Kushtet e Islamit

redakto

Për ata që kanë hyrë në fenë islame, pra për myslimanët janë pesë detyra themelore të cilat janë farz që duhet t’i kryejnë me domosdoshmëri.

1. Kushti i parë i islamit është Kelime-i Shehadeti - shqiptimi i formulës me të cilën shprehet përkatësia islame. Të shqiptosh Kelime-i Shehadetin : “Eshhedu en la ilahe il-llah-llah ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu. Ai që është me fuqi mendore normale, në moshë madhore dhe që mund të flasë, deklaron: “Besoj dhe deklaroj se vetëm All-llahu xheleshanuhu, është Zot dhe besoj e deklaroj që Muhammedi është rob i Zotit dhe pejgamber i Tij”. Ai është Vaxhibu-l-vuxhud. Ai është mbi gjithçka. Ai nuk ka kurrfarë të mete. Emri i Tij është All-llah, dhe Ai duhet besuar me zemër. Dhe ai fytyrëdashur, fytyrë shkëlqyer, me sy të zi, ballëhapur, me karakter të bukur që nuk i bie hija në tokë , ai fjalëmbël, që për shkak se ka lindur në Mekë të Arabisë, quhet arab, nga bijtë Hashimi, pra Muhammedi (salall-llahu alejhi ve selem), i biri i Abdullahut, është rob, i dërguar i All-llahut xheleshanuhu dhe pejgamberi i Tij. Ai ishte djali i hazreti Emines, e cila ishte e bija e Vehebit.

2. Kushti i dytë nga pesë kushtet e islamit, është falja e namazit në kohë të caktuar pesë herë në ditë, në përputhje me kushtet e farzet e tij. Për çdo mysliman është farz, që çdo ditë, kur të vijë koha, të falë pesë herë namaz dhe ta dijë se secilin e ka falur në kohën e vet. Namazet duhen falur pa u kaluar koha, duke u kushtuar kujdes farzeve, vaxhibeve, sunneteve të tyre dhe duke ia dhënë zemrën All-llahut Te’álá. Në Kur’an namazi quhet Salat. (Salat, sipas fjalorit, domethënë të luturit e njeriut, të luturit e melaiqeve për mëshirë, të mëshiruarit e All-llahut xheleshanuhu. Në islamizëm të thuash salat, do të thotë të bësh veprime të qarta dhe të lexosh gjëra të qarta, në formën siç është njoftuar në librat e ilmihalit.)

Falja e namazit fillon me iftitah tekbir (tekbiri fillestar). Burrat i ngrenë duart deri në lartësi të veshëve dhe duke prekur të butët e veshëve me gishta të mëdhenj, me shqiptimin All-llahu ekber, fillojnë namazin. Femrat i ngrenë duart në lartësinë e supeve krahërorit. Gishtat duhet të jenë të shtrirë dhe me tekbirin All-llahu ekber e fillojmë namazin. Dhe në ndenjën e fundit, kokën e kthejmë nga supi i djathtë dhe i majtë me rradhë e duke dhënë selam e përfundojmë namazin.

3. Kushti i tretë i islamit është dhënia e Zekatit të pasurisë. Domethënia leksikore e fjalës zekat është të pastrohesh dhe të vijsh në gjendje të mirë e të bukur. Në islam zekat domethënë kur pasuria e një myslimani a myslimaneje arrin sasinë e një vlere të caktuar (Nisab), nga pasuria pjesën e tepërt e të panevojshme, zekatin, t’ua japësh myslimanëve të varfër, sipas rregullave që është shpjeguar në Kur’an. Zekati u jepet shtatë kategorive të njerëzve. Në katër medhhebet ka katër lloje zekatesh: zekati i arit e argjendit, zekati i pasurisë tregëtare (mallit), zekati i kafshëve dhe i prodhimeve bujqësore. Lloji, i katërt i zekatit quhet Ushër. Merret a s’merret prodhimi nga toka, jepet ushri. Tri Zekatet e tjera jepen një vit pasi të arrihet sasia e nisabit.

4. Kushti i katërt i islami, është agjërimi i Ramazanit. Arabisht i thuhet Saum, e që do të thotë “të ruash diçka”, “të përmbahesh nga diçka”. Në islam që, në muajin e Ramazanit, All-llahu ka urdhëruar, çdo ditë të përmbahesh nga tri gjëra: nga të ngrënët, të pirët dhe nga marrëdhiet seksuale. Muaji i Ramazanit fillon me dukjen e hënës së re në qiell.

5. Kushti i pestë i islamit është shkuarja në Haxh një herë në jetë për atë që ka mundësi ekonomike. Personi që shkon në Haxh, në Mekë, duhet ta sigurojë materialisht familjen derisa të kthehet, dhe atje vesh ihramin (veshje e posaçme për haxhijtë), e bën tavaf Qabenë dhe qëndron në Arafat.

Nga pesë kushtet e islamit, të parashtruar më lart, më i lartësuari është të deklarosh dhe të besosh domethënien e Kelime-i Shehadetit. Pas kësaj vjen falja e namazit, pastaj agjërimi, dhe më tutje haxhi, në fund, dhënia e zekatit. Që Kelime-i Shehadeti është më i lartësuari është e qartë dhe s’ka dyshim. Për katër kushtet e mbetura, për epërsinë e tyre, mendimet e shumicës së dijetarëve përputhen me renditjen që dhamë më lart. Kelime-i Shehadeti është bërë farz që në fillim të islamit, dhe i pari kusht. Pesë kohët e namazit janë bërë farz në vitin dymbëdhjetë të Bi’setit dhe një vit e disa muaj para Hixhretit, në natën e Miraxhit. Agjërimi i muajit të Ramazanit është bërë farz në muajin Shaban në vitin e dytë të hixhretit. Dhënia e zekatit është bërë farz atë vit që është bërë farz agjërimi në muajin Ramazan, kurse Haxhi është bërë farz në vitin e nëntë të hixhretit.