Dhjata e Re
< LUKA >
Kapitulli 17
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24


1 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: "Éshtë e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë!

2 Për të do të ishte më mirë t'i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël.

3 Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale.

4 Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem", fale".

5 Atëherë apostujt i thanë Zotit: "Na e shto besimin".

6 Dhe Zoti tha: "Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t'i thonit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det", dhe ai do t'ju bindej.

7 Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t'i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"?

8 A nuk do t'i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"?

9 Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo.

10 Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: "Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim"".

11 Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.

12 Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,

13 dhe duke ngritur zërin, thanë: "Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne".

14 Dhe ai, si i pa, u tha atyre: "Shkoni e paraqituni te priftërinjtë". Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.

15 Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.

16 Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.

17 Jezusi atëherë filloi të thotë: "A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?

18 A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?".

19 Dhe i tha atij: "Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi".

20 Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: "Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;

21 dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu", ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush".

22 Pastaj u tha dishepujve të vet: "Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.

23 Dhe do t'ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje", por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.

24 Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.

25 Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.

26 Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.

27 Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.

28 Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;

29 por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë.

30 Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.

31 Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa.

32 Kujtoni gruan e Lotit.

33 Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë.

34 Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.

35 Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.

36 Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet".

37 Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: "Ku, o Zot?" Dhe ai u tha atyre: "Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat".