendosa ta ndajmë oborrin. Shumë fëmijë,
po përzihen e besa edhe po lazdrohen.
6. Mos i qaj tapetat
Njëri nga Drenica gjatë luftës së 98-ës ishte 
vendosur në një familje në Mitrovicë. I zoti i 
shtëpisë  e kishte pritur mirë, por një ditë 
ishte ankuar tek mysafiri se fëmijtë kishin 
nisur t`ia shkatrrojnë tapetat në mur.
Drenicaku ia ktheu:
- Qysh bre nuk po të vjen marre, mua ma
kanë djegur shtëpinë e nuk u bë nami e
ti ankohesh për tapetat, lëri burrë fëmijtë 
le të luajnë.
7. Veturën po e blej unë
Një familje kishte ikur nga lufta dhe ishte
vendosur në Mitrovicë. i zoti i shtëpisë 
nuk kishte qenë edhe aq i fortë ekonomikisht,
por kishte vendosur ta mbante me shpenzime 
të vetat. Kur iu harxhuan paratë, ai i tha mysafirit 
se kishte vendosur ta shiste veturën. Ky farë trimi
e kishte pasur një duç marka me vete, por që nuk
e kishte shpenzuar asnjë cent, po i thotë:
-Veturën po e blej unë, sa e merr tjetërkush.
8. Këta kanë vdekur, jo unë
Një ushtar i UÇK-së nga Dërvari ishte plagosur 
rëndë gjatë luftimeve të ofenzivës serbe të 
shtatorit në Qyqavicë. Kur e gjejnë disa shokë 
e tërheqin prej aty dhe e vendosin në një vend 
të sigurt, i lajmërojnë edhe shokët tjerë. 
Derisa vijnë të dytët, ushtarët i zë gjumi, 
kurse ushtari plagosur nuk mund të flinte nga 
dhembjet. Me të arritur, ata e pyesin:
-A nuk ke vdekur, a?
-Jo, unë jo, por këta shokët-iu përgjigjet 
ushtari në shaka.
9. E kam nemë viçin
Në Prekaz të Poshtëm, derisa ishte si zonë 
më e lirë, ishin vendosur disa familje nga 
fshatrat ku ishte më rrezik nga luftimet. 
I zoti i një shtëpie që kishte shumë mysafirë 
e kishte prerë një viç. Pas dy ditësh aty
shkoi edhe një nip nga Gllobari. 
Daja po i thotë nipit:
-Rras mish se e kam prerë atë viçin që 
i thosha të hëngërshin qentë.
10. A e biem pulën o babë?
Njëri kishte pranuar në shtëpi disa të 
zhvendosur. Një mbrëmje derisa hanin darkë, 
çka kishte qëlluar, një fëmijë po i thotë të 
zotit të  shtëpisë:
-A e biem pulën o babë?
-Jo, jo, prit edhe pak!
Mysafirët merrnin ngapak, por nuk largoheshin,
duke menduar se njëmend do të bijnë edhe pulë.
Prit e prit, pasi pula nuk erdhi, ata u larguan 
nga sofra.
Atëherë plaku i tha atij fëmijës:
-Bjere babo tash pulën!
Pasi i hëngri trohat e bukës, pulën e përzunë përjashta.
11. Uji në benzinë
Gjatë luftës, Qirezi ishte ende zonë e lirë
dhe e kontrolluar nga UÇK-ja. Aty bëhej 
njëfarë tregu dhe njerëzit furnizoheshin 
me artikuj të ndryshëm.
Njëri duke shprazur një kanistër me
benzinë, e mbante ombrellën sipër kapakut
të rezervoarit për të mos rënë pikat e shiut.
Njëri duke e shikuar këtë skenë i tha:
-O lum jarani, hiqe atë ombrellë, se uji ka hyrë
moti në kanistër.
12. O babë, hajde ngjitma bishtin
Derisa Besimi punonte në hapjen e istikameve 
të UÇK-së në Polac, kishte thyer bishtin e kazmës. 
Kur kthehet në shtëpi, e sheh të atin duke qëndruar 
me një fqi.
Nga larg e thërret e i thotë:
-O babë, hajde ngjitma bishtin!
13. Këmba në fyt
Gjatë luftës edhe Bilalli nga Polaci, një kohë 
të gjatë me familje kishte qëndruar në luginën e 
Tushilës, në një tendë najloni.
Një natje i kishte thënë gruas:
-Allahile, a mundesh me i ra në fije një ëndrre 
që e kam parë mbrëmë?
-Hë, hajërli qoftë- ia ktheu e shoqja.
-Gati më ka dalë shpirti, disi njëfarë trau më
kishte rënë në fyt dhe ma zinte frymën-ia ktheu ai. 
Ndërkaq, ajo duke qeshur ia ktheu:
-Mos u bën merak, se nuk ka qenë tra, 
por ishte këmba ime.
14. Andej ka përplot policë
Njëfarë Sadiku nga Kozhica, një ditë ishte
nisur këmbë për në Polac. Diku në rrugë e 
takon njërin me veturë që shkonte në drejtim 
të Qirezit. Ai u ndal dhe e pyeti plakun:
-A mund të shkohet për në Qirez?
-Çfarë Qirezi, more burrë, andej nga Beçiqi, 
po vijnë forca të shumta. Ai e ktheu veturën, 
e mori edhe plakun dhe kur arritën në Polac, 
Sadiku po i thotë atij:
-Mua ndalma këtu se e kam një motër e po 
zbres e ti nëse ke ndonjë punë shumë me 
rëndësi, shko në Qirez, se ndoshta më kanë
bërë sytë se s`ka policë. 
15. O ti njeri u kall
Në kodrën Te Lisat e Xanit në fshatin Polac,
një kohë të gjatë ka qëndruar një punkt i
policisë serbe. Ata ditë e natë gjuanin me 
armë të ndryshme, kurse fshatarët vështronin 
mos po vijnë më afër.
Një grua, një ditë po i thotë të shoqit:
-O ti njeri, u kall !
-Ai turrevrap nga dera e oborrit, të shikojë 
mos po digjet fshati, kurse e  shoqja ia pret:
-Jo, jo, nuk u kall fshati, por…
16. Dikush po lypë hu në këtë shtëpi
Njëri që e kishte shtëpinë afër me atë ku 
ishte vendosur njëfarë komisioni i emergjencës,
një ditë duke kaluar pranë murit të oborrit të
vet, i vërejti dhjetra kuti të shprazëta të
gullashit. Shkoi në shtëpi dhe iu drejtua së ëmës:
-Nënë, dikush po lypë hu në këtë shtëpi. Si bën
që tinëz të hahen gullashat e neve po don me 
na bi në bark pasuli i emergjencës.
-Jo, djali i nënës, nuk janë ata gullashat tanë, 
po ata po i gjuajnë mbi mur në oborr tonin.
17. Do të vdesim të gjithë
Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s mbi
caqet serbe, njerëzit e patën shumë vështirë 
nga sulmet e parreshtura të forcave serbe. 
Një plak që i kishte humbur shpresat se do të
shpëtonin gjallë, iu thotë disa ushtarëve të UÇK-së:
-Edhe nëse shpëtojmë nga granatat, të gjithë
do të vdesim nga uria.
-Jo, axhë, liria është afër, dy javë mbahemi
me qumësht.
-E pastaj- ç`bëjmë?- tha plaku.
-Pastaj edhe dy javë e shtyjmë me mish, i presim lopët.
-Jo, jo, të gjithë do të vdesim- këmbëngul plaku.
-Ishalla akshami nuk na pret-ia kthu njëri.
Atëherë plaku u kthjellua pak e tha:
-Mos bre djalë, mos fol ashtu, a e din që e kemi 
zotin, ai na ruan e na shpëton.
18. Rojet e lara  n`gjak të lopës
Dy ushtarë të UÇK-së një mbrëmje kishin dalur
në roje. Shokët e tyre në “shtab” për nevojat e 
ushtarëve kishin prerë një lopë aty në oborr. 
Kur filluan gjuajtjet nga punkti i policisë serbe,
19. Çka  po sheh?
Një ushtar i UÇK-së që kishte dylbi përpiqej
t`i përcillte fluturimet e avionëve të NATO-s. 
Një shok i tha:
-A po sheh diçka?
-Po-iu përgjigj ai-piloti e ndezi një dunhill,
kurse unë e ti po pimë dushk mali të mbështjellë
me letër të thasëve.
20. Abeja ia sosi prapanicën policit
Katër pesë shokë, ushtarë të UÇK-së kishin 
zënë pozitë të mirë përballë një punkti të policisë 
serbe, por nuk kishin armë të tjera pos 
kallashëve. Ata gjuanin në drejtim të policisë, 
por pasi që plumbat nuk arrinin deri atje, policët
ua shplonin prapanicën dhe talleshin me ta.
Pas pak aty arrin Bekim Berisha-Abeja dhe kur
i sheh të mërzitshëm i pyet:
-Çka keni, mos iu kanë mbytur xhemitë në deti?
-Jo, i thanë ata-por këta kallashët tanë nuk po 
na bëjnë punë.
-Hajt gjuani ju njëherë-iu tha Abeja.
Ata gjuajtën, kurse polici që u zhvesh, më nuk 
u ngrit në këmbë, nga snajperka e Abesë.

Ballina
faqe
- 1 -

Faqe 2