Dhjata e Re
< LUKA >
Kapitulli 4
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24


1 Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë,

2 ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria.

3 Dhe djalli i tha: "Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë".

4 Por Jezusi u përgjigj duke thënë: "Éshtë shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë"".

5 Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës.

6 Dhe djalli i tha: "Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m'u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua.

7 Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja".

8 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: "Largohu prej meje, Satana. Éshtë shkruar: "Adhuro Zotin, Përëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij"".

9 Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: "Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej;

10 sepse është shkruar: "Ai do t'u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë.

11 Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur"".

12 Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Éshtë thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"".

13 Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe.

14 Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth.

15 Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë.

16 Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.

17 I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:

18 "Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,

19 dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit".

20 Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të.

21 Atëherë ai nisi të thotë: "Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja".

22 Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: "Po ky, a nuk është biri i Jozefit?".

23 Dhe ai u tha atyre: "Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: "Mjek, shëro veten tënde"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd".

24 Por ai tha: "Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.

25 Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;

26 e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.

27 Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian".

28 Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.

29 Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.

30 Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.

31 Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna.

32 Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.

33 Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë:

34 "Ah, ç'ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!".

35 Por Jezusi e qortoi duke thënë: "Hesht dhe dil prej tij!". Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe.

36 Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: "Ç'fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!".

37 Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth.

38 Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.

39 Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t'u shërbejë.

40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.

41 Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: "Ti je Krishti, Biri i Perëndisë". Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.

42 Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre.

43 Por ai u tha atyre: "Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar".

44 Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë.